Prençi: Arrestime pas oficerit të kapur në Turqi
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se ai kishte firmosur shkarkimin për kontrollorin e Rinasit pas lajmit
Pritet mbërritja e informacionit policor nga Stambolli, ndërsa po verifikohen lidhjet e nënkomisarit të akuzuar për trafik
TIRANE- "Kemi të dhëna të plota në lidhje me oficerin e arrestuar me drogë në Turqi nga policia e Stambollit si dhe në lidhje me personat e përfshirë në këtë rrjet pjesë, të cilët ndodhen dhe veprojnë në Shqipëri, - tha dje në mesditë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtuesi Ahmet Prençi në një deklarate për shtyp të dhënë prej tij në lidhje me arrestimin e oficerit Altin Murra, gjatë ceremonisë së mbylljes së mandatit të shefit ICITAP-it (Mision këshillues policor amerikan në Shqipëri) Darel Hart. Sipas kryepolicit Prençi, ata tashmë, kanë të dhëna të plota në lidhje me veprimtarinë nënkomisar Altin Murrës, i kapur të premten e javës së kaluar nga policia turke në Stamboll në një kamion që transportonte 200 kg heroinë në lagjen aziatike të qytetit.
Prençi, gjatë deklaratës së tij tha se pritet që për këtë çështje të ketë një hetim të zgjeruar dhe të plotë nga strukturat e Antidrogës së Policisë së Shtetit. Ai pohoi se veç Murrës, ka edhe persona të tjerë konkretë të cilët janë të identifikuar të cilët pritet të arrestohen nga strukturat blu. Më tej kreu i Policisë, pohoi se ai kishte shkarkuar nga detyra oficerin e Policisë së Shtetit, që punonte në seksionin e kufirit si kontrollor pranë Komisariatit të Policisë së Rinasit.
Sipas Drejtorit të Policisë, Prençi, nënkomisar Altin Murra, kishte kërkuar leje pranë eprorëve të tij, me qëllim për të kryer një vizitë mjekësore në Turqi, ndërsa ishte kapur me sasinë e konsiderueshme të lëndës narkotike. Pasi është marrë vesh një fakt i tillë nga autoritetet e policisë turke që kanë informuar Policinë Shqiptare, mbi ngjarjen, menjëherë ndaj oficerit është firmosur edhe shkarkimi, ndërsa Prençi pohoi edhe nisjen e veprimeve nga ana e strukturave përkatëse të hetimit.
Altin Murrja, një ish- student i Akademisë së Policisë së Ankarasë, kishte përfunduar studimet në vitin 2005, u arrestua nga policia turke në qytetin e Stambollit me një sasi prej 200 kg heroinë e cila ishte e fshehur në kamion. Veç tij, policia turke arrestoi edhe Burham Markeçi, 39 vjeç, nga Dibra dhe Nalton Jaçaj, 35 vjeç, nga Tirana. Dy të arrestuarit e tjerë sipas burimeve të policisë, ishin shoferi i kamionit trajler dhe tjetri tregtar që kishte mbërritur në Turqi, për të blerë mallra të ndryshme.
Të tre ata janë arrestuar nga policia e Stambollit me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në bashkëpunim me origjinë Turqinë dhe me destinacion Shqipërinë ku ajo besohet se do të përgatitej për t'u transportuar në drejtim të vendeve perëndimore.
Roli i oficerit të policisë besohet se mund të ketë qenë si garantues i kalimit të mallit në pikën e kalimit kufitar nga Turqia në Bullgari, apo në kontrollet e befasishme që mund të kryheshin nga policia turke gjatë rrugës. Pikërisht për të kryer këtë detyrë besohet se kontrollori i Rinasit, ka braktisur detyrën e tij në fakt duke kërkuar leje për arsye personale.
Sipas Prençit, ata tashmë kanë të dhëna të plota në lidhje me veprimtarinë e nënkomisar Altin Murrës, i kapur të premten e javës së kaluar nga policia turke në Stamboll në një kamion që transportonte 200 kg heroinë në lagjen aziatike të qytetit.
Të arrestuarit
Altin Murra
Nalton Jaçja
Burhan Markeci
Sekuestruar
200 kg heroinë
CEREMONIA
Shefi i ICITAP, mbyll mandatin, falënderohet
Policia e Shtetit organizoi dje një ceremoni, për të respektuar shefin e misionit ICITAP- it, Dal Hart, i cili përfundoi mandatin e tij, këshillimor pranë Policisë së Shtetit, ndërsa qeveria amerikane e ka zëvendësuar atë me një tjetër oficer të lartë të FBI-së. Në ceremoninë e organizuar ishte i pranishëm Drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, si dhe përfaqësues të lartë të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme. Prençi e Nishani, kanë falënderuar ish- drejtuesin e misionit të ICITAP-it, për ndihmën e dhënë për policinë. "Këto kontribute kanë përmirësuar ndjeshëm ndjekjen dhe hetimin me profesionalizëm dhe përgjegjësi të veprimtarisë kriminale, veçanërisht krimin e organizuar dhe terrorizmin, duke siguruar dhe përmirësuar rendin dhe sigurinë publike në vend,- tha. Z Hart.