Zgjedhjet, skadon afati i kandidatëve
BLEDAR HOTI
Mos ngritja e 5 Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor sjell skadimin e afatit të regjistrimit të kandidatëve për kryetarë komune dhe bashkie.
Data 18 tetor ishte vendosur nga ana e KQZ-së si afati më i fundit i regjistrimit të kandidatëve për partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Në vendimin me numër 607 të KQZ-së, në lidhje me afatet për procesin e 15 nëntorit, është përcaktuar se depozitimi i dokumenteve të kandidimit do të bëhej më 18 tetor, ndërsa KZAZ kishte detyrimin që brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesës së kandidatëve t’i shqyrtonte ato. Por mosfunksionimi i KZAZ-ve ka bllokuar të gjithë procesin zinxhir të përgatitjes së këtij procesi zgjedhor. Përfaqësuesi i PD-së pranë KQZ-së, Njazi Kosovrasti, deklaroi dje për “Panorama” se “partia e tij nuk ka paraqitur kandidatët për njësitë e qeverisjes vendore, për shkak se akoma nuk janë ngritur KZAZ-të”. “Nuk kemi se ku t’i depozitojmë emrat e kandidatëve, jemi në pritje të ngritjes së komisioneve që merren me administrimin e kërkesave”, tha Kosovrasti. Ndërsa emrat e kandidatëve demokratë mbeten “enigmë”. LSI-ja deri më tani ka shpallur emrin e kandidatit të saj për njësinë bashkiake numër 10 të Tiranës.
Bllokimi i KZAZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar ditën e sotme, të hënën si afatin e fundit për paraqitjen e anëtarëve të KZAZ-ve. Deri më tani vetëm PD-ja ka paraqitur emrat e anëtarëve. Ndërsa LSI-ja, PS-ja dhe PBDNJ-ja nuk kanë paraqitur ende emrat e tyre, duke tejkaluar afatin e vendosur nga KQZ-ja. Nisur nga ky vakuum i krijuar, kreu i KQZ-së, Arben Ristani u ka bërë apel edhe ndërkombëtarëve, për të zhbllokuar këtë situatë. Sipas burimeve pranë KQZ-së, mësohet se LSI-ja do t’i paraqesë ditën e sotme emrat e anëtarëve të KZAZ-ve. Ndërkohë janë në pritje që një veprim të tillë ta realizojë edhe PBDNJ-ja. Partia Socialiste ka vendosur që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme, duke mos dërguar anëtarë të saj në këto komisione, KQZ-ja mbetet me shpresën se PBDNJ-ja do të plotësojë vendet vakante të lëna bosh nga ana e PS-së. Në bazë të nenit 29, pika 1/a “ngritja e KZAZ bëhet në këtë mënyrë, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare. Në rast se nuk arrihet baraspeshimi politik, sipas kësaj shkronje, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë”. Në rast se nuk plotësohen me anëtarët e partive, KQZ-ja në bazë të nenit 29, pika 8 “i emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje”. Çka do të thotë se KQZ në ditën e zgjedhjeve mund t’i caktojë vetë këto anëtarë.