E Hënë, 2 Nëntor 2026

Agjencia e Pronave ndan këtë javë fondin 1.2 miliardë lekësh për ish-pronarët



Agjencia e Pronave pritet këtë javë të ndajë fondin prej 1.2 miliardë lekësh për kompensimin financiar të ish-pronarëve për vitin 2009. Ky fond ishte parashikuar të ndahej më 15 tetor, por afati u shty për shkak se qeveria parashikoi rritjen e fondit. Nga 600 miliardë lekë që ishte parashikuar ky fond për vitin 2009, qeveria miratoi disa ndryshime në buxhetin e vitit 2009 duke rritur këtë fond në 1.2 miliardë lekë. “Në zbatim të ligjit ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’, i ndryshuar; VKM-së ‘Për përcaktimin e rregullave dhe kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, të pronarëve, në të holla, për vitin 2009’, dhe bazuar në Nenin 60, të ‘Kodit të procedurave administrative’, njoftojmë të gjithë aplikuesit për kompensim në të holla nga fondi në të holla i vitit 2009, se Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, më datë 14.10.2009 ka vendosur, me Vendimin e ndërmjetëm Nr. 535, dt. 14.10.2009, shtyrje me 30 ditë të afatit procedural të trajtimit dhe daljes me vendim përfundimtar për të gjitha dosjet e kompensimit të vitit 2009”, - shkruhet në vendimin e marrë nga Agjencia e Pronave. Burimet nga kjo agjenci kanë bërë publike për gazetën se fondi pritet të ndahet më 15 nëntor.
Verifikimet
Zyra e AKKP-së në qendër dhe zyrat rajonale, në bazë të vendimit të qeverisë, gjatë kësaj periudhe kanë shqyrtuar dokumentacionin e paraqitur nga ish-pronarët që kërkojnë kompensim në të holla. Zyrat rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronave kanë verifikuar dosjet dhe vendimet përkatës, të dhëna nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose nga AKKP-ja, si dhe vendimet e tjera për çdo subjekt të shpronësuar. Agjencitë rajonale kërkojnë nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme që brenda 10 ditëve të konfirmojnë vlefshmërinë e regjistrimit të vendimit përkatës në ZVRPP, si dhe verifikimin e ndryshimit të gjendjes juridike të pronës nga çasti i daljes së vendimit të paraqitur nga subjekti përkatës, apo verifikimin e regjistrimit dhe të ushtrimit të së drejtës së parablerjes. Zyra e AKKP-së në qendër shqyrton dokumentacionin e zyrave rajonale, përgatit vlerësimin ligjor të kompensimit, harton relacionin përkatës, merr vendimin për pranimin apo refuzimin e kërkesës për kompensim të subjektit të shpronësuar, i dërgon subjektit të shpronësuar, Avokatit të Shtetit dhe zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kopje të vendimeve të marra, për t’u dhënë mundësi të ushtrojnë kompetencat ligjore, si dhe shpall listën e subjekteve fituese. Më pas ajo kryen veprimet me thesarin dhe bankën për kalimin e fondit të kompensimit në të holla, në emër të subjektit të shpronësuar, përfitues të kompensimit, apo përfaqësuesit të tij me prokurë.
Përfituesit
Për fondin prej 1.2 miliardë lekësh të parashikuar për vitin 2009 kanë aplikuar mbi 600 pronarë. Por ende nuk bëhet e ditur nga AKKP-ja se sa do të jetë numri i fituesve për këtë vit, pasi sipas tyre, numri i përfituesve do të varet nga data e vendimeve të dhëna nga Agjencia e Pronave dhe nga vendndodhja e pronave që kërkohet të kompensohet. Sa më shumë aplikime të jenë nga Tirana, aq më pak përfitues do të ketë, sepse gjithçka varet nga çmimi i tokës. Nëse sipërfaqet që do të kompensohen do të kenë çmim të lartë, atëherë numri i përfituesve do të jetë i ulët, bëjnë të ditur drejtues të AKKP-së.

Kompensimi financiar i pronarëve do të zgjasë deri në vitin 2015

Afati për kompensimin financiar të pronarëve është viti 2015. Kjo përcaktohet në Nenin 23 të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”. Në këtë nen theksohet se “duke filluar nga viti 2005 dhe për një periudhë 10-vjeçare resht, Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, cakton fondin e kompensimit, i cili administrohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensimin në të holla të subjekteve të shpronësuara”. Në këtë nen bëhet e ditur se për periudhën nga njohja e së drejtës së pronësisë deri në marrjen e shpërblimit subjekti i shpronësuar përfiton edhe interesin bankar sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë. Ky ligj ka caktuar një afat edhe për shpërndarjen e këtij fondi parash që ka vendosur qeveria nga buxheti i shtetit. “Ekzekutimi i vendimit për kompensim financiar kryhet brenda 6-mujorit të parë të çdo viti financiar. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat dhe kriteret për trajtimin e vendimeve të kompensimit financiar”, - theksohet në Nenin 17 të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës.

Çfarë parashikon programi afatmesëm

Sipas programit, politikat konsistojnë në njohjen dhe respektimin e të drejtave të pronësisë së subjekteve të shpronësuara nëpërmjet njohjes së pronës, kthimit dhe kompensimit fizik e financiar. “Realizimi i procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave do të përcaktohet në një kohë sa më të shkurtër dhe kthimi fizik i pronës do të bëhet në kufijtë maksimalë aty ku është e mundur dhe në pamundësi kompensimin e saj sipas formave të përcaktuara në ligj, kompensim fizik ose kompensim financiar”, - thekson dokumenti. Ky program do të shoqërohet edhe me rivlerësim të përvitshëm të treguesve të hartës së vlerës së tokës, ku përcaktohet vlera në lekë për metër katror sipërfaqe trualli për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke iu përshtatur çmimit të tregut për një vlerësim sa më real të pronës. Për lehtësimin e kushteve të punës së administratës së Agjencisë së Kthimit të Pronave dhe miradministrimit të saj është përcaktuar edhe plotësimi me pajisjet e nevojshme për të garantuar cilësi në dokumentacion. E gjithë kjo bëhet me qëllim arritjen e standardeve të politikës së programit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke u mbështetur në politikën e qeverisë për integrimin në BE.

Kompensimi financiar sipas radhës kronologjike

Sipas vendimit, subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur e gjitha për kompensim, do të kompensohen sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, nga kthimi fizik i pjesshëm i pronës, nga e drejta e parablerjes dhe nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501. “Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone. Kompensimi të bëhet vetëm për deri 200 m2 të sipërfaqes truall, të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet”, - shkruhet në vendimin e qeverisë. Procesi i aplikimit do të jetë i hapur edhe për të gjithë ata që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e procesit të aplikimit për kompensim financiar. Në të njëjtën kohë, personat që kanë dokumentacion të mangët sa i përket hartografive, mund të paraqiten në çdo moment pranë kësaj agjencie me një kërkesë për saktësimin e hartave. Vetëm kështu ata mund të kenë mundësi që të riklasifikohen për t’u trajtuar me kompensimin financiar të radhës.

9 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›