Dade: Të emërohet ambasadori në Prishtinë
Tiranë- Partia Socialiste i ka bërë apel qeverisë të emërojë me urgjencë Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë. Apeli është bërë sot nga sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS, Arta Dade, e cila i ka kerkuar qeverisë dhe ministrisë së Punëve të Jashtme angazhim serioz dhe vëmendje më të madhe ndaj ngjarjeve në Kosovë e në rajon.
“Ne vlerësojmë reagimin e menjëhershëm të autoriteteve të Kosovës dhe EULEX-it e KFOR-it në marrjen e masave për respektimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë atje.
PSSH mbështet këto autoritete dhe shpreh bindjen se funksionaliteti i të gjithë strukturave të EULEX dhe KFOR-it do të mundësojë shmangien e incidenteve të dhunës dhe do të krijojë kushtet për sundimin e ligjit dhe efektshmërinë e të gjitha institucioneve të drejtësisë dhe të rendit”- tha Dade gjatë një deklarate për mediat.
Sipas saj, stabiliteti dhe paqja në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe në rajon nuk mund të mbahen peng i skemave dhe mendësive të vjetruara në erën e dekadës së fundit, si dhjetëvjeçari kur vendet e rajonit iu bashkëngjitën proceseve integruese, të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit rajonal.
“Do të dëshironim që vizita e paralajmëruar e Ministrit serb për Kosovën t’i shërbejë qetësimit të situatës atje dhe inkurajimit të të gjithë shtetasve për të respektuar ligjin dhe autoritetet shtetërore të Kosovës, si dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s”- tha ajo.
Minoriteti serb, ka theksuar më tej Dade, duhet të ndërgjegjësohet se e ardhmja e tyre evropiane është në shtetin e tyre të Kosovës.