E Hënë, 2 Nëntor 2026

Agjenti i SHISH me makinë të vjedhur

14/12/2004  DURRES - Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për një nga agjentët e Shërbimit Informativ të degës së Durrësit. Sipas burimeve të organit të akuzës, mësohet se punonjësi i SHISH, Artan Cerri, do të përballet me drejtësinë si i akuzuar për pronësinë e një automjeti, që ka rezultuar i vjedhur në një shtet tjetër. Mësohet se pas nisjes së hetimeve, policia ka bllokuar si provë materiale automjetin, si dhe të gjitha sendet e gjetura në makinë në kohën e kontrollit.

Shërbimi i policisë së qarkullimit rrugor, gjatë një kontrolli në një nga akset rrugore, bllokoi dhe shoqëroi, dy ditë më parë, në komisariatin e policisë autojmetin si dhe agjentin e degës së SHISH në Durrës, pasi inspektorët vërejtën se automjeti nuk kishte dokumentacion të rregullt. Në bazë të deklarimeve nga policia e qytetit të Durrësit, autovetura e markës “Seat”, me targa TR 7783 E, që i përkiste 32-vjeçarit me banim në Sukth të Durrësit, ka rezultuar me dokumente të një shtetasi sllovak. Të njëjta burime pohojnë se Cerri nuk kishte kontratë shitblerjeje dhe as akt përdorimi, ndërkohë që leja e qarkullimit, vërtetimi hyrës dhe polica e sigurimit, që i përkisnin shtetasit të huaj, ka detyruar policinë rrugorë të bllokojnë automjetin për të bërë verifikimet e duhura. Sipas policisë, vërtetimi hyrës, i datës 26 shtator 2004 i degës së doganës Morinë të Kukësit, ishte i falsifikuar. Në të njëjtën kohë, policia ka deklaruar se edhe targat, me të cilat ishte pajisur mjeti, i përkisnin një autoveture tjetër.

Të gjitha dyshimet e policisë, të cilat tashmë do të hetohen nga drejtësia, janë përqëndruar në zbulimin e ndonjë rrjeti të mundshëm të trafikimit të makina të vjedhura nga vendet e tjera dhe të tregtuara në Shqipëri.

I. Hasi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›