Rishikimi i buxhetin 2010, fonde shtesë prej 565 milionë lekësh për institucionet
Ervin KOÇI
Qeveria i ka bërë një shtesë të re buxhetit të vitit të ardhshëm, duke bërë që ai të rritet dhe me 565 milionë lekë të tjerë. Këto shtesa janë siguruar nga shkurtime të shumta të shpenzime të ndryshme, që qeveria ka planifikuar të bëjë për vitin e ardhshëm dhe janë miratuar pas rishikimit të fundit të programit buxhetor 2010. Paratë do ti kalojnë menjëherë si fonde shtesë disa institucioneve kryesore, të cilat janë ankuar që në fillim për buxhetin e pamjaftueshëm që Ministria e Financave ka programuar për ta vitin e ardhshëm. Tre ishin kërkesat kryesore të miratuara nga Ministria e Financave për fonde shtesë: 500 milionë lekë për Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, 62 milionë lekë për Kuvendin e Shqipërisë dhe rreth 23 milionë lekë për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Të gjitha këto fonde shtesë u miratuan nga Parlamenti në minutën e fundit, pasi ministria kishte dhënë aprovimin, duke parë shumën e llogaritur nga kursimet e mbi 2000 automjeteve që qeveria ka planifikuar tua shkurtojë zyrtarëve dhe deputetëve. Por të tjera institucione Kushtetuese nuk dolën aspak të kënaqura nga ky rishikim i buxhetit, pasi kërkesat e tyre nuk u morën parasysh. Shërbimi Informativ Shtetëror, Prokuroria e Përgjithshme, Avokati i Popullit, si dhe Ministria e Mjedisit morën përgjigje negative si nga Kuvendi përmes votës kundër të deputetëve, ashtu dhe nga Ministria e Financave.
Kursimet
Heqja nga përdorimi i automjetit për një numër jo të vogël zyrtarësh të lartë të shtetit, përfshi dhe deputetët, krijoi jo pak kursime nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për buxhetin e shtetit. Pikërisht në periudhën kur po diskutoheshin kërkesat e disa institucioneve për fonde shtesë, Ministria e Financave e gjeti zgjidhjen te fondi rezervë, i krijuar nga ligji i ri "Për transportin e zyrtarëve të shtetit". Burime zyrtare nga ministria thanë se në total janë kursyer rreth 565 milionë lekë, por shuma mund të jetë edhe më e madhe për shkak se ndodhet ende në fazën e përllogaritjes. Në total kërkesa e ministrive të ndryshme dhe institucioneve të pavarura ishte për një shtesë në buxhet në masën 1.5 miliardë lekë, por ministria aprovoi vetëm 565 milionë lekë, shuma e krijuar me kursimet e automjeteve të deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë.
Rishikimi i buxhetit
Në total, buxheti i shtetit për vitin 2010 u planifikua të ishte rreth 411 miliardë lekë. Pretendimet e shumta për më tepër fonde e bënë më konfuz procesin, duke e tejzgjatur përfundimin e miratimit të projektbuxhetit. Ekspertëve të Ministrisë së Financave iu desh të llogarisnin nga e para të gjithë zërat për shpenzime, në mënyrë që të gjenin hapësira për rritje. Në fillim u mendua se nga makinat e zyrtarëve, të cilat do të hiqeshin nga përdorimi, do kurseheshin rreth 520 milionë lekë (afro 600 milionë dollarë). Por duke parë se presioni i lartë nga radhët e ministrive për më shumë fonde në buxhet po bëhej i vazhdueshëm, ministria vendosi të shtoi edhe 62 milionë lekë të tjera, që sërish vinin nga kursimet e zyrtarëve.
Parashikimi për vitin 2010, të ardhurat do të shtohen me 13.8 %
Të ardhurat nga pushteti vendor për vitin 2010 pritet të arrijnë nivelin 20.9 miliardë lekë me një rritje prej 13.8 për qind ndaj vitit 2009, duke arritur nivelin 1.6 për qind e PBB-së. “Parashikimi për këtë grup taksash është bazuar në parashikimin për rritjen ekonomike nominale, përmirësimin administrativ në mbledhjen e të ardhurave kryesisht lidhur me tatimet mbi pasurinë, si dhe ndryshimet e fundit ligjore mbi taksat vendore”, - nënvizojnë ekspertët e Financave. Për taksën vendore të biznesit të vogël parashikimi për 2010 është 4.1 miliardë lekë, me një rritje prej 15.4 për qind krahasuar me vitin 2009. Për grupin e tatimeve mbi pasurinë, parashikimi është 4.4 miliardë lekë, me një rritje prej 17.4 për qind kundrejt vitit 2009. Për grupin e taksave lokale, pritet të mblidhen rreth 12.4 miliardë lekë, me rritje 12 për qind kundrejt vitit 2009. Në këtë grup taksash do të ndihet dhe efekti i ndryshimit të nivelit të taksës së tabelës dhe taksës së reklamave që ka një efekt të përafërt prej 600 milionë lekësh si dhe vendosja në 0.5 për qind e investimit të taksës mbi ndikimin në infrastrukturë për ndërtesat në proces legalizimi.
Buxheti 2010 do të përmirësojë treguesit e prodhimit në bujqësi
Vitit të ardhshëm, Ministria e Financave ka parashikuar rreth 6.8 miliardë lekë financime për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, ose sa 0.53 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto. Në krahasim me buxhetin suplementar të këtij viti, shpenzimet për këtë dikaster për vitin 2010 janë rritur me rreth 819 milionë lekë. Totali i investimeve është 2.96 miliardë lekë, ku prioritet kanë programet “Infrastruktura e Kullimit dhe Ujitjes” dhe “Zhvillimi Rural duke Mbështetur Agroindustrinë dhe Marketingun”. Programi i ri për bujqësinë 2010, do të sjellë rritje të mëtejshme të eksporteve të produkteve bujqësore. Nxitja e ngritjes së bashkimeve të fermerëve dhe promovimi i tyre do të vazhdojë të jetë në vëmendje të programit të vitit të ardhshëm. Sipas të dhënave, prodhimi bujqësor në pjesën e dytë të vitit ka shënuar përmirësim në krahasim me pjesën e parë. Aktiviteti në sektorin e bujqësisë është rritur me 2.7 për qind krahasuar me një vit më parë, duke kontribuar me 0.55 pikë përqindje në rritjen vjetore të PBB-së.
3 Dhjetor 2009