Agjentët britanikë: Si morën pjesë turkistanët në Luftën Nacional-Çlirimtare
Në kohën e mbërritjes së misionit, në Shqipëri ishte një numër i madh trupash turkestane, kaukaziane dhe forca të tjera jogjermane. Ishte gjithmonë pjesë integrale e planit tonë të shkatërronim një pjesë të këtyre trupave në mënyrë që të krijonim një forcë goditëse nën komandën direkte të misionit që do të na jepte mundësinë, që në përputhje me parimet e vendosura nga gjenerali Uingeit (Wingate), të ushtronim një ndikim të madh mbi natyrën e këtyre lloj operacionesh për të cilët mund të përfshinim udhëheqësit nacionalistë.
Me këtë qëllim në mendje ne tentuam të vendosnim kontakte me trupat gjermane, por me përjashtim të një takimi me “Cpl”, ndryshe kolonel Brandt, që u rregullua nga W/Cdr. Neel në qershor dhe për rezultatet e të cilit i kemi trajtuar më parë, vetëm në muajin gusht arritëm disa suksese në këtë drejtim.
Në gusht arritëm të vendosim kontakte me njësitë turkestane në zonë e Kepit të Rodonit dhe Durrësit përmes dy hoxhallarëve që flisnin turqisht. Më 5 shtator, njëri prej hoxhallarëve raportoi se ia kishte dalë të organizonte një dezertim të shkallës së lartë nga njëri prej këtyre reparteve. Por, raporti rezultoi të ishte shumë i ekzagjeruar, si pjesa më e madhe e raporteve shqiptare. Megjithatë, hoxhallarët ia kishin dalë të na siguronin mjaft turkestanë për t'i përdorur si agjentë, që i bindëm të riktheheshin në bazat e tyre dhe përmes letrave apo kontakteve personale të bindnin edhe pjesën tjetër.
Si rezultat i këtyre përpjekjeve, dy kompani të trupave turkistane vranë komandantët e tyre gjermanë dhe dezertuan. Të paktën 80 prej tyre u rigrupuan nën komandën tonë, ndërsa pjesa tjetër u zhduk, ose ndoshta përfundimisht iu bashkua forcave partizane. Bëhet fjalë për repartin “Turkestan Bn” të regjimentit 359, që përbëhej nga 4 kompani trupash kazake dhe një kompani taxhike.
Si erdhën turkestanët
Kini parasysh që të mos i ngatërroni kazakët me kozakët. Është gjithashtu e vlefshme të theksohet se rusët u referoheshin turkestanëve si "aziatikë" dhe jo turkestanë.
(Në çdo kompani që dezertuan kishte gjithashtu edhe disa trupa të pakta uzbeke dhe kirkize). Ata ishin zënë robër nga gjermanët në frontin rus, kryesisht pas operacioneve përreth Kharkovit, në maj të vitit 1942 dhe pas një kohe trajtimi të ashpër në një kamp të robërve të luftës, ata, në shtator të vitit 1943, ishin bindur që në mënyrë vullnetare t'u bashkoheshin radhëve të ushtrisë gjermane, kryesisht pas premtimeve për ushqim dhe paga më të mira. Ata ishin vendosur dhe stërvitur në Ukrainë dhe u bënë pjesë e regjimentit 176. Më vonë këto trupa u zhvendosën përmes Gjermanisë dhe Italisë për në Ballkan dhe u transferuan nga regjimenti 176 në regjimentin 359. Të gjithë oficerët dhe shumica e NCO-s ishin gjermanë. Këto trupa mbanin pajisje dhe pushkë gjermane, por edhe automatikë dhe mitraloza të lehtë të prodhimit rus.
Përfshirja e trupave të huaja
Ata që u rigrupuan nga ne kishin kryesisht taxhikë, disa kazakë dhe pak uzbekë. Ata flisnin persisht, turqisht dhe në shumicën e rasteve në rusisht. I organizuam në pesë grupe me katër rusë që u arratisën nga organizata TODT që shërbente si NCO. Në mënyrë që t'i angazhonim plotësisht në funksion të kauzës sonë, qëllimisht i përdorëm në sulmin e parë të ndërmarrë nga zogistët kundër pozicioneve gjermane duke i bërë parapritë një mundësie të një dezertimi të dytë nga ana e tyre. Më pas ata morën pjesë në disa aksione kundër gjermanëve, dhe pasi ishte marrë vendimi për të mos u dhënë furnizime, ata u përdorën për ruajtjen e shtabit të misionit pasi nuk kishin sasi të mjaftueshme municioni për të marrë pjesë në operacione të tjera. U provua që ata ishin trima, me disiplinë të mirë, të ashpër dhe gazmorë pavarësisht ushqimit të keq, shirave të vazhdueshëm, malaries, mungesës së veshjeve dhe çizmeve.
Pothuajse të gjithë prej tyre dinin shkrim e këndim dhe disa kishin edhe disa vite shkollë. Ky grup përbëhej nga fshatarë, mekanikë dhe në mesin e taxhikëve kishte edhe prej tyre që vinin nga familje të kamura. Kur fillimisht u bënë pjesë e misionit, ata ishin disi të rezervuar dhe kërkuan që të trajtoheshin si ushtarët rusë, që përbënte bazën mbi të cilën marrëdhëniet tona me to u vendosën më pas zyrtarisht. Kur filluam t'i njihnim më mirë krijuam përshtypjen se kazakët, të cilët dukej se ishin të mësuar me një standard më të ulët të jetës, e konsideronin veten si rusë dhe ishin të kënaqur me kushtet ekzistuese.
Materiali është marrë nga kujtimet e agjentëve anglezë në arkivat britanike. Këto dokumente flasin për rolin e skuadrave speciale britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri
Në numrin e ardhshëm do të lexoni
Partitë politike në Shqipëri gjatë dhe pas Luftës Botërore
Ditari i agjentëve britanikë vijon me raportimet e hollësishme të situatës politike në Shqipëri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore
Formacionet partizane gjatë Luftës, roli i Partisë Komuniste Shqiptare dhe marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos
Marrëdhëniet e Enver Hoxhës dhe komunistëve me Ballin Kombëtar dhe konfliktet me forcat e Ballit. A pati luftë civile në Shqipëri?
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
2 Nentor 2009