Prokuroria, 17 vite burg njerkut që abuzoi me vajzën e gruas
PRETENCA
Ramadan Isufaj, akuzohet se për disa vite abuzoi seksualisht me vajzën që e shoqja kishte nga martesa e parë
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, pas 25 seancave gjyqësore të shqyrtuara pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me lejen e këtyre të fundit, lexoi konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehuri 58- vjeçar Ramadan Isufaj, i akuzuar për abuzim seksual me të bijën për pesë vite.
Sipas prokurorisë, gjatë fazës gjyqësore është provuar se i pandehuri Isufaj ka kryer katër vepra penale, atë të "Kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitura nën 14 vjeç me dhunë"; "kryerje së marrëdhënieve seksuale me dhunë më shumë se një herë me të mitura nga 14-18 vjeç"; "Shkaktimit të vetëvrasjes" së mbetur në tentativë nga viktima dhe "heqjes së paligjshme të lirisë".
Për kryerjen e këtyre veprave penale, prokurori i çështjes kërkoi nga treshja gjykuese e Gjykatës së Shkallës së Parë të kryesuar nga gjyqtari Bujar Krasniqi dënimin e tij me 17 vjet heqje lirie, në një burg të sigurisë së lartë për shkak të rrezikshmërisë së veprave të kryera.
Sipas akuzës, i pandehuri ka abuzuar me vajzën e tij që në moshën 13- vjeçare duke e detyruara të kryente marrëdhënie seksuale për pesë vite rresht, deri në shkurt të 2008 kur vajza vendosi të thyejë heshtjen dhe ta denoncojë në polici "babanë monstër".
Mësohet se ka qenë një dyshim i nënës së vajzës, e cila kishte nuhatur se babai i fëmijëve të saj po kryente marrëdhënie seksuale edhe me të bijën, që ka sjellë një zënkë mes tyre duke përfunduar me pranimin e këtij fakti nga vajza e "përdhunuar" për pesë vite.
Në momentin që vajza ka folur para nënës së saj, ka tentuar të vrasë veten duke prerë damarët e krahut, por, që ka shpëtuar falë ndërhyrjes së shpejtë të nënës së saj.
Pas këtij rrëfimi para nënës, kjo e fundit është drejtuar bashkë me të bijën në Komisariat ku kanë denoncuar në polici të gjithë bëmat e babait të vajzës që tashmë ka mbushur 20 vjeç. Pas këtij kallëzimi, policia ka kryer arrestimin e menjëhershëm të babait 58- vjeçar Ramadan Isufaj, i cili ka mohuar në mënyrë kategorike marrëdhënien me vajzën e tij.
Duke akuzuar bashkëshorten se ajo për t'i shpëtuar ndëshkimit për tradhtinë bashkëshortore e ka shtyrë vajzën të kallëzojë babanë. Pas leximit të konkluzioneve, gjykata ndërpreu seancën gjyqësore për t'i lënë kohë avokatit dhe vetë të pandehurit të përgatisë pretendimet përfundimtare.