E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agjencia e Pronave pret vendimin e qeverisë për kompensimin financiar

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është në pritje të vendimit të qeverisë, për të ndarë fondin prej 500 milionë lekësh ndaj ish-pronarëve. Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Genc Cela, deklaroi dje se ky autoritet është në prite të dritës jeshile nga qeveria. “Shpërndarja bëhet sipas kritereve që do përcaktojë vendimi i Këshillit të Ministrave që ende s’ka dalë. Por unë nuk di të ketë një vendim të zbardhur të Këshillit të Ministrave për këtë punë. Pra është ende në varësi të thesarit, nuk ka kaluar tek ne”, - tha Cela. Në rast se qeveria nxjerr brenda vitit vendimin, i cili do të zhbllokojë fondin, sipas zëvendësdrejtorit Cela, kriteret e përfitimit mund të jenë të ngjashme me ato të viteve 2006-2007. Deri në prite të këtij vendimi, AKKP-ja po mbledh dokumentacionin nga subjektet e shpronësuara që kërkojnë kompensim. Subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007, dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008. Do të jetë zyra e AKKP-së në qendër, në bashkëpunim me zyrat rajonale, që do të shqyrtojë dokumentacionin e subjekteve, që kërkojnë kompensim. Kjo zyrë do të verifikojë dosjen dhe vendimin përkatës, të dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendimet e tjera për këtë subjekt të shpronësuar. Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara, në zbatim të këtij vendimi, sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit financiar dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale, sipas ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›