E Diel, 1 Nëntor 2026

Zana Çela zbulon surprizat e “Marie Krajës”



Fillimi i nëntorit shënon një përvjetor të veçantë për muzikën operistike shqiptare. Mbushen dhjetë vjet që Tirana në sezonin vjeshtor shndërrohet në arenën e madhe ndërkombëtare të konkursit të zërit vokal. Thënë ndryshe, janë datat që përkojnë me edicionin e radhës së Festivalit Ndërkombëtar “Marie Kraja”. Artistë të rinj nga të pesë kontinentet pritet të mblidhen fillimjavën e ardhshme në Tiranë për të zbritur në skenën shqiptare, në konkursin që mban emrin e artistes së madhe. Është shënuar kështu starti i festivali të ngjizur dhjetë vjetë më parë nga producentja Zana Çela. Puna seleksionuese që ka nisur në fillim të tetorit ka përfunduar dhe tashmë janë zgjedhur 20 konkurentët që pritet të prezantohen në Tiranë në dy netët e festivalit, më 7 dhe 8 nëntor. Juria përzgjedhëse e përbërë nga Zana Çela, Burhan Spahiu, Suzana Frashëri, Shqipe Mingomataj, Shqipe Zani dhe Xhovana Dako kanë studiuar për ditë me radhë plot 92 kandidatura të mbërritura nga të gjitha vendet e botës, me kërkesën për t’u prezantuar në festivalin shqiptar. Më 12 tetor artistët e njohur kanë përzgjedhur konkurentët shqiptarë. Nga dhjetra kërkesa kanë fituar të drejtën për të konkuruar gjashtë artistë të rinj nga Shqipëria dhe dy nga Kosova. Pak ditë më vonë, më 18 tetor juria përzgjedhëse ka bërë seleksionimin e kandidatëve të huaj. Në pritje për të kënduar në skenën shqiptare janë 12 emra të huaj, artistë të rinj, por me cv të pasura që kërkojnë një çmim të madh, i cili çdo vit jepet në Tiranë. Kështu harta e shtrirjes së këtij viti të festivalit “Marie Kraja”, - tek e fundit siç ka ndodhur çdo vit, është e gjerë. Pjesëmarrësit janë Bullgaria, Austria, Italia, Ukrahina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rumania, Greqia, Spanja, Holanda etj. Ndërsa shteti i Kosovës do të ketë dy konkurentë. Edhe ketë vit struktura e festivalit do ti qëndrojë besnike traditës që ka krijuar nder vite. Mbrëmjen e 7 nëntorit në skenën e Akademisë së Arteve do të ngjiten të 20 konkurentët. Gjatë këtij prezantimi juria ndërkombëtare (gjithashtu traditë e këtij festivali), e përbërë nga personalitete të operave më të mëdha të botës do të përzgjedhin dhjetë finalistët, të cilët mbrëmjen e 8 nëntorit do të konkurojnë për çmimet e mëdha të festivalit “Marie Kraja”. Një nga surprizat e mëdha të këtij viti jubile për këtë festival është vetë juria e tij, emrat pjesëmarrës që do të vizitojnë Shqipërinë. Kështu përveç të mirënjohurit, Nicholas Payne, President i Opera Europa, i cili ka qenë i përhershëm në juri, këtë vit do të jetë edhe Luca Targetti, Drejtor Artistik i Teatrit “La Scala” të Milanos. Të tjerë personalitete që do të votojnë për më të mirin e “Marie Krajës” janë edhe Joan Matabosch, drejtor artistik i Teatrit të Barcelonës, Hein Mulers, drejtor artistik i Teatrit të Operas së Amsterdamit, Giovanna Lomazzi, zv.presidente e Aslico, Nancy Rhodes, presidente e Encompass Nju Opera, (SHBA) etj. Këto ditë, organizatorët e drejtuar nga producentja Zana Çela, e cila në të njëjtën kohë është edhe prezantuesja e festivalit, po punojnë me detajet e tjera të këtij evenimenti të madh të muzikës klasike. Një skenografi madhështore po përgatitet në skenën e Akademisë së Arteve. Ndërsa të martën të gjithë konkurentët do të mbërrijnë në Tiranë për t’i hyrë garës në skenën e muzikës operistike.

Studimi

Shaban Sinani boton monografinë mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët

Një tjetër botim për hebrenjtë në Shqipëri i është shtuar vitrinës të librit këtë javë. Pas një pune të gjatë kërkimore, Shaban Sinani përfundon monografinë shkencore “Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi”, e cila del për publikun nën siglën e shtëpisë botuese “Naimi”. Ndryshe nga sa është shkruar dhe komentuar deri më sot lidhur me qendrimin unik të shqiptarëve si mikpritës dhe mbrojtës të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, sjellje që habiti botën, duke u shpjeguar kryesisht nga pozicione romantike (besa, nderi, kulti i mikut etj.), folklorike, diletante, deri tek shtrembërimet dhe frika për të thënë të vërtetën, Shaban Sinani ia ka dalë mbanë të realizojë një monografi shkencore, pothuaj shteruese për këtë argument. Në këtë studim çështja kthehet nga fabul në faktologji, nga rrëfime “partizane” në një trajtim objektiv, shoqëruar me analizë, argumente dhe ilustruar me dokumente të shumta autentike.
Monografia “Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi” është e ndarë në 11 kapituj, që shtjellohen në rreth 500 faqe tekst, përfshi qindra referenca të autorëve vendës dhe të huaj që janë marrë me këtë temë. Shumica e dokumenteve dhe dëshmive zbulohen për publikun për herë të parë, ashtu siç shqiptohen për herë të parë fakte, qëndrime dhe këndvështrime krejt të reja për praninë dhe shpëtimin e hebrenjve në trojet shqiptare. Është studimi i parë ku burimet nuk janë të njëanshme: vetëm shqiptare, vetëm italiane, vetëm britanike e amerikane apo vetëm gjermane. Autori ka siguruar bashkëpunimin e institucioneve dhe kolegëve kudo që ruhen burime për argumentin e tij dhe në këtë studim këto burime verifikohen e certifikohen përmes njëri-tjetrit. Për shumanshmërinë e argumentit të kësaj monografie mund të gjykohet prej titujve të krerëve të saj: “Qendrimi ndaj hebrenjve para Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë periudhës fashiste”, “Politika italiane dhe pranimi i hebrenjve në Shqipëri”, “Intelektualët shqiptarë kundër judeofobisë dhe fundi i hidhur i Norbert Joklit”, “Hebrenjtë në Shqipëri dhe shpëtimi i tyre në periudhën naziste”, “Etnotipi shqiptar dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës”, “Divizioni SS “Skanderbeg” dhe fati i hebrenjve në Kosovë në periudhën naziste”, “Shqiptarët dhe Shoah në kontekst ndërkombëtar”. Theksimi prapavajtës i pranisë kulturore hebraike në hapësirën iliro-shqiptare është dhe në shërbim të shtimit të provave të vazhdimësisë në këto troje përmes dëshmive dhe gjurmëve të shenjuara në kulturat e lashtësisë, si kultura helene, romaniteti dhe hebraizmi. Autori zbulon fakte të pashqiptuara apo të keqshqiptuara më parë, si, për shembull, për rolin e ambasadorit të parë amerikan Herman Bernshtajn (me kombësi hebreje) në Shqipëri në vitet 1930; për një përpjekje ndërkombëtare nën emrin e Lidhjes së Kombeve (OKB e sotme) për ta parë vendin tonë si “një atdhe të mundshëm të hebrenjve” të rrezikuar në Europë; për të vërtetën historike që edhe qeveritë kuislinge kanë pasur një rol vendimtar pozitiv në shpëtimin e hebrenjve. Autori ka një meritë të veçantë sidomos për zbardhjen e plotë të fatit të hebrenjve të Kosovës, për të cilët deri vonë qendronte akuza se ishin dorëzuar tek nazistët nga shqiptarët e mobilizuar nga Gestapo, një hipotezë e sponsorizuar në qarqet ndërkombëtare nga studiues serbë, duke dashur ta izolojnë meritën e mbrojtjes së hebrenjve vetëm tek shqiptarët e Shqipërisë shtetërore.

2 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›