E Diel, 1 Nëntor 2026

“Agjenti s’duhej kapur pa gjetur eshtrat e fëmijëve”

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA
“Shteti nuk duhet ta kishte arrestuar Gjin Ndrecajn, por duhet të kishte pritur derisa ai të na gjente eshtrat e fëmijëve tanë të zhdukur.
Këto eshtra ndodhen të varrosura brenda territorit shqiptar. Me këtë veprim ne kemi bindjen tonë se shteti po kërkon të na e varrosë një herë e mirë të vërtetën e fëmijëve tanë të zhdukur”. Kështu është shprehur për “Panorama”, Ndoc Bjeshka, i ati i një prej 8 të zhdukurve në tragjedinë e ndodhur në Karaburun, më 9 janar të vitit 2004. Ai ka reaguar një ditë pas arrestimit të Gjin Ndrecajt nga policia e Lezhës, me akuzën e mashtrimit. Bjeshka pohoi dje, se është njohur me 51-vjeçarin Ndrecaj prej njërit nga bashkëvuajtësit e tjerë në këtë çështje. Sipas bisedës që familjet e 9 janarit kishin bërë me Ndrecajn, ai u kishte premtuar t’u gjente eshtrat e fëmijëve të tyre të zhdukur, të cilëve as sot nuk u dihet fati. Ata, sipas Bjeshkës, kanë pranuar me kënaqësi që t’i besonin 51-vjeçarit, i cili që në prezantimin e parë u ka pohuar se ishte një agjent i Interpolit. Madje, për këtë ai u kishte nxjerrë edhe një dokument identifikimi të këtij shërbimi ndërkombëtar. Në kushtet e marrëveshjes që ata kanë pasur jo drejtpërdrejtë me 51-vjeçarin, (ai nuk i kishte takuar të gjithë), u ka treguar se së bashku me një mik të tijin nga Saranda, ishte në dijeni të varrimit të trupave të fëmijëve të tyre të zhdukur. Për të bërë të mundur identifikimin e tyre, agjenti u kishte kërkuar foto të së zhdukurve para tragjedisë, si dhe një informacion të hollësishëm të shenjave dalluese në trup apo dhe të sendeve personale që kanë pasur ditën e nisjes me gomone. Për këto shërbime ai nuk ka kërkuar ndonjë shumë parash. Shumat që u ka kërkuar, sipas Bjeshkës, do të shërbenin vetëm për transportimin e eshtrave nga vendi i gjetur deri në varrezat e secilit prej tyre. Por kjo e kishte edhe një kusht, që kjo iniciativë duhej të mbahej sekret deri në gjetjen e eshtrave, më pas familjarët ishin të lirë që ta bënin publik këtë fakt. “Megjithëse pazari ishte për vetëm 100 mijë lekë kishte nga ato që i kanë pohuar se nuk kishin më shumë se 50 mijë dhe Ndrecaj u ka pohuar se të tjerat ai ishte i gatshëm t’ia shtonte vetë. Arrestimi i Ndrecajt na bën të dyshojmë se shteti shqiptar nuk është i interesuar që ta zbardhë këtë çështje”, shprehet Bjeshka. Ai rendit argumentet e tij, si: Deklarata e bërë në prokurorinë e Vlorës nga shefi i atëhershëm i krimeve Sokol Bizhga se janë gjetur 2 gomone me distancë kohore 4 orësh nga njëra-tjetra dhe 22 milje larg. Shteti i asaj kohe pohoi se gjeti dhe solli në portin e Vlorës vetëm 1 gomone. Ku shkoi gomonia 2 e gjetur tek Gjiri i Dafinës?! “Janë disa dëshmi që provojnë se në secilën gomone ka pasur trupa të vdekur. Ne kemi besim të verbër se trupat e gjetur tek gomonia e parë janë varrosur, për arsye që akoma edhe sot nuk i dimë, brenda territorit shqiptar. Bashkëpunimi i Gjin Ndrecajt me një person nga Saranda, e cila nuk është larg nga vendi i nisjes së gomones së zhdukur me 9 janar, si dhe duke ditur në lidhjen e mafiozëve me njëri-tjetrin kemi pasur dhe vazhdojmë të besojmë se Ndrecaj do të na çonte tek eshtrat e fëmijëve tanë”, deklaroi Ndoc Bjeshka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›