Avokati kerkon lirimin e Aldo Bares: “U tejkalua afati ligjor”
Laureta Rryçi
Aldo Bare kërkon lirimin e tij nga burgu për tejkalim të të gjitha afateve ligjore. Përfaqësuesi ligjor i Aldo Bares depozitoi dje pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda kërkesën për shuarjen e masës së sigurisë ndaj klientit të tij. Kërkesa argumenton se kanë përfunduar të gjitha afatet ligjore të gjykimit dhe të paraburgimit. Gjykata pritet që në seancën më të afërt të marrë në shqyrtim kërkesën e palës mbrojtëse të Bares. Sipas avokatit Vladimir Meçe, klienti i tij nuk duhet të qëndrojë më në qelitë e paraburgimit dhe këtë kërkesë ka ndër mend ta argumentojë para gjyqtarëve të Krimeve të Rënda. Kërkesa pritet t’i nënshtrohet shortit që do të përcaktojë edhe gjyqtarin që do ta gjykojë.
Rikthimi
Herën e parë që Aldo Bare u shfaq në Gjykatën e Krimeve të Rënda jo vetëm që nuk kishte avokat, por edhe nuk denjoi të fliste. Sipas burimeve pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, në seancë kanë qenë të pranishëm fillimisht vetëm gjyqtari i gatshëm dhe prokurorët që janë marrë me hetimin e ngjarjeve të bandës së Lushnjës. Gjyqtari e ka pyetur të arrestuarin nëse e kishte njoftuar avokatin që e ka mbrojtur deri tani në proceset që ka në gjykim po në këtë gjykatë. Bare ishte shprehur se nuk ka një avokat të zgjedhur prej tij. Përballë kësaj situate, gjyqtari Klodian Kurushi ka njoftuar menjëherë një nga avokatët kryesisht që punojnë pranë kësaj gjykate. Në këtë mënyrë, edhe pse sa për fasadë, avokati kryesisht, fare i panjohur me dosjen e Aldo Bares, ka luajtur rolin e mbrojtësit të të drejtave të të arrestuarit. Për Baren, heshtja duket se ka qenë zgjidhja më e mirë, pasi ai ka folur vetëm në ato raste kur e ka pasur të pamundur të mos fliste. Para gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Bare ka pranuar vetëm të dhënat personale dhe më pas është ulur në karrige për t’u njohur personalisht me akuzat e ngritura ndaj tij. Seanca nuk ka zgjatur më shumë se 15 minuta dhe pas ditës së djeshme Bare do të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit si i pandehur, njësoj si bashkëpunëtorët e etiketuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Ekstradimi
Aldo Bare, i njohur ndryshe me emrin Alfred Shkurti, mbërriti në Aeroportin e Rinasit pas dhjetë vitesh në kërkim nga Drejtësia shqiptare. Pas dorëzimit nga autoritetet turke, efektivët shqiptarë duket se kishin planifikuar deri në detaj shoqërimin e Bares për në Tiranë dhe vendosjen në një dhomë të veçantë. Bare, pavarësish se ishte i lidhur duar e këmbë, sërish në dy anët e tij ishin dy specialë. Më pas, me një makinë të blinduar, u transportua fillimisht në Komisariatin e Aeroportit dhe më pas drejt qelive të paraburgimit të 313-ës. I konsideruar person i rrezikshëm, Bare, gjatë gjithë kohës është shoqëruar në vëmendjen e policëve, forcave të RENEA-s dhe krerëve të Policisë shqiptare që dje kishin "pushtuar" Aeroportin duke arritur madje të bllokonin për pak çaste punën rutinë në të. Fatin e Aeroportit pati edhe autostrada Tiranë-Durrës. Autostrada u bllokua për rreth gjysmë ore dhe makina të shumta policie shoqëruan automjetin e blinduar drejt Tiranës për në Burgun e Sigurisë së Lartë Nr. 313.
Box
Aldo Bare dhe organizata e tij kriminale akuzohen për:
- vrasjen dhe dekapitimin (prerjen e kokës dhe shëtitjen në publik) të Artur Dajës në qytetin e Lushnjës;
- vrasjen në qendër të qytetit të shtetasit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri;
- vrasjen për shkake të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë, të shefit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Sinan Meta;
- vendosjen e lëndës eksplozive me telekomandë në stadiumin e futbollit të qytetit të Lushnjës;
- vrasjen në vitin 2000 të inspektorit të Policisë Kriminale, Klejdi Bano;
- vendosjen në vitin 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të Policisë së Rendit, Idriz Shuli;
- vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut;
- vendosjen në mars të 2005-s të eksplozivit në banesën e një punonjësi policie në rrugën “Don Bosko” në Tiranë;
- vendosjen e minës me telekomandë në makinën e ish-drejtorit të Policisë Kriminale, Xhavit Shala;
- vrasjen në vitin 2005 të biznesmenit Baki Taullau;
- disa vepra të tjera penale, të cilat janë në hetim; për vrasjen e ish-kryetarit të SHIK-ut të rrethit Lushnjë, Bashkim Shkurti; për vrasjen e ish-nënkryetarit të Bashkisë të qytetit Lushnjë, Drago Voshtima, vrasje këto të kryera në vitin 1998.
3 Dhjetor 2009