Jetimët apel shtetit për një strehë
• VLORE - Rrezikohet jeta e 9 jetimëve që banojnë në një prej godinave pranë shkollës tregtare.Katër ditë më parë ndërroi jetë shoku i tyre Renato Kaleshi, por dhe të tjerët ndihen të sëmurë dhe kanë frikë se do të pësojnë të njëjtin fat. Mjekët e spitalit të Vlorës thanë se shkaku i vdekjes së Kaleshit ka qenë bronkopneumoni e rëndë si dhe shqetësimet në zemër. Dhe shokët e shoqet e tij, të moshës nga 17 deri në 40 vjeç thonë se rrezikojnë të njëjtën sëmundje. Ata kërkojnë ndërhyrjen e pushtetit vendor e qeverisë që t’u gjejë një strehë, pasi me asistencën prej 2 mijë lekësh nuk mund të sigurojnë vetë një ambient të përshtatshëm. Pas vdekjes së shokut të tyre, i cili ishte i paralizuar si pasojë e një gabimi mjekësor, të tjerët thonë se mund t’i nxjerrin fare dhe nga godina, pasi ajo ka pronar. Jeta rëndohet çdo ditë e më tepër për ta dhe shteti është i vetmi që mbajnë shpresë se nuk do i lërë në qiell të hapur. q.b