E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekreton lëvizje gjeneralësh



Presidenti i Republikës ka dekretuar dje në postin e zv/shefit të Shtabit të përgjithshëm Gjeneral Brigade Zyber Dushku, ish-atasheu Ushtarak i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar. Po ashtu në vend të gjeneral Dushkut në Brigadën e Reagimit të Shpejtë është emëruar gjeneral brigade Viktor Bërdaj, që më parë kryente detyrën e zv/rektorit të Universitetit Ushtarak “Skënderbej”. Dekreti i radhës i Presidentit emëron në kryer të Komandës Mbështetëse të FA-së gjeneral Vladimir Qiriazin, që deri tani kryente detyrën e zv/komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
Postin e zv/shefit të shtabit e mbante më parë gjeneral brigade Agim Lala, i cili ka marrë po me dekret të presidentit një tjetër detyrë. Gjeneral Lala do të drejtojë tashmë Forcën e Bashkuar. Zyber Dyshku ka marrë gradën gjeneral brigade më 10 qershor pas një dekreti të Presidentit Bamir Topi. Gjeneral Dushku është 48 vjeç dhe i ka ngjitur shkallët e karrierës ngadalë deri sa ka mbërritur te ajo e Atasheut Ushtarak të Shqipërisë në Londër. Pa kësaj detyrë ai është emëruar drejtor i Drejtorisë së Operacioneve dhe Stërvitjes në Shtabin e Përgjithshëm dhe më pas komandant i Brigadës së Reagimit të Shpejtë. Një ushtarak që në karrierën e tij thuajse i ka provuar të gjitha detyrat. Që nga grada më e ulët, Lala ka një karrierë brilante. 51 – vjeçari mban gradën e gjeneral-brigade. Lala e ka filluar karrierën e tij ushtarake me detyrën e parë si komandant toge në Peshkopi, në vitin 1980. Më pas karriera e tij ka vijuar me drejtor i Departamentit të Operacioneve, Akademia e Mbrojtjes 2003-2004, zv/ komandant i TRADOK 2004-2006, Zv/komandant i Forcave Tokësore 2005-2006.

Box

Gjeneral brigade, Zyber Faslli Dushku

Datëlindja: 30.12.1960
Vendlindja: Dibër
Grada: Gjeneral brigade
Vendbanimi: Londër
Arsimimi
1980-1983: Akademia Ushtarake “Skënderbej”, Fakulteti i Specialiteteve
1989-1991: Akademia e Shtabit të Përgjithshëm
1994-1995: Kualifikim në Qendrën Evropiane “Xhorxh Marshall”, Gjermani
Gjuhë e huaj
Anglisht
Detyrat që ka kryer
1983-1989: Komandant nënreparti në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”
1991-1992: Komandant i batalionit të Infrastrukturës Ushtarake, Shijak
1992-1993: Instruktor për Xhenion në Ministrinë e Mbrojtjes
1993-1994: Pedagog në Akademinë e Mbrojtjes
1994-1997: Shef i arsimimit ushtarak në Akademi të Mbrojtjes
1997-2001: Shefi i Xhenios i Brigadës Shumëkombëshe të Evropës Juglindore, Bullgari
2001-2002: Shef i degës së standardizimit dhe ndërveprimit në Komandën e Doktrinave dhe stërvitjes
2002 e në vazhdim, atashe ushtarak në ambasadën shqiptare në Britaninë e Madhe

2 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›