E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, atentat djalit 20-vjeçar të Mile çamit

TENTATIVA/ Ilir Emini është plagosur në këmbën e majtë pasi një person me kokore e qëlloi dy herë me armë


FIER - Qëllohet me armë djali i Fatmir Eminit, i njohur ndryshe si Mile çami. 20-vjeçari Ilir Emini është qëlluar nga një person që lëvizte me një motor në kohën që ishte me një të afërm.


Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 të së mërkurës pikërisht në momentin që i riu ndodhej në lavazhin në pronësi të tij, që ndodhet në lagjen "29 Nëntori" të qytetit të Fierit.


Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se Iliri ka qenë duke mbyllur lavazhin në kohën kur një person me kokore në kokë i hipur mbi një motor ka qëndruar pranë tyre, duke nxjerrë pistoletën e duke qëlluar në drejtim të 20-vjeçarit dy herë.


Plumbat e dala nga pistoleta e kanë kapur të riun në pulpën e këmbës së djathtë. Më pas, atentatori është larguar nga vendi i ngjarjes mes rrugicave të pallateve. Krismat e armës janë dëgjuar edhe nga e ëma e të riut, e cila ka mbërritur pranë të birit. Ndërkohë, personi që ndodhej me 20-vjeçarin e ka marrë dhe e ka dërguar në spitalin rajonal të Fierit, ku Ilir Emini ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


E njoftuar për ngjarjen, policia ka marrë në pyetje djaloshin, si dhe personin që ishte i shoqëruar me të për njohjen që mund të kishin me personin që kishte qëlluar apo për ndonjë konflikt të mëparshëm.


Megjithatë, ende nuk ka ndonjë të dhënë lidhur me ngjarjen. Nuk dihet nëse plagosja e 20-vjeçarit ka lidhje me të atin, Fatmir Eminin, i cili aktualisht ndodhet në burg dhe ku po vuan dënimin për vrasjen e Bujar Sulës (nofka Loshi i Karbunarës), si dhe i akuzuar dhe për vrasjen e Xhevrie Cakës, nënës së Lul Cakës, si dhe vrasjen e Gjergji Halos.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›