Bllokimi i hidrovorit përmbyt 300 banesa në Durrës
DURRËS – Mosfunksionimi normal i sistemit të pompave për shkarkimin e ujit ka sjellë përmbytjen e pjesës më të madhe të qytetit të Durrësit dhe rrethinat e tij. Shirat e rënë gjatë natës dhe ditës së djeshme kanë përmbytur të paktën 300 shtëpi dhe kanë sjellë dëme të mëdha për familjet dhe bashkinë e qytetit bregdetar. Uji ka arritur të mbulojë garazhet dhe katet e para të banesave në zonat e ish-Kënetës, në Spitallë dhe në Shkozet. Prefekti i qytetit të Durrësit, Genc Alizoti, tha se shtabi i emergjencës ishte mbledhur gjatë orëve të natës për të marrë masat për të përballuar situatën.
Përmbytja
“Shiu që ka rënë mbrëmë nuk është parë prej kohësh. Lagjet më të dëmtuara janë ato në pjesën e hyrjes së portit dhe në lagjen “30 Dhjetori”, - tha kreu i Prefekturës, Alizoti. Ka pasur përmbytje në zonën e ish-Kënetës dhe në Spitallë”, - deklaroi zozi Alizoti. Shumë banesa janë dëmtuar, ndërsa uji ka hyrë dhe në godinat e 2 shkollave në Porto Romano dhe në shkollën “Olsi Lako” në Shkozet. Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në zona të tjera të këtij qarku. Konkretisht, ka pasur probleme në disa fshatra të Krujës, si në Murqinet dhe Mallkuq, ndërsa ka banesa të përmbytura edhe në fshatrat Miliskaj, Mazhe. Shkak i përmbytjeve mësohet se kanë qenë bllokimi i kanaleve kulluese. Sipas të dhënave, në rrethin e Krujës rreth 500 hektarë tokë janë të përmbytur. Zonat më problematike janë komunat Bubq, Thumanë dhe Bashkia e Fushë-Krujës.
Shkaku
Shkak i përmbytjes ka qenë mosfunksionimi i kolektorit të shkarkimit të ujërave, që ka bërë që uji i grumbulluar të vërshojë jashtë shtratit të kanalit të shkarkimit në Spitallë dhe të përmbysë zonat përreth. Prefekti shpjegon se shkak për mosfunksionimin e kolektorit ka qenë mungesa e energjisë për një orë, gjatë natës, kur dhe reshjet e shiut kanë qenë shumë të dendura. Gjithashtu kolektori ishte bllokuar për shkak të mbetjeve plastike dhe mbetjeve të tjera inerte që banorët kishin hedhur duke bërë që kolektori të mos bëjë shkarkimin e ujit, por ta kthejë atë sërish mbrapsht. “Nuk është bërë pastrimi i plotë i kanalit, për shkak dhe të ndërtimeve pa leje që janë ndërtuar mbi kolektor, kjo ka bërë që uji të dalë nga shtrati”, - tha prefekti i Durrësit. Shtabi i emergjencës është mbledhur edhe gjatë ditës së djeshme për të bërë dhe verifikimin e dëmeve, si dhe masat që duhen marrë për të përballuar situatën. Ndërkohë, një grup pune është ngritur për të shkuar në zonat e përmbytura për të bërë dhe verifikimin e dëmeve.
Tre persona në rrezik, rrjedha e lumit rrëmben makinën
GRAMSH - Rrëmbehet nga rrjedha e lumit një makinë, e cila po kalonte lumin e fshatit Sojnik në rrethin e Gramshit. Mungesa e një ure në lumin e fshatit Sojnik ka detyruar drejtuesin e mjetit të futë makinën në lumë për të kaluar në anën tjetër të tij. Prurjet e shumta të lumit për shkak të reshjeve të rëna pa pushim ditët e fundit kanë rrëmbyer makinën me 4 persona brenda saj. Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se njëri prej pasagjerëve ka mundur të hidhet nga makina, ndërsa 3 persona të tjerë ndodhen brenda saj në rrezik për jetën. Makina tip fuoristradë me targa të Lushnjës është përmbysur, ndërsa rrjedha e lumit është shumë e rrëmbyeshme. Mësohet se personat që udhëtonin me automjet ishin dasmorë që udhëtonin nga Griba në drejtim të Gramshit. Në operacion për shpëtimin e tyre kanë marrë pjesë forca policore, të cilat kanë arritur që ti nxjerrin nga zona pasagjerët e rrezikuar.
Dhjetëra banesa dhe 1700 hektarë tokë përmbyten në Kurbin dhe Lezhë
LEZHË - Mbi 1700 hektarë tokë dhe të paktën 10 banesa janë përmbytur në rrethet e Lezhës, Shëngjinit dhe të Kurbinit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në komunë e Shëngjini të rrethit të Lezhës janë përmbytur disa banesa si pasojë e rënies së reshjeve të shiut gjatë 36 orëve të fundit. Sipas banorëve, disa shtëpi që ndodhen në hyrje të Shëngjinit, fare pranë Knallës, janë mbuluar nga uji. Në Lezhë janë mbi 1000 ha tokë e përmbytur. Situata më problematike është në Balldren, fushën e Torrovicës si dhe komunat Kolsh dhe Zejmen. Edhe në fushën e Kurbinit vazhdojnë të jenë nën ujë rreth 700 hektarë tokë, ndërsa kanalet kulluese janë bllokuar për shkak të punimeve në autostradë.
Reshjet bllokojnë aksin Rubik-Rrëshen
MIRDITË - Reshjet e rëna gjatë 24 orëve të fundit kanë bllokuar rrugën që lidh Rubikun me qytetin e Rrëshenit. Mbledhja e materialeve inerte dhe ndërtimet e objekteve në afërsi të rrugës ka bërë që në një segment prej dy kilometrash, shirat kanë bllokuar rrugën kombëtare. Kjo solli edhe bllokimin e trafikut për disa orë. Kryebashkiaku i Rubikut, Mark Uruçi, ka kërkuar ndihmën e subjekteve private për të hapur aksin rrugor.
Bllokohen 7 fshatra në Kurbin, dëmtohet rruga
KURBIN - Shtatë fshatra të malësisë së Kurbinit janë bllokuar si rezultat i reshjeve të rëna gjatë mbrëmjes së premte dhe paradites së djeshme. Rruga që lidh Milotin me fshatrat e largët është dëmtuar, duke u bërë e pakalueshme. Prurjet e lumit të Vinjollit dhe Gallatës kanë shkatërruar bazamentin e rrugës, si dhe kanë dëmtuar disa ura të vogla në atë zonë. Autobusi i linjës dhe dy furgonë e kanë pasur të pamundur për të kaluar në aksin e dëmtuar. Sipas Mark Ndrecës, banorë i fshatit Gallatë të Kurbinit “reshjet që kanë rënë që pas viteve 90- kanë dëmtuar rëndë vazhdimisht këtë aks rrugorë, ndërsa dje rruga është bllokuat plotësisht. Segmenti rrugorë Milot – Malësi e Kurbinit lidh fshatrat Vinjoll, Gallat, Gënac, Skuraj, Mal Bardhë, Shkopet dhe Ferrë Shkopet.
9 Nentor 2009