E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha “cakton” detyrat për Edi Ramën

Kryebashkiakut Edi Rama do t’i duhet të zbatojë vendimin më të ri të qeverisë “Berisha”, për dhënien me koncesion të parkimit nëntokësor në parkun “Rinia” dhe atë tek sheshi “Italia”. Ndonëse kundërshtarë politikë, Kryeministri Berisha autorizoi dje institucionin që drejton z. Rama, që të vërë në zbatim këtë vendim. Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien me koncesion vendor të parkimit nëntokësor në parkun “Rinia”, Tiranë, është Bashkia e Tiranës. Ndaj dhe qeveria miratoi dje bonusin prej 1 për qind të pikëve për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar), që i jepet shoqërisë “Taiwan” sh.p.k. Por një tjetër parkim nëntokësor në qendër të Tiranës do të jepet me koncesion. Bëhet fjalë për sheshin “Italia” pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Këshilli i Ministrave edhe për këtë parkim përcaktoi autoritetin kontraktues për dhënien me koncesion vendor. Dhe është sërish Bashkia e Tiranës autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien me koncesion vendor të parkimit nëntokësor, në sheshin “Italia”, pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Në këtë mënyrë u miratua dhe bonusi prej 1 për qind të pikëve për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar), që i jepet shoqërisë “Gener 2” sh.p.k. Dy vendimet e djeshme mbështeten në nenin 100 të Kushtetutës “Për koncesionet”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, z. Sokol Olldashi. Të dy këto parkime nëntokësore, në dy zona kyçe të Tiranës, konsiderohen si më të mëdhatë në kryeqytetin shqiptar, për t’u parë si zgjidhje konkrete për qytetarët. Ndaj dhe Këshilli i Ministrave autorizoi Bashkinë e Tiranës që të merret me zbatimin e këtij vendimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›