E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Socialistët, përtej kufijve të vjetër të së majtës e së djathtës

Lideri i selisë rozë, Edi Rama, ka komentuar ditën e djeshme shifrat dhe bilancin 7-mujor që paraqiti Kryeministri Berisha. Sipas Ramës, ky bilanc nuk është real dhe sipas tij, politikat e qeverisë kanë dështuar. Rama tha se vendit i duhet politikë e re, por nuk specifikoi se çfarë apo si. Në deklaratën e tij, Rama bëri të qartë se socialistët dhe progresistët do të bëjnë një Shqipëri normale, përtej kufijve të politikës aktuale të majtë apo të djathtë qoftë ajo. “Këtë rrugë do ta hapim ne, socialistët e progresistët shqiptarë, me bashkimin e ri të të gjithë atyre që duan një Shqipëri normale, përtej kufijve të vjetër të së majtës e së djathtës, për vete e për fëmijët e tyre”, - tha Rama. Më tej ai shtoi se kjo do të arrihej nëpërmjet politikës së re. "Por, pa ndryshuar pozitivisht vetë politika shqiptare dhe raporti i saj me qytetarin, s'mund të mjaftojë as ndryshimi i domosdoshëm i qeverisë vitin e ardhshëm. Ja pse na duhet të gjithëve politika e re, largpamëse dhe e matur, forcë e arsyes dhe jo arsye e forcës”, - tha Rama. Duke komentuar bilancin e qeverisë, Rama tha se “në këto shifra lexohet fare qartë se sa larg është Shqipëria reale, e plagëve dhe halleve të mëdha, nga Shqipëria e broçkullave të pambarimta të Sali Berishës e të suksesit imagjinar të njeriut më të paaftë që e ka qeverisur atë ndonjëherë”. Kryetari i PS-së shtoi më tej se shifrat kanë ardhur duke u përkeqësuar në fushën ekonomike, si dhe shpenzimet qeveritare janë rritur. Ai iu referua një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që sipas Ramës, shqiptarët janë më të varfër sot. “Kjo është tejet shqetësuese në përgjithësi, por mjafton shembulli i rëndë për eksportet, të cilat për periudhën 2005-2007 arritën në rreth 24.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që në vendet me të ardhura të ulëta në të njëjtën periudhë ato zënë rreth 33.2%, ndërsa në vendet me të ardhura mesatare rreth 45.7% të PBB-së, pra, afro dyfishin e Shqipërisë. Ndërkohë paratë e shqiptarëve shpërdorohen rregullisht pa asnjë gajle për shpenzime qeveritare dhe rëndom pa asnjë sens rrugëve ajrore të planetit, ku pushtetarët tanë kuturisen qoftë edhe vetëm për të regjistruar a fotografuar një sekuencë shtrëngimi duarsh apo buzëqeshjeje reciproke korridoreve të botës”, - komentoi Rama bilancin e qeverisë. Një pikë tjetër, ku Rama u fokusua është edhe situata në zonat rurale. Sipas tij, fshati shqiptar është një plagë e cila po përkeqësohet. Ai tha se rritja e prodhimit bujqësor është një propagandë e qeverisë. “Në këtë tregues, të krahasuar qoftë me vendet me të ardhura të ulëta e qoftë me ato me të ardhura të mesme, del fare qartë se Shqipëria, jo vetëm mund e duhet të ketë një ritëm rritjeje ekonomike më të lartë në këtë fazë të ecjes së saj drejt një ekonomie tregu të konsoliduar, por edhe që Shqipëria sot është në duar të paafta dhe po humbet kohë shumë të çmuar në raport me zhvillimet ekonomike në Ballkan e në Evropë”, - shtoi Rama.

Axhemi: Duhet të normalizohet situata me librat shkollorë

Nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, deklaroi dje se situata me shpërndarjen e librit shkollor po rëndohet dita-ditës. Ai i kërkoi Ministrisë së Arsimit që të ndërhyjë dhe të normalizojë situatën. “LSI kërkon nga Ministria e Arsimit normalizimin e situatës së shpërndarjes së librit shkollor, duke krijuar lidhje urgjente të menjëhershme me drejtoritë arsimore në rrethe dhe me shtëpitë botuese, për të vendosur pika kontakti në çdo shkollë, në mënyrë që prindërit dhe fëmijët e tyre të mos sorollaten, por të marrin tekstet e duhura. Po kështu, MASH të rrisë kërkesën e llogarisë për shtëpitë botuese për dorëzimin në afat të librit shkollor. Turi i shiritave që priten disa herë nëpër Shqipëri, për të krijuar iluzionin e punës së madhe të qeverisë dhe të pushtetit vendor, për ndërtimin e mjediseve shkollore, nuk mund të mbulojë realitetin e hidhur që ndeshet në shumë zona të thella të Shqipërisë, ku gjendja e shkollave pa dyer, pa dritare dhe me çati gati duke rënë, është tejet e mjerueshme. Kjo tregon se edhe këtë vit si në vitet e mëparshme shumë fëmijë do të jenë të detyruar të mësojnë në kushte tejet të vështira”, - tha Axhemi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›