Cana te Galatasaraji: Erdha pranë familjes
Leonard Karaj
Lorik Cana është futbollisti i ri i ekipit të Gallatasarait. Zv/kapiteni i Kombëtares shqiptare vendosi që të pranonte ofertën e një prej ekipeve më të suksesshme turke. Sipas sajtit zyrtar të klubit të Sandërlendit, Gallatasarai do të paguajë për shqiptarin një shumë prej 6 milionë eurosh. Ndërsa vetë lojtari ka firmosur një kontratë 4-vjeçare duke përfituar rreth 2 milionë neto në sezon. Cana u bë pjesë e "Maceve të Zeza" në verën e kaluar, pasi vendosi të linte ekipin e Olimpikut të Marsejës. Futbollisti bëri 35 paraqitje me fanellën e Sandërlendit. Gjatë aktivizimeve të tij në kampionatin anglez ai u dallua për grintën në fushën e lojës dhe karakterin luftarak. Me paraqitjen e bërë ai u shndërrua shpejt në një prej lojtarëve më të dashur për tifozët e ekipit. Gjithashtu mori vlerësimin e trajnerit dhe drejtuesve të klubit. Këtë e tregoi edhe vendimi për ta bërë futbollistin e Kombëtares shqiptare kapiten të ekipit, edhe pse ai kishte pak kohë që kishte ardhur. Ndërkohë vetë Cana ka bërë të ditur arsyet e largimit nga Anglia. Arsyeja kryesore sipas tij ka qenë një dëshirë për të qenë më afër familjes së tij. "Që ditën e parë që mbërrita, unë kam pasur një histori të mrekullueshme me Sandërlendin. Unë e dija që do të gjeja atë lloj klubi që të jepte një mbështetje të madhe që mua më nevojitej që të bëja lojën time në fushë" - deklaron lojtari për sajtin zyrtar të klubit. Futbollisti vlerëson edhe tifozët dhe pasionin e tyre për ekipin. "Njerëzit këtu e duan klubin e tyre. Ata kanë pasion dhe identitetin e vet. Unë bëra më të mirën time për Sandërlendin dhe ekipi do të jetë gjithmonë në kujtesën time. Mua më është dhënë mundësia që të luaj në kompeticionet evropiane dhe Ligën e Kampioneve. Por sidomos mundësia për të qenë afër me familjen time ka ndikuar në largimin tim. Ky nuk ishte një vendim i lehtë për t'u marrë nga ana ime, dhe shpresoj që njerëzit të më kuptojnë", tha futbollisti i përfaqësueses shqiptare.