E Diel, 1 Nëntor 2026

Agjenti i infiltruar zbuloi trafikun Shqipëri- Gjermani

Përfundon hetimi nga Krimet e Rënda, për Gazmend Hasën. Vëzhgohej për heroinë, shiti marijuanë



TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të shkodranit 34- vjeçar Gazmend Hasaj, i cili gushtin e vitit të kaluar i shiti hashash një agjenti gjerman të ardhur nga shteti i Bavarisë enkas për drogë.


Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, kancelaria e së cilës e ka hedhur në short elektronik këtë dosje, duke caktuar kryesuese të trupit gjykues gjyqtaren Etleva Deda. Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Hasaj ka kryer veprën penale të "Trafikimit të lëndëve narkotike" në bashkëpunim me shtetasin shqiptar të arrestuar në Gjermani Edis Muja.


Këtë vepër penale, sipas dosjes me numër 96, i pandehuri e ka kryer gjatë muajve shkurt-gusht 2008, kohë kur në bashkëpunim me të pandehurin që po gjykohet në gjermani, Muja, kanë rënë në kurth të agjentit sekret gjerman, i cili ishte shtirur si blerës droge.


"Gjatë hetimeve të kryera në Shqipëri dhe me ardhjen e letër-porosisë nga shteti Gjerman, është provuar se i pandehuri Gamzend Hasaj njihej prej kohësh me të pandehurin e arrestuar në shtetin Bavarisë Edis Muja, pasi dy së bashku jetonin dhe banonin në një qytet.


Në zonën ku të dy të pandehurit jetonin, ata njiheshin nga agjentët e anti-drogës si "shpërndarës" të sasive të vogla të heroinës. Duke pas këtë informacion policia gjermane, në shkurt të vitit 2008 fillon hetimet për të zbardhur bashkëpunëtorët e dy emigrantëve shqiptarë",-thuhet në kërkesën për gjykim. Për të zbuluar "furnizuesit" e dy emigrantëve policia gjermane angazhon një agjent sekret të moshës 60- vjeçare që shtiret si blerës droge dhe përdorues.


Plaku agjent, pasi ka kontaktuar disa herë dhe blerë nga dy emigrantët shqiptare sasi të vogël heroine, ka kërkuar që shqiptarët t'i siguronin një sasi më të madhe heroine.


Dy shqiptarët, duke parë interesin e vendosur të plakut 60- vjeçar dhe besimin e krijuar ndaj tij, e ftojnë të vizitojë Shqipërinë ku do të marrë sasinë e kërkuar të heroinës, pasi dy emigrantët shqiptarë kishin probleme me transportin.


"Agjenti gjerman nën kontrollin e vazhdueshëm të policisë dhe në kërkim të premtimit prej 100 kg heroinë që ndodhej në Shqipëri, me një makinë të vogël niset për në Shqipëri bashkë me të pandehurin Gazmend Hasaj për të marrë drogën. Me të mbërritur në Shqipëri, i pandehuri Hasaj i kërkon "agjentit blerës" të kthehet në Gjermani se makina me të cilën kishte ardhur është e vogël dhe nuk mund të fshihej sasia e drogës.


Agjenti, nën këshillimin e eprorëve të tij dhe nën vëzhgimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, merr rrugën e kthimit për në Gjermani, për të siguruar një makinë më të madhe dhe siguron një Rulotë (makinë-shtëpi lëvizëse) dhe vjen në Shqipëri për të takuar të pandehurin Hasaj që i kishte premtuar 100 kg heroinë"-thuhet në dosje.


Por, me ardhjen e agjentit 60- vjeçar në Shqipëri, i pandehuri Hasaj ndërron plan duke i ofruar 60 vjeçarit vetëm 11 kg hashash të cilën e fshehin në Rulotin e agjentit.


Pas ngarkesës, agjenti niset në drejtim të Gjermanisë, duke kaluar nga Shqipëria në Mal të Zi, Slloveni, Austri dhe më pas në Gjermani ku pritësi i agjentit, emigranti Edis Muja arrestohet sapo i kërkon lekët e 11 kg hashashit të blerë nga plaku 60- vjeçar i sajuar si blerës droge.


Me arrestimin e të pandehurit Edis Muja, autoritetet gjermane lajmërojnë Prokurorinë e Krimeve të Rënda të cilët më 5 gusht 2008 arrestojnë në Tiranë shkodranin 34- vjeçar Gazmend Hasaj, duke ngritur ndaj tij veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike" në bashkëpunim.


Tashmë, pritet që togat e zeza të kryesuar nga gjyqtarja Etleva Deda të caktojnë datën e seancës së parë gjyqësore ndaj të pandehurit që ra në kurthin e agjentit gjerman të anti-drogës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›