E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda e Spanja, sa të ndryshme në sulm



Leonard Karaj

"Portokallinjtë" bazohen te cilësia e disa lojtarëve klasi, ndërsa "furitë e kuqe" tek manovra e disa 'xhonglerëve' që kanë në mesfushë. Holandezët janë më konkretë, ndërsa në barazim janë golashënuesit respektivë Shnajder dhe Vila me nga 5 gola. Holandë-Spanjë do të jetë një sfidë me një emërues të përbashkët: lojën në sulm. Por secila skuadër e interpreton në mënyrë krejtësisht të ndryshme konceptin e lojës ofensive. Holanda bazohet te cilësia e disa elementëve të spikatur si Shanjder dhe Roben, ndërsa Spanja ia beson lojën disa futbollistëve të shkëlqyer që ka në mesfushë. Shpesh për ta thuhet se arrijnë ta fshehin topin në mënyrën më të frikshme të mundshme. Shikoni se sa të ndryshëm e kanë filozofinë e lojës secila skuadër.
Holanda - "Portokallinjtë" nuk luajnë më futbollin total, me të cilin hynë në histori, madje rishkruan historinë e futbollit, jo vetëm në Holandë, por edhe jashtë saj. Madje kjo skuadër nuk dhuron as spektakël, madje ka nga ata që deri tani e kanë cilësuar lojën e skuadrës së Van Marvijkut si një herezi. Megjithatë, ky është futbolli me të cilin Holanda u rikthye në një finale Botërori pas 32 vitesh. Esenca e vërtetë e kësaj skuadre janë perlat që vijnë nga këmbët e sulmuesve të saj, të cilët garantojnë gjithashtu edhe nj futboll ofensiv. Po është tamam kështu, sepse Van Marvijk, me dy "bisha" si Van Bomel dhe De Jong mund t'i bëjë dashamirësit e futbollit të bukur që të acarohen, por kështu mund të ketë mundësinë që të luajë pa frikë me katër lojtarë me tipare jashtëzakonisht sulmuese. Ata dinë se si të ndëshkojnë, madje me mënyra nga më të ndryshmet. Shnajder është shndërruar në një perëndi këtë vit. Gjithnjë ka arritur të vendosë ndeshjet e mëdha dhe të japë pasime perfekte. Me pesë gola të shënuar dhe katër trofe të fituar këtë sezon në klubin e tij, Interin, është shndërruar në një idhull edhe për tifozët. Pastaj është Robeni. Ai vjen pasi ka kaluar një dëmtim që u duk se do ta mbante jashtë Botërorit, por stafi holandez u tregua i duruar dhe arriti të fitonte sërish një nga 'asat' më të mëdhenj që ka në skuadër. Tani është ai që bën sërish diferencën, sepse ka shënuar dy gola të rëndësishëm në fazën finale të këtij Botërori. Pastaj është Kajt, që nuk është ndonjë futbollist me shumë klas, por ka një teknikë të mirë dhe vrapon si një djall i vërtetë gjatë gjithë ndeshjes. Për më tepër luan njësoj në të dy krahët, si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë. Madje ai mund të luajë edhe si qendërsulmues. është në një formë shumë të mirë dhe kundër Brazilit dhe Uruguait, ishte lojtari që dha më shumë pasime të sakta dhe padyshim, ai që kishte vrapuar më shumë se të gjithë. Me këta "moskëtierë", Holanda mund të bëjë diferencën në fushë, madje edhe të mbrohet mirë.
Spanja - Kampionët e Evropës nuk kanë mesfushorë, por prestigjatorë, thonë shpesh me humor njerëzit. Kjo nuk është edhe aq e pavërtetë, po të marrësh parasysh se çfarë janë në gjendje të bëjnë Ksavi dhe Iniesta. Dhe mos harroni, ata mbajnë në stol një lojtar si Fabregas. Me pasime të shpeshta, të sakta dhe me një lojë shumë të ngjeshur në mesfushë, e sfilitin kundërshtarin, jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht. Kjo iu lejon atyre që të jenë të kujdesshëm edhe në mbrojte, sepse nuk është rastësi që kjo skuadër ka pësuar vetëm dy gola deri tani. Spanja vuan jo pak cinizmin në sulm dhe mungesën e konkretizimit. Kjo edhe për faktin që i mungon një lojtar si Torres, që për fat të keq të iberikëve është jashtë forme. Megjithatë, kanë një lojtar si David Vila. Një "gjarpër" i vërtetë që arrin të rrëshkasë në mbrojtjen kundërshtare thuajse pa e kuptuar. Holanda dhe Spanja nuk e kanë fituar asnjëherë Botërorin dhe mallkimi për njërën prej tyre do të thyhet pas dy ditësh. Dhe kjo falë lojës sulmuese. Tani mbetet vetëm për t'u parë se kush do ta realizojë këtë objektiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›