E Diel, 1 Nëntor 2026

Mospagimi i taksave, Tatimet dërgojnë në gjykatë 75 biznese



Numri i subjekteve të mëdha të cilat nuk po paguajnë më taksat pranë Administratës Tatimore është shtuar. Shkak për këtë situatë është bërë kriza ekonomike që ka përfshirë bizneset në vend, të cilët në mungesë të likuiditetit dhe aktivitetit prodhues kanë nisur procedurat e falimentimit. Por zgjatja e procedurave të falimentimit dhe ç’regjistrimi i subjekteve, ka bërë që Tatimet të vazhdojnë ti llogarisin shumë subjekte sikur janë akoma në aktivitet, duke pritur prej tyre pagesat e taksave. Deri tani as nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe as nga drejtoritë e Tatim-Taksave pranë pushtetit vendor, akoma nuk është bërë një aksion kontrolli dhe spastrimi i të gjitha atyre subjekteve private që kanë kohë që kanë ndërprerë aktivitetin e tyre, në një kohë që figurojnë akoma si të hapur në dokumentet dhe regjistrat tatimorë. Kohët e fundit Administrata Tatimore është kujtuar edhe për këtë proces, por akoma nuk ka nisur nga verifikimet, pasi deri tani ajo është marrë vetëm me subjektet të cilat janë borxhlinj ndaj bankave dhe shtetit duke vijuar mbajtjen hapur të aktiviteteve të tyre.

Subjektet fantazma

Edhe pse me vonesë DPT-ja duket se ka nisur punën fillimisht për evidentimin e të gjitha atyre subjekteve fantazma të cilat megjithëse pa aktivitet prodhues vazhdojnë të mbijetojnë duke marrë borxh te njëri-tjetri. Pas publikimit të listës së parë në shtator me 27 subjekte, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thotë se numri i bizneseve në prag falimenti ka shkuar deri në 75 të tillë. DPT-ja sqaron se nuk është qëllim në vetvete deklarimi i bizneseve të falimentuara, por duke respektuar ligjin, thjesht përgatitet dosja dhe dërgohet për shqyrtim në gjykatë. Kjo e fundit vendos mbi fatin e biznesit nëse do të vijojë apo jo aktiviteti. Viti 2009 vijon të jetë i vështirë për sektorin privat në vend. Mungesa e vazhdueshme e financimit nga bankat, ulja e xhiros, shtrenjtimi i kostos etj., kanë bërë që shumë biznese të ngrenë duart lart. Pak kohë më parë në media u publikuan numrin e bizneseve që kishin deklaruar me vullnet të plotë mbylljen e aktivitetit, për arsye të ndryshme. Ndër to mësohet se janë rreth 50 ndërmarrje të prodhimit të veshjeve. Mbyllja e bizneseve gjatë vitit 2009 ka rritur ndjeshëm edhe numrin e të papunëve, që për tremujorin e dytë shënon nivelin e 11 mijë personave.

Asetet

Tjetër proces i rëndësishëm në falimentin nga gjykata të një biznesi është edhe likuidimi i aseteve të tij, në mënyrë që të shlyejë të gjitha detyrimet që ka ndaj shtetit, por edhe ndaj palëve të treta. Në këtë pikë ekziston një debat mes ekspertëve të fushës dhe vetë qeverisë. Shumë prej analistëve mendojnë se duhet të jetë vetë biznesi që të shpallë gjendjen e falimentit dhe jo qeveria përmes strukturave të saj. Kurse tatimet thonë qartë dhe shkurt se kush dorëzon bilanc me humbje për tre vjet rresht, atëherë futet në listën e subjekteve të falimentuara. Megjithatë, tatimet sqarojnë se jo për të gjithë vlen ky kusht, pasi ka shumë rëndësi dhe stadi i zhvillimit. Për disa biznese që kanë investuar vlera të larta, fitimi vjen pas një kohe më të madhe se tre vjet.

Sistemi aktual, sa paguajnë bizneset e vogla

Bizneset e vogla sot paguajnë tatim të thjeshtuar mbi xhiron, një taksë që përcaktohet nga administrata tatimore në bazë të llojit të veprimtarisë. Skema aktuale i ngarkon tatimorët vetëm me detyrën e kontrollimit të subjekteve tregtare për të parë nëse i kanë paguar apo jo taksat e caktuara dhe mbylljen e këtyre subjekteve kur nuk i paguajnë. Biznesi i madh prodhues apo importues paguan TVSH për shitjet e veta, ndërsa hallkat e ndërmjetme paguajnë TVSH mbi diferencën mes çmimit të blerjes dhe atij të shitjes së mallit apo shërbimit. Por gjatë viteve të fundit, gjithnjë e më shumë kompani të mëdha kanë hyrë në tregun e shitjes me pakicë, duke hapur rrjete supermarketesh apo rrjete dyqanesh. Këto subjekte paguajnë TVSH për xhiron totale. Kjo kategori biznesesh beson se konkurrohet pa të drejtë nga dyqanet e vogla, të cilat e kanë më të lehtë të fshehin nivelin real të shitjeve dhe sugjeron që tatimi i thjeshtuar mbi xhiron thjesht të eliminohet. Në tregun e shitjeve të veshjeve për shembull, një numër i konsiderueshëm tregtarësh importojnë mallra që i deklarojnë për konsum personal dhe i shesin në treg përmes licencës së biznesit të vogël. Por ndërsa pretendimi i konkurrencës së pandershme ndoshta mund të jetë i drejtë, rritja e numrit të subjekteve paguese të TVSH-së duket se sjell shtimin e një hallke burokratike për bizneset e vogla që mund t‘i falimentojë ato, pavarësisht nëse paguajnë shumë apo pak taksa. Vendosja e kasës tatimore, mbajtja e një bilanci të rregullt dhe detyrimi për të dorëzuar bilanc tatimor të firmosur nga një kontabilist i autorizuar, mbart një kosto financiare që mund të krijojë probleme të mëdha për shumë biznese të vogla. Biznesi i vogël në Shqipëri punëson më shumë se një të tretën e shqiptarëve që kanë një vend pune. Rreth 60 mijë shqiptarë janë të vetëpunësuar si pasojë e aktiviteteve të vogla tregtare apo prodhuese. Numri i shqiptarëve sipërmarrës ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit.

3 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›