E Shtunë, 31 Tetor 2026

Distanca e rrezikshme etnike

YLBER LILI 

Pas leximit të raportit të Komisionit Evropian dhe rekomandimeve për nisjen e negociatave për anëtarësim në Unionin Evropian, Maqedonia është po aq e plogësht  sa ç’ishte. Pra, nuk ka fare vend për entuziazëm ,aq më pak për gjestikulime euforike, propagandistike e kështu me radhë.
Në të gjithë këtë histori ka një të vërtetë që duhet analizuar me shumë kujdes: Faktori ndërkombëtar i ofroi edhe njëherë Maqedonisë “dorën” për ta shpëtuar nga mbytja. Nuk mund të ketë shpjegim apo arsyetim tjetër për sa kohë që analizat politike, historike, ekonomike, institucionale, ndërfqinjësore, ndëretnike, religjioze, etj., na dëftojnë se shteti i hapërdalë e Ballkanit Perëndimor ndodhet ende shumë larg bregut, në det të trazuar me një distancë tejet të rrezikshme etnike. Kjo është njëra anë, sepse nga ana tjetër duhet pranuar se edhe këtë radhë ishin shqiptarët ata që e shpëtuan Maqedoninë. Ky shpëtim fatkeqësisht erdhi si rezultat i nënshtrimit.
 
Në këtë kontekst si raporti, po ashtu edhe sinjalet për fillim negociatash për anëtarësim, një zot e di se kur, duhen parë dhe gjykuar si ndihma e fundit e qendrave të vendosjes për ta mbajtur me sforco këtë hapësira gjeostrategjike nën sqetull. Asgjë më shumë sesa kaq, ngaqë realisht Maqedonia nuk ka plotësuar asnjë standard minimal dhe sot e gjithë ditën nuk ka asnjë tregues për vullnet politik që të implementojë “detyrat e shtëpisë” të cilat burojnë nga sugjerimet e faktorit ndërkombëtar.
Pra, gjithçka që lëviz “pozitivisht” në atë vend është ekskluzivitet i faktorit ndërkombëtar ku politikanët dhe shtetarët maqedonas janë krejtësisht të pafuqishëm t’u rezistojnë. Bie fjala, njohja e pavarësisë së Kosovës  nga ana e Maqedonisë erdhi në sajë të ushtrimit të autoritetit- presionit të faktorit ndërkombëtar. Po të ishte në vullnetin e pushtetit dhe shtetit maqedonas ky proces normal do të zgjaste pafundësisht, aq sa do të donte Beogradi. Në kësi rrethanash, kushdo që i njeh pak a shumë koniunkturat ballkanike, veçmas ato që kanë të bëjnë me Maqedonisë, pa presionin e fuqishëm të ndërkombëtarëve, demarkacioni i kufirit, rrjedhimisht  vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë dhe Kosovës do të mbetej peng i logjikës së Beogradit, sikurse ka ndodhur gjatë këtyre viteve. Madje, analizuar thellë-thellë, marrëveshja e demarkacionit kërkon një debat të gjerë publik për të kuptuar realisht ku anon përfitimi i “piramidës”. Sidoqoftë, kjo çështje kërkon një trajtesë të veçantë.
 
II
T’i rikthehemi temës, pikërisht natyrës se meritokracisë së pamerituar të atyre që propagandojnë si atribues të “suksesit”. Në vijë të kësaj logjike absurde, faktorët dhe aktorët politikë maqedonas dhe shqiptare që sot ndodhen në krye në sofrës së shtetit dhe pushtetit përpiqen t’ia atribuojnë vetes “suksesin” si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Në fakt, ky lloj atribuimi ekzaltues është një përpjekje për të rikuperuar brenda një dite gamën e krizave të pariparueshme që kanë shkaktuar gjatë kësaj periudhë. Vetëm politikanë infantilë që shpërfillen hapur nga partnerët e pushtetit, nuk e kuptojnë se shqiptarët sërish duhet të përballen me koston e nënshtrimit politik.
Lind pyetja kush ia siguron tagrin një lideri partie që t’i thotë popullit festo, ndërkohë që atij i mohohen të drejtat me elementare. E dyta, si mund t’i garantohet një populli integrimi evropian, kur çdo ditë ballafaqohet me probleme ekzistenciale, revansh politik, institucional dhe shtetëror. Në këto rrethana, natyrshëm shqiptarët e Maqedonisë nuk mund ta shohin Evropën në tunelin e mohimit të gjuhës, simboleve, të diskriminimit permanent. Shqiptarët e shtetit rrumpallë nuk mund të bie në shtratin e hamendjeve për integrime duke u gdhirë në dritën e një paçavureje  të ashtuquajtur enciklopedi maqedonase etj. Tingëllon paradoksale që në kushtet e shkeljes flagrante te dinjitetit të shqiptarëve etnike, Maqedonia e maqedonizuar institucionalisht i hapet një dritë e zbehte për eurointegrime. Në këtë rast pesha e fajit rëndon katërçipërisht tek klasa politike shqiptare e cila nënshtrimin e konverton në vazhdimin e qëndrimit në pushtetin pa pushtet. Në këto kushte, përtej logjikës së nënshtrimit të përfaqësuesve politikë shqiptarë në institucionet maqedonase, apo dorës për shpëtim të faktorit ndërkombëtar, Maqedonia vazhdon të jetë shtet i mbërthyer në kriza të përjetshme.
 
III
Çështja kryesore që meriton vëmendje është problemi i brendshëm, pra distanca etnike që shoqëron gjatë gjithë periudhave dy popujt (shqiptarët dhe maqedonasit). Pavarësisht dozës së tepruar të disa mendjeve politike për “integrime”, ata kurrsesi nuk mund të shkrihen dhe të strukturohen në një grup kulturor dhe etnik të përbashkët.
Gligorovi, qysh në fillim, duke nuhatur karakteristikat dalluese, veçoritë e etnive dhe duke ditur identitetin e sajuar maqedonas, ndërtoi konceptin e shtetit ekskluziv maqedonas me prirje asimiluese ndaj etnitetit shqiptar. Le ta ilustrojmë me një shembull: nëse shohim dizajnin e konceptit të shtetit, ai nuk paraqet aspak fytyrën multietnike të Maqedonisë, por mbisundimin e njëmendësisë maqedonase. Përkundër këtij realiteti të përçudnuar, shqiptarët e Maqedonisë e njohin popullin maqedonas, gjuhën e tyre, kishën, ndërkohë që maqedonasit ende nuk janë të gatshëm që të njohin të paktën realitetin e realizimit të së drejtave të shqiptarëve. Mohimi i mëtejshëm i simboleve etnike, i gjuhës, i arsimit, kulturës, shkencës dhe i përfaqësimit në administratën publike e rrit distancën etnike të dy popujve. Për rrjedhojë, sot e kësaj dite, kohezioni i brendshëm vazhdon të funksionojë në bazë të bashkëjetesës iluzioniste.
IV
Ky konstatim buron qysh prej fillimit të themelimit të shtetit të pavarur. Qysh në krye të herës, politika shqiptare zbuloi dështimin e ekuidistancës gligoroviane, duke dëshmuar se projekti i tij ndërtohet në ngrehinën e mashtrimit. Gjithashtu, shqiptarët hodhën poshtë tezën tjetër të Gligorovit se dy popujt e duan njëri-tjetrin. Heqja e maskës gligoroviane erdhi pas kërkesës së politikës shqiptare për një tjetër diskurs. Kërkohej që koncepti i shtetit të harmonizohej me realitetin multietnik...
“Në vitin 1996, - kujton Arbën Xhaferi, në atë kohë kryetar i Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë, - në një takim me liderët politikë shfrytëzova rastin t’i bëj me dije Presidentit maqedonas, Gligorovit, se teza që shqiptarët dhe maqedonasit e duan njëri-tjetrin është konstatim i rrejshëm, për shkak se analizat dhe sondazhet dëshmojnë se mes dy popujve ekziston një distancë etnike e rrezikshme. Kam përshtypjen se Gligorovi e dëgjonte këtë gjë për herë të parë, ose ndoshta bënte sikur, por po ta dinte, nuk do të fliste për “oazë paqeje”, -thotë Xhaferri. Në fakt, politikani dhe mendimtari shqiptar ka pasur të drejtë.
Si përfundim, megjithë infuzionin e faktorit ndërkombëtar dhe nënshtrimin e “integristëve”, shteti i vogël ballkanas vazhdon të mbetet përjetësisht në krizë, d.m.th., asgjë nuk ka ndryshuar. Kriza me e ndjeshme mbetet shpërputhja e konceptit të shtetit me realitetin multietnik dhe identiteti i rrejshëm maqedonas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›