Meta: Bojkoti i PS-së, i paarsyeshëm
Bojkoti i Partisë Socialiste është tërësisht i paarsyeshëm, pasi kjo forcë ka propozuar vetë ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Zëvendëskryeministri Ilir Meta, doli dje sërish kundër vendimit ekstrem të partisë më të madhe opozitare për të bojkotuar institucionin më të lartë të shtetit shqiptar. Këto deklarata zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta i bëri gjatë shoqërimit të ministrit të Jashtëm turk në qytetin e Shkodrës. “Bojkoti i PS-së është tërësisht i paarsyeshëm, sepse ato mangësi që u vërejtjen gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit erdhën si produkt i diktatit të PS-së në Kodin Zgjedhor. Alternativa e bojkotit është alternativë e vjetruar, prandaj opozita duhet të jetë prezente, që të paraqesë para shqiptarëve, vullnetin e mirë në rrugën e integrimit”, deklaroi Meta. Kreu i LSI-së, kohë më parë ftoi PS-në për të kontribuuar sërish në lidhje me reformën zgjedhore në vend, për të realizuar ato kërkesa që janë paraqitur nëpërmjet raportit përfundimtar të OSBE-së dhe të ODIHR-it në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Gjatë vizitës së tij në Shkodër, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve dhe në lidhje me marrëveshjen e kufijve detarë mes Greqisë dhe Shqipërisë. “Opozita mund të vijë dhe të ndjekë këtë çështje në rrugë institucionale, sepse vetëm në këtë mënyrë kjo çështje mund të marrë zgjidhje. Unë e kam theksuar edhe herëve tjera se opozita është e lirë të vijë në të gjitha institucionet si në Ministrinë e Jashtme dhe në ministrinë e Brendshme, që përfaqësuesit e PS-së të vijnë dhe të sqarojnë të gjitha çështjet rreth kufirit me Greqinë. Shqipëria ka qenë çdo herë në raport me politiken e jashtëm, në frymën e fqinjësisë së mirë”, deklaroi Meta. Opozita ndërkohë ka ndërmarrë vendimin e saj për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndarjen e kufijve detarë, duke e cilësuar si në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. PS-ja ka ngritur një grup pune në lidhje me marrëveshjen dhe në të njëjtën kohë kërkon që Qeveria të bëjë transparente atë. Në lidhje me liberalizimin e vizave Meta u shpreh se: “Kjo qeveri që nga krijimi i saj ka bërë disa hapa të rëndësishëm dhe besoj se Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës do hapin dritën jeshile, që Shqipëria të përfitojë nga liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian”. Shqipëria shpreson që brenda vitit 2010 të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave me vendet e BE-së, duke iu bashkangjitur vendeve të tjera të Ballkanit, si Maqedonia dhe Bosnja.
Reforma zgjedhore
Raporti më i fundit i OSBE-së dhe ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit vitit 2009 kërkon përmirësimin e atyre neneve që hasën probleme gjatë këtij procesi. Në lidhje me këtë Kryeministri Berisha dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta kanë ftuar sërish PS-në që të jetë ajo që të propozojë amendimet e reja të Kodit Zgjedhor, duke shprehur vullnetin e maxhorancës që të realizojnë ndryshimet e kërkuara nga ndërkombëtarët.