E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama akuzon Ramën: Do të prishë parkun “Rinia” për parkime

Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar kreun socialist Edi Rama se kërkon të prishë parkun “Rinia” për të ndërtuar parkime me koncesion. Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në LSI, Luan Rama, u shpreh se kryetari i bashkisë, Edi Rama, do të prishë parkun “Rinia”, edhe pse ky park u kthye në identitet disa vite më parë. Sipas Ramës, vendimi për të ndërtuar parkim në këtë park nuk është bërë i ditur, njëkohësisht nuk është miratuar një masterplan për këtë çështje. “Për shkak të një politike anti-qytetare, pas vendimit të fundit për ndërtimin e dy parkingjeve në parkun “Rinia” dhe përpara stadiumit “Qemal Stafa”, Tiranës mund t’i shtohen dy parkingje, që nuk janë më shumë se 500 metra larg njëri-tjetrit, por do t’i mungojë parku “Rinia” dhe pemët e tij, për të cilin u bënë tërë ato investime pas prishjes së kioskave për ta rikthyer në mjedis të gjelbër, Tiranës do t’i shtohen betoni dhe hekuri, por nuk do t’i zgjidhen problemet e mëdha të trafikut”, - tha Rama. Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë, Edi Rama, nuk ka pranuar të komentojë këtë deklaratë të LSI-së. Dita e tij sot si kryetar bashkie ka kaluar në inaugurimin e rikonstruksionit të shkollës “Ambrokli Kostallari”. Në lidhje me këtë projekt, Luan Rama i dërgoi dy pyetje liderit të selisë rozë. “LSI mbështet çdo nismë ligjore, institucionale, transparente dhe që çon në zgjidhje funksionale të problemeve të mëdha të trafikut në kryeqytet, por ndërkaq kërkon të dijë përse do të prishet parku “Rinia”? Cili institucion e ka miratuar një projekt të tillë dhe përse ky projekt nuk i bëhet i njohur publikut? Cilat janë projektet e paraqitura për dy parkingjet dhe mbi ç’bazë është bërë përzgjedhja e subjekteve?”, - tha Luan Rama. Sipas sekretarit të LSI-së, këto projekte nuk janë bërë ndonjëherë publike, ndonëse qytetarët e Tiranës kërkojnë të dinë se çfarë vendoset për përmirësimin e jetës së tyre. “Është në praktiken e funksionimit demokratik të qeverisjes vendore pjesëmarrja e komunitetit në vendimmarrje që lidhet me cilësinë e jetës së tyre, por qytetarët e Tiranës jo vetëm ndihen të përjashtuar nga e drejta për të diskutuar dhe për të qenë pjesë e vendimmarrjes në projektet që kanë të bëjnë me qytetin ku jetojnë, por në mënyrë paradoksale gjenden përpara faktit të kryer dhe përballë vendimesh të marra në mungesë të plotë të transparencës”, - shtoi në deklaratën e tij Luan Rama. Ndërkohë qeveria ka vendosur që Bashkia e Tiranës të jetë autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien me koncesion vendor të parkimit nëntokësor në parkun “Rinia”. Një tjetër parkim do të jetë edhe në sheshin “Italia” pranë stadiumit “Qemal Stafa”.

Ankesat e qytetarëve, ndjekje penale për faturistët

Drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Seit Dollapi, gjatë analizës së punës së 6-mujorit të parë të punës për 2008, paralajmëroi kontrolle në gjithë vendin për faturistët dhe ndëshkime jo vetëm formale për këta punonjës. Ankesat gjithnjë e në rritje ndaj faturuesve të energjisë elektrike, për mënyrën dhe saktësinë e leximit të matësve, kanë larguar nga puna dhe vënë në ndjekje penale disa prej tyre. “Janë larguar nga puna 37 lexues të energjisë, janë çuar për ndjekje penale 7 elektricistë dhe 2 lexues të energjisë. Kjo nuk do të thotë që ju keni të drejtë të dëmtoni punën e kompanisë, imazhin e kompanisë apo mënyrën e faturimit të energjisë”, - u shpreh Dollapi. Ndonëse në vitin 2008, në Shqipëri ende nuk ka një regjistër të saktë të të gjithë abonentëve, duke lënë jo rrallëherë jashtë faturimit subjekte të veçanta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›