Juristët: Ligji i ri antimafia, si në kohën e komunizmit
Ndërsa projektligji për goditjen e krimit të organizuar pritet të kalojë në Parlament, mes debateve për kushtetutshmërinë e tij juristët propozojnë që drafti i njohur si ligji antimafia të rikthehet për një diskutim të gjerë me të gjithë aktorët e interesuar. Avokati Vladimir Meçe e shikon projektligjin e ri si një rrezik për çdo qytetar, aq më tepër kur sipas tij në Shqipëri ka përqindje të lartë të ekonomisë informale. “Ka shumë handikape që janë të lidhura edhe për faktin se ky ligj krijon kolaps dhe një konfuzion në procedurat e takimit. Mbi 80 për qind e shtetasve shqiptarë nuk janë në gjendje që të vërtetojnë se prona është e tyrja”, - u shpreh Meçe. Duke risjellë në kujtesë ligjin e 2004-s antimafia, avokati e krahason projektligjin e ri me një ligj të kohës të komunizmit, menjëherë pas çlirimit, kur qeveria, për të kontrolluar pasuritë e shtresës së pasur, aplikoi tatimin e jashtëzakonshëm. “Rreziku që vjen nga ky projektligj nga drafti i paraqitur i hap rrugë abuzivizmit. Ky ligj është i ngjashëm me ligjin mbi tatimin e jashtëzakonshëm, nxjerrë nga qeveria pas Luftës së Dytë Botërore”, - u shpreh Meçe. Këtë draft e ka kritikuar edhe opozita, si një përpjekje të qeverisë për të ushtruar presion mbi biznese apo individë që nuk janë në kontrollin e saj.
3 Dhjetor 2009