E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pinari: Do botoj një libër për të vërtetën e Gërdecit

Dy nga të akuzuarit e tragjedisë, Ylli Pinari e Dritan Minxholli, shfaqen si spektatorë në një aktivitet futbollistik të Drejtorisë së Burgjeve


Ish- drejtori i ndërmarrjes së Ministrisë së Mbrojtjes MEICO, thotë se akuzat e shpërthimit janë politike


TIRANË- Ish-drejtori i MEICO-s, njëkohësisht një nga të akuzuarit si përgjegjës i tragjedisë së Gërdecit, i pandehuri Ylli Pinari, është shfaqur thuajse për herë të parë në publik që nga dita e vendosjes së masës së sigurisë ndaj tij një vit e gjysmë më parë.


Madje ai ka treguar se tashmë po përgatit botimin e një libri ku ai pretendon se do të rrëfehet tragjedia e Gërdecit.


Edhe brenda mureve të larta të institucionit të paraburgimit "Jordan Misja" në kryeqytet nuk ndahet nga i pandehuri tjetër i kësaj tragjedie, njëkohësisht ish-drejtuesi teknik i shoqërisë "Albademil" që kryente demontimin e municioneve në fabrikën e "ferrit", Dritan Minxholli.


I shoqëruar nga Minxholli dhe punonjës socialë të këtij institucioni, i pandehuri Pinari mundohet të qëndrojë larg kamerave, duke mos preferuar të flasë për gazetarët. Por po ashtu ai nuk ka kursyer edhe pakënaqësitë e tij në lidhje me pasqyrimin e ngjarjes së Gërdecit në media të ndryshme.


Ndërkohë, gjatë një bisede të lirë me të pandehurin në kohën që po zhvillohej ndeshja sportive mes të paraburgosurve të 313 dhe ekipit të Tiranës, Pinari u shpreh se po përgatit një libër ku do pasqyrohet versioni i tij për shpërthimin e 15 marsit të 2008 ku mbetën të vrarë 26 persona dhe mbi 300 të tjerë morën plagë.


"Nuk dua të flas për mediat pasi nuk jam i kënaqur me mënyrën e pasqyrimit të ngjarjes së Gërdecit. Për të gjithë ato hamendësime për këtë tragjedi po përgatis një libër, ku do të pasqyroj të vërtetën e ngjarjes dhe punën time disa vjeçare në ndërmarrjen MEICO.


Nuk dua të flas tani",-shprehet Pinari, bisedë të cilën e ndërpret një nga oficerët e policisë së burgjeve që ishte angazhuar për të mos lejuar gazetarët t'i afrohen të paraburgosurve.


Gjithashtu, ndër të tjera, Pinari procesin hetimor dhe më pas atë gjyqësor ndaj tij e cilëson se ka prapavijë politike, duke pretenduar se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë. Ndërkaq, gjatë gjithë kohës së ndeshjes së futbollit, i pandehuri Pinari, dukej i qetë dhe herë pas herë në fytyrën e tij shfaqej ndonjë buzëqeshje që vinte pas ndonjë batute me të pandehurin tjetër të kësaj tragjedie, Dritan Minxholli, i njohur ndryshe si kunati i administratorit të firmës "Albademil" Mihal Delijorgji.


Ky i fundit nuk kishte preferuar që gjatë aktivitetit të djeshëm sportiv të zbriste në fushën ku po zhvillohej ndeshja mes disa futbollistëve të ekipit të Tiranës dhe të paraburgosurit të këtij institucioni.


Vetë Pinari dukej se kishte mbajtur veten në formë, pasi nuk kishte ndryshuar shumë që 15 muaj më parë kur është arrestuar përveç disa thinjave të tjera të bardha të shtuara në kokën e tij dhe i veshur sportiv me pantallona të shkurtra dhe me një bluzë të lehtë sportive.


Po të njëjtin stile veshjeje, kishte edhe i pandehuri Minxholli i cili për koincidencë kishte veshur bluzën që kishte në trup natën e arrestimit të tij dhe paraqitjes para gjykatës që vlerësoi masën e arrestit ndaj tij. Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj tyre ende nuk ka filluar, pasi dosja penale me 29 të pandehurit e kësaj tragjedie tashmë është ndarë në tre pjesë nga Gjykata e Lartë.


E cila me vendimin e datës 22 maj ka vendosur që vetëm i pandehuri Fatmir Mediu të gjykohet pranë kësaj gjykate, Ndërkaq, 28 të pandehurit e tjerë, bashkë me të pandehurin Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxholli etj do të gjykohet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet në seksionin penal. Ndërsa paditë civile të paraqitura nga familjarët e viktimave, avokatura e shtetit dhe të gjymtuarit nga kjo tragjedi do të shqyrtohen po nga Gjykata e Shkallës së Parë por nga seksioni civil.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›