Evazioni, Tatimet humbasin në muajt e fundit 2.4 miliardë lekë në 5 qarqe
Ervin KOÇI
Administrata Tatimore i ka shkaktuar humbje të mëdha financiare buxhetit të shtetit si pasojë e abuzimeve të shumta që janë shkaktuar prej punonjësve të saj. Në shumë qarqe të vendit janë konstatuar abuzime dhe shkelje të mëdha të kryera në bashkëpunim mes zyrtarëve të tatimeve dhe shefave të tyre duke favorizuar subjektet private në shmangien e detyrimeve fiskale. Vetëm në 5 qarqe të vendit pas hetimeve tatimore janë konstatuar abuzime dhe shkelje në dëm të buxhetit të shtetit në shumën prej 2.4 miliardë lekësh. Përveç raportit më të fundit të KLSH-së, i publikuar ditët e fundit, konstatimin e kanë bërë dhe verifikimet që Drejtoria e Hetimit Tatimor ka realizuar kohët e fundit. Nga të dhënat e fundit konstatohet se Administrata Tatimore është kthyer në një “gropë të zezë” për sa i përket grumbullimit të të ardhurave nga taksat dhe tatimet. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në agjencitë rajonale të shërbimit tatimor në Durrës, Korçë, Fier, Lushnjë, Lezhë, Librazhd dhe Krujë, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm që i përket muajve të fundit dhe që kap shumën e 2.4 miliardë lekëve në total. Këto humbje janë shënuar si pasojë e mospagesës së detyrimit të TVSH-së nga subjektet, e mospagesës së gjobave, e mosdeklarimit të bilanceve, etj.
Masat administrative
Ndër masat më të rënda ndëshkuese të kërkuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është ndjekja penale për 16 zyrtarë të lartë të administratës shtetërore. Prej tyre, 10 janë punonjës të administratës tatimore, të cilët kanë kryer abuzime duke shfrytëzuar funksionin e punës. Kallëzimi penal për tatimorët është bërë në pjesën e parë të vitit, duke ia kaluar për hetim prokurorisë. Pesë prej tyre ishin të degës rajonale Korçë, kurse të tjerët e ushtronin e aktivitetin në Durrës dhe Pogradec. Sipas KLSH-së, personat në fjalë kanë shpërdoruar detyrën, duke shkelur nenin 248 të Kodit Penal. Nga provat materiale, të 10 punonjësit e administratës tatimore i kanë shkaktuar shtetit një dëm që e kapërcente shifrën e 1.6 miliardë lekë. Të tjerë zyrtarë të kallëzuar penalisht punonin në Bashkinë Rrashbull, Durrës, në Luz të Vogël, Kavajë dhe në Drejtorinë e Pyjeve, Lezhës. Ndërkohë, kanë qenë 687 masat e propozuara të karakterit administrativ për autorët e shkeljeve, abuzimeve apo keqpërdorimeve të fondeve e pasurive shtetërore, shumicën e të cilave e përbëjnë vërejtjet me shkrim apo ato me paralajmërim për pushim nga puna.
Padia, KLSH humb gjyqin me Tatimet
Gjykata e Apelit ka rrëzuar padinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndaj një urdhri të drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve që nuk lejonte kontrollin e drejtpërdrejtë që disa inspektorë të KLSH-së kishin ushtruar ndaj biznesit. Urdhri i lëshuar në muajin qershor nga kreu i Tatimeve, ndalonte në mënyrë kategorike përcjelljen e informacionit mbi bilancet e biznesit te KLSH-ja. Këtë urdhër, KLSH-ja e paditi në gjykatë, por e humbi. Lajmin e konfirmoi dje Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, e cila ishte ankuar kohë më parë për abuzime dhe presion të KLSH-së në dëm të biznesit. "Më shumë se 2 muaj më parë, disa inspektorë të KLSH-së ushtruan kontroll dhe mbajtën 105 procesverbale që çuan në penalizimin e padrejtë të biznesit, për detyrime gjatë viteve 2005, 2006, 2007 dhe 2008",- thotë Lulzim Keta, përfaqësues i Dhomave. Duke u mbështetur në pikën 1 të nenit 14 të ligjit "Për procedurat tatimore", Drejtoria e Tatimeve nxori një urdhër të brendshëm për të mos lejuar vazhdimin e kontrolleve të tilla nga KLSH-ja, sepse "administrata tatimore është autoriteti i vetëm tatimor ne Republikën e Shqipërisë, çka do të thoshte që asnjë punonjës i KLSH-së apo auditit nuk ka të drejtë të komunikojë apo të verifikojë dokumentacionin dhe mjediset e tatimpaguesve (biznesit). "Po kështu, sipas nenit 25 të ligjit, dokumentacioni dhe informacioni i tatimpaguesve është konfidencial", ishte argumentimi i urdhrit.
Punonjësit e “ARMO”-s të indinjuar për fatin e Rezart Taçit
Në emër të 1798 punonjësve të “ARMO”-s, “Taçi Oil International” dhe “Kuid”, shprehim indinjatën tonë për akuzat absurde me të cilat fatkeqësisht po përballet aksioneri dhe drejtuesi i kompanive të Grupit tonë, z. Rezart Taçi. “Këto akuza nuk identifikohen aspak me figurën morale dhe formimin e tij si një person me integritet të lartë dhe jokonfliktual. Ne dënojmë me forcë këtë përbaltje të personit të tij dhe këtë goditje të qëllimshme që i behet Grupit më të madh industrial në Shqipëri. Suksesi 6 vjeçar i kompanisë ‘Taçi Oil’ dhe më pas i kompanisë “ARMO”, është kontribut i drejtpërdrejtë i z. Rezart Taçi dhe i vlerave të tij njerëzore dhe sipërmarrëse. Me keqardhje konstatojmë që këto vlera humane dhe intelektuale të tij, po përpiqen ti përbaltin segmente të caktuara për interesat e tyre të ulëta. Bazuar në parimin që shtypi është informues dhe jo shpifës, konfirmojmë që çdo akuzë e paraqitur këto ditë dhe në të shkuarën mbi kompaninë tonë dhe z. Rezart Taçi, janë absolutisht të pabazuara. Ne jemi këtu sot për të shprehur besimin tonë se Organet e Drejtësisë do të marrin vendimin e duhur dhe nuk do të ndikohen nga presioni i grupeve të interesuara për të goditur dhe dëmtuar biznesin dhe mbijetesën e familjeve tona”,- thuhet në këtë deklaratë.
Konflikti Baze-Taçi, Dhoma e Tregtisë kërkon mbrojtjen e biznesit
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë shprehu dje qëndrimin mbi incidentin “Taçi-Baze” duke kritikuar dhunën por dhe vlerësuar të papranueshëm, burgimin e Taçit dhe akuzuar median se po shipf vazhdimisht ndaj biznesmenëve. Kryetari i papranuar nga qeveria i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, deklaroi mesditën e djeshme, se ka ndjekur gjithë këto ditë me shqetësim situatën pas incidentit të ndodhur në një nga lokalet e kryeqytetit mes sipërmarrësit Rezart Taçi dhe botuesit Mero Baze. “Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë është në mënyrë të padiskutueshme kundër çdo lloj dhune të ushtruar ndaj çdo qytetari në çfarëdo rrethane, e aq më tepër kur bëhet fjalë për median e lirë”. “Por nga ana tjetër, - vijoi Jaka, - nuk mund të jemi indiferentë ndaj faktit se njëri prej sipërmarrësve të njohur të vendit sot është në qeli, pa menduar pasojat ekonomike qe mund te sjellë kjo situatë. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë si përfaqësuesja legjitime e biznesit, - theksoi Jaka, - e sheh të arsyeshme që sot më shumë se kurrë duhet të mbrohen njëlloj dhe me të njëjtin seriozitet si të drejtat e biznesit ashtu dhe të drejtat e mediave.
“Ne jemi kundër çdo lloj abuzimi me lirinë e mediave, jemi kundër cenimit të integritetit të kujtdo e aq më tepër të sipërmarrësve të cilët edhe për misionin që kanë marrë, shpesh bëhen pre e abuzimeve. Për këtë arsye, ne i bëjmë thirrje, por dhe e inkurajojmë organet kompetente që të jenë sa më të drejta në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe në vendimet që duhet të marrin”, - apeloi z.Jaka. Ai vlerësoi më tej se biznesi ka rol vendimtar dhe të padiskutueshëm në zhvillimin dhe integrimin e shoqërisë shqiptare.
7 Nentor 2009