Agjencisë së Prokurimeve i hiqet e drejta e hetimit
Qeveria ka shfuqizuar përmes një akti normativ disa nene të ligjit për "Prokurimet publike", përkatësisht nenet 65 dhe 66, të cilat lidhen me procedurat e hetimit administrativ. Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e monitorimit të sistemit të prokurimit. Më ligjin ekzistues, Agjencia e Prokurimit ka për detyrë që të monitorojë raportet e dorëzuara nga autoritetet kontraktore, të paktën çdo katër muaj, ndërsa në aktin normativ kjo ndryshon. "Agjencia e Prokurimit publik monitoron mbarëvajtjen e sistemit të prokurimit publik nëpërmjet informacioneve të marra nga raportet periodike të autoriteteve kontraktore, si dhe nga raportet e organit qendror blerës apo Avokatit të Prokurimeve. Procedurat e monitorimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave", përcaktohet në aktin e miratuar dje.