E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria ul 15 për qind taksën e sigurimeve shoqërore

Qeveria “Berisha” ndërmerr një tjetër hap të rëndësishëm në fushën e reformave fiskale duke ulur sërish barrën fiskale mbi sipërmarrësit. Brenda dy viteve, qeveria ul në mënyrë drastike me 25 për qind taksën e sigurimeve shoqërore që subjektet private duhet të paguajnë për punonjësit e tyre. Nga 1 janari i 2009-ës tarifa e re që do të paguhet bëhet vetëm 15% dhe kjo është e dyta ulje brenda dy viteve. Kryeministri Sali Berisha bëri dje të njohur faktin se kjo ulje lehtëson barrën fiskale për sipërmarrësit shqiptarë dhe ata të huaj. Para anëtarëve të kabinetit qeveritar ai shprehu besimin se ky vendim do të mirëpritet nga biznesi, si ai vendas, ashtu dhe i huaj. Kryeministri e cilësoi si një hap shumë të rëndësishëm në revolucionin fiskal të ndërmarrë nga qeveria e tij, teksa kujtoi se bashkë me reformën e pensioneve janë hapat më të rëndësishëm për programin e qeverisë që ai drejton. Në këtë mënyrë sipërmarrësit në Shqipëri, të cilët dy vjet më parë paguanin 31 për qind sigurim shoqëror për të punësuarit, më 1 janar të vitit 2009 do të paguajnë gjithsej 15 për qind. Kryeministri Berisha vuri në dukje se "qeveria uli 2 vjet më parë në 31% sigurimet shoqërore, duke ndikuar në këtë mënyrë ndjeshëm në koston e prodhimit dhe duke ulur barrën fiskale mbi sipërmarrësit". Ndërkohë që ai pohoi se tashmë “qeveria do të bëjë hapin e dytë madhor, duke ulur me 25 për qind më tej sigurimet shoqërore". Ky vendim, sipas tij, u bë i mundur për shkak të konsolidimit progresiv të disiplinës fiskale në Shqipëri nga autoritetet përgjegjëse, si dhe për shkak të rritjes së të ardhurave nga sigurimet shoqërore me mbi 33 për qind. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha theksoi se "qëllimi i kësaj qeverie është para së gjithash barazia, liria e tregut dhe trajtimi i barabartë i bizneseve". Sipas tij, "me këto hapa është arritur një thellim madhor i revolucionit të pandërprerë fiskal në Shqipëri".

“Ky zhvillim, - tha Kryeministri Berisha, - i paraprin dhe shtron themelet për një reformë tjetër themelore për çdo vend, reformën e pensioneve, e cila është një reformë e pashmangshme dhe një reformë e domosdoshme për ta vendosur këtë sistem mbi baza të reja”. Sipas tij, ky vendim është dëshmi e shkëlqyer e suksesit të filozofisë sonë ekonomike dhe vetëm suksesi i kësaj alternative do të mund të shprehej me vendime të tilla, si taksa të ulëta dhe qeveri e vogël. Shefi i qeverisë pohoi se të gjithë treguesit dëshmojnë se rritja është më dinamike se asnjëherë më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›