E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali shet Diarranë e Gagon për Lorik Canën

• Reali i Madridit insiston për të marrë shërbimet e mesfushorit shqiptar, Lorik Cana.

Jetmir Halilaj

 Gjigantët spanjollë kanë shpeshtuar takimet mes klubeve dhe ka shumë mundësi që 24-vjeçari shqiptar, i cili është edhe kapiteni i skuadrës së Marsejës të përfundojë në radhët e Realit sezonin e ardhshëm. Gazeta “Panorama ” publikoi para disa ditësh këtë lajm dhe tani ai është konfirmuar edhe nga prestigjiozja franceze “L’Equipe”. Në artikullin që i kushtohej mesfushorit shqiptar, thuhej se trajneri i madrilenëve, Bernd Shuster është në kërkim të një lojtari luftarak dhe Cana përmbush kërkesat e tij. Kampionët në fuqi të Spanjës, kanë projektuar një merkato aktive. Në ikje e sipër janë Gago dhe Mahamadou Diarra, të cilët luajnë në të njëjtin pozicion si dhe Lorik Cana. Trajneri gjerman Bernd Shuster nuk u ka dhënë shumë hapësira këtyre dy lojtarëve, por ndërkohë ka thënë se i duhet një mesfushor me tipare mbrojtëse. Sipas medias franceze ai beson shumë te cilësitë prej luftëtari të shqiptarit të formuar te Paris SG dhe dëshiron ta ketë në skuadër futbollistin. Pas ndeshjes me Lionin, dy javë më parë ku Marseja fitoi 3-1, mesfushori i Kombëtares shqiptare është takuar me dy menaxherë të Realit të Madridit. Ata mësohet t’i kenë bërë një ofertë të majme lojtarit, por vetë Cana nuk ka dashur të përmendë shifra. Ai ka preferuar të heshtë në lidhje me ofertat e shumta që ka pasur nga klube të mëdha evropiane. Cana ka lënë të hapur mundësinë e largimit nga Marseja gjatë kësaj vere, megjithëse është treguar shumë diplomat në deklaratat e tij. “Objektivi i të gjithë lojtarëve është të luajnë në Ligën e Kampioneve dhe unë dëshiroj ta bëj këtë me Olimpikun e Marsejës”, ka thënë Cana për mediat. “Nëse klubi bën atë që duhet deri në fund të sezonit, duke ndjekur politikën e stabilitetit dhe formimit të ekipit, nuk ka arsye që të largohesha. Unë nuk e kam të ngutshme të nisem”. Megjithatë ai ka lënë të kuptohet se nëse Marseja nuk siguron një vend në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm, atëherë gjërat mund të bëhen vërtet të ngutshme dhe mund të jetë ai që do të kërkojë largimin nga klubi francez.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›