E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryefamiljari vret gruan, më pas veten

Shtetasi Barjam Korreshi ka qëlluar mbi të shoqen pas një zënke pa shkak dhe më pas ka qëlluar mbi veten


Të pranishëm në vendngjarje kanë qenë prindërit e 44-vjeçarit, të cilët kanë ndëhyrë për të shmangur vrasjen


LUSHNJË - Zihet me bashkëshorten në dhomën e gjumit e më pas e qëllon me armë në gjoks duke i marrë jetën. Më tej qëllon edhe veten. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Saravë" të qytetit të Lushnjës ndërsa viktimat janë Barjam Fatmir Korreshi, 44 vjeç, dhe Adelina Korreshi, 33 vjeçe.


Protagonistë në ngjarje kanë qenë edhe prindërit e kryefamiljarit, të cilët nuk kanë mundur që ta shmangin vrasjen e nuses dhe vetëvrasjen e djalit. Ndërkohë, vajza 10-vjeçare e çiftit, e cila ka qenë në shtëpi dhe ka dëgjuar të shtënat, tashmë duhet të rritet jetime.


Ngjarja


Pas mbërritjes në shtëpi, Barjam Korreshi ka filluar një grindje pa shkak me bashkëshorten, gjëra që në familje, edhe për shkak të tipit të kryefamiljarit, konsideroheshin të zakonshme.


Por ndërkohë, prindërit e tij, që ndodheshin në dhomën tjetër kanë dëgjuar një të shtënë, çka ka bërë që të çohen menjëherë dhe t'i drejtohen dhomës së gjumit të djalit të tyre.


Aty kanë gjetur Adelinën, e cila ishte qëlluar një herë me armë në gjoks. Fatmir Korreshi, babai i 44-vjeçarit, është afruar dhe i ka marrë armën të birit, duke e shtyrë pas në mënyrë që të mos bënte asnjë veprim tjetër.


Por Barjami ka reaguar duke shqelmuar mobiljet që kishte në dhomë dhe duke nxjerrë nga komodina një armë tjetër, me të cilën ka shtënë për së dyti mbi të shoqen. Më pas ka qëlluar veten në kokë, duke i dhënë fund jetës së tij.


Hetimi


Menjëherë më pas në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët e policisë. Bëhet e ditur se Barjam Korreshi njihej si person problematik nga fqinjët dhe të afërmit dhe konsiderohej me probleme psikike.


Zënkat me bashkëshorten e tij ishin të shpeshta pikërisht për shkak të personalitetit të kryefamiljarit. Kështu edhe të mërkurën një grindje në dhomën e gjumit është konsideruar si normale nga prindërit, pa menduar për pasoja.


Ekspertët e policisë kanë zbuluar pas mbërritjes në vendngjarje se Korreshi kishte në shtëpi dy pistoleta, si dhe një armë automatike "kallashnikov", e cila është gjetur poshtë krevatit të çiftit.


Ndërhyrja për të mos qëlluar bashkëshorten është bërë nga i ati i Barjamit, por që ky i fundit ka qenë i pajisur mirë, duke vepruar me një armë të dytë në çastin që i është marrë e para. Personat që kanë parë skenën kanë qenë pikërisht prindërit e 44-vjeçarit, ndërsa vajza 10-vjeçare e çiftit Korreshi ka qenë në dhomën tjetër.


Ekspertë nga vendngjarja deklarojnë se shkak për vdekjen e 33-vjeçares Adelina kanë qenë dy plumba të qëlluar nga dy armë të ndryshme në gjoks, ndërsa Barjami ka një plumb në kokë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›