E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtrenjtohet shërbimi shëndetësor, inflacioni rritet në 3.2 për qind



Muaji qershor ka shënuar një rritje të tarifave të shërbimeve mjekësore me 46.6 për qind. Indeksi i grupit "Shëndeti" ka pësuar rritjen më të madhe me 6.6 për qind në total. Të dhënat janë publikuar nga Instituti i Statistikave, i cili në raportin e fundit për Indeksin e çmimeve të Konsumit jep detajet edhe për grupet e tjera. Për muajin e gjashtë të vitit 2010, indeksi i çmimeve të Konsumit arriti 105.7 për qind, duke shënuar një ulje prej 0.5 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Inflacioni arriti vlerën 3.2 për qind, duke u rritur me pothuajse një për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Sa i përket mallrave të tjera të shportës vihen re ulje dhe ngritje çmimesh. Grupi "Ushqime dhe pije jo alkoolike" shënoi një ulje prej 1.9 për qind, ku ulja më e madhe prej 14.4 për qind vërehet në nëngrupin "zarzavate përfshirë patatet". Ndryshe nga grupi i zarzavateve, frutat kanë pësuar rritje. "çmimet e nëngrupit "fruta" shënuan një rritje prej 1.3 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të limonëve me 35.7 për qind, kivit me 5.7 për qind, portokallave me 3.2 për qind, mollëve me 2.9 për qind. Ndërsa çmimet e disa frutave të tjera shënuan ulje gjatë këtij muaji, ku mund të veçojmë uljet e çmimeve të pjeshkave me 17.6 për qind, shalqinit me 13.4 për qind, pjeprave me 10.4 për qind", thuhet në raportin e INSTAT. Ndërkohë muaji qershor ka kushtuar më shtrenjtë edhe për sa i përket grupeve "peshk" me një rritje 2.7 për qind, "qumësht djathë e vezë" 0.1 për qind, "vajra dhe yndyra" 0.2 për qind. Pijet alkoolike dhe duhani kanë shënuar një rritje prej 0.5 për qind, ndërsa veshjet dhe këpucët një ulje prej 0.1 për qind. Ndryshe nga muajt e kaluar, ku transporti ka shënuar rritje, për qershorin ky grup pësoi një ulje të lehtë prej 0.1 për qind.

Indeksi i çmimeve të konsumit

"Ushqime dhe pije joalkoolike" -1.9%
"Zarzavate përfshirë patatet" -14.4%
"Fruta" +1.3%
"Pije alkoolike dhe duhan" +0.5%
"Transport" - 0.1%
"Shëndeti" +6.6%
"Peshk" +2.7%,
"Vajra dhe yndyra" +0.2%,
"Qumësht djathë e vezë" + 0.1%.
"Veshje dhe këpucë" -0.1 %

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›