Prona në qendër të Tiranës, ministri Nishani pranon grabitjen nga qeveria
Ervin KOÇI
Prona në qendër të kryeqytetit për të cilën ka nisur një debat i gjatë mes pronarëve të ligjshëm të saj dhe qeverisë, ka nxjerrë në dritë të tjera fakte. Këto tregojnë se kjo pronë i përket pa asnjë mëdyshje pronarëve të ligjshëm që janë familja Kika dhe Komuniteti Mysliman. Këtë gjë e pranon edhe vet Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili vetëm dy ditë më parë është përpjekur të sqarojë dy vendimet kundërshtuese që qeveria e tij ka marrë. Sipas ministrit, vendimet një herë ia kanë dhënë pronën në qendër e Tiranës Komunitetit Mysliman dhe një vit më pas ja kanë marrë sërish. Nishani sqaroi në Kuvend se kufijtë e truallit që u kompensua ky komunitet ishin të manipuluara. Me këtë argument, sipas Nishanit, qeveria shfuqizoi vendimin e vitit 2007 që ia jepte të drejtën e pronës Komunitetit Mysliman dhe mori vendimin e ri që ia merrte atë sërish. Por në se do ti referohemi datave se kur kjo pronë iu kthye këtij komuniteti dhe kur ajo është regjistruar në hipotekë rezulton se falsifikatorët e vërtetë janë vetë zyrtarët e administratës shtetërore, pasi të gjitha këto veprime janë kryer në gjatë mandatit të qeverisë “Berisha 1”.
Reagimi
Komuniteti Mysliman ka reaguar ndaj mungesës së seriozitetit të treguar nga qeveria “Berisha” në lidhje me këtë situatë, ku një pronë e tyre e njohur ligjërish mohoet sërish prej saj. Ata hedhin poshtë çdo deklaratë të ministrit Nishani njëherazi dhe kryeministrit se kufijtë e kësaj prone janë falsifikuar. Sipas zyrtarëve të këtij komuniteti, kryeministri Berisha këshillohet nga njerëz të gabuar. “Ne si komunitet jemi gati për ballafaqim s’ka falsifikime në këtë pronë dhe qeveria nuk u tregua serioze. Na i bëri dhuratë dhe më pas na i mori”, - thotë një prej përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Por ndryshe nga pretendimet e zyrtarëve të Komunitetit, kryeministri Berisha, u shpreh se do ta nxjerrë në ankand tokën që ju mori Myslimaneve dhe me fondin që do të mblidhet do të kompensojë pronarët realë. Por edhe në këtë pikë Myslimanët kërkojnë të sqarohen, pasi për ta mënyra më e mirë e kompensimit do të ishte pikërisht kthimi fizik i kësaj prone.
Mosmarrëveshjet
E gjithë kjo situatë u krijua kur me një shpejtësi të paargumentuar gjatë muajit tetor të këtij viti, qeveria shfuqizoi vendimin që ajo vetë e mori në vitin 2007. Në vitin 2007, kryeministri Berisha kompensoi Komunitetin Mysliman me një sipërfaqe toke prej 1186 metra katrorë në mes të Tiranës, e cila u përkiste ligjërisht atyre. Por në vitin 2009 kryeministri Berisha anuloi vetveten dhe ai mori sërish pronën duke e shtetëzuar atë në mënyrë krejt të pakuptimtë. Këto vendime kontradiktore kanë një qëllim të vetëm, të dëmtonin pronarët dhe investitorët e ligjshëm të këtij trualli, për të cilin ka edhe një leje ndërtimi të dhënë nga Bashkija e Tiranës që në vitin 1996.
Lulishte apo pallat, dilema mbetet e hapur
Konflikti mes qeverisë dhe bashkisë për truallin në qendër të Tiranës, ku qeveria tha se është pronë shtetërore dhe bashkia pronë private, mori një përmasë të re pas deklaratës së kryeministrit se së shpejti do ta nxjerrë në ankand për shitje. Deputeti socialist, Eduart Shalsi, thotë se qeveria kishte si qëllim jo lulishten por kalimin e kësaj prone nga duar të ligjshme në ato të paligjshme. “Fillimisht u deklarua se trualli do të kthehej në lulishte, ndërkohë që pas fshiheshin qëllime krejt të tjera”,- tha deputeti Shalsi. Ai përforcon idenë kur thotë se, “natyrisht që blerësi nuk ka për qëllim ta mbajë lulishte pasi qeveria ‘Berisha’ e ka gjetur Fazllicin e radhës për këtë pronë”. Një rast të ngjashëm por invers deputeti Shalsi e tregon në një nga zonat periferike të kryeqytetit, pikërisht në zonën e quajtur “Bregu i lumit”, te ish-uzina Dinamo. Këtu thotë ai “nga truall shtetëror, i planifikuar për shkollë 9-vjeçare dhe të mesme, qeveria e kthen në truall privat ku nuk dihet as emri i pronarit dhe as dokumentet që verifikojnë pronësinë”. PS-ja përmes deputetit, Eduart Shalsi, vijon kështu një debat të nisur në fillim-javë në qendër të Tiranës, ku dy policitë ajo Bashkiake dhe e Shtetit u përplasën për truallin në qendër. Por situata sërish mbetet e paqartë dhe e pazgjidhur.
Vlera e truallit në qendër, maksimumi 10 milionë euro, jo 112 milionë
Kryeministri Berisha ka treguar dy ditë më parë edhe paaftësinë e tij për të bërë llogari matematikore kur ka llogaritur vlerën e truallit në qendër të Tiranës, për të cilin vijon bllokimi nga ana e shtetit. Sipas kryeministrit Berisha, prona në qendër të kryeqytetit, e cila po kërkohet nga pronarë që kanë falsifikuar dokumentet, ka një vlerë që shkon në 112 milionë euro, sikur ai të shitej me 2000 euro për metër katror. Por, në fakt, trualli ka një sipërfaqe totale prej 5 mijë metrash katrorë që po ta shumzosh me 2000 uro për merët katror nuk shkon më shumë se 10 milionë euro, dhe jo aq sa pretendon kryeministri, i cili kërkon ta hedhë këtë pronë në ankand. Me këto vendime që kundërshtojnë njëra-tjetrën kryeministri Berisha nuk ka qëllim tjetër veçse të pengojë zhvillimin ekonomik dhe të zgjerojë më tej kaosin që mbizotëron në çështjen e pronave. Këtë e tregon edhe indiferenca e qeverisë për të dëgjuar zërin e ish-pronarëve, si dhe mungesa e përpjekjeve për të kompensuar këtë shtresë. Krahas kësaj, qeveria, me gjithë premtimet e bëra, e ndërlikon edhe më tej çështjen e pronave duke u futur në konflikt me pronarët e ligjshëm dhe duke kërkuar zaptimin e pronave private.
7 Nentor 2009