E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendim “historik” i gabuar...

KASTRIOT ISLAMI 

Të shtunën ASK e PSSH mori vendimin e radhës në logjikën e bojkoteve
 Kjo është hera e parë në historinë e demokracisë shqiptare, që merret vendim politik për të bojkotuar zgjedhjet. Për herë të parë në këto 20 vjet PSSH nuk dihet se ku po shkon... Askush nuk ka një përgjigje kur dhe si përmbyllet ky aksion ekstrem... As si dilet nga ky qark veprimesh ekstremiste... Dhe për më tepër për të bindur audiencën për vendosmërinë e kësaj vendimmarrje shtohet se: “Radhën tjetër, nuk do të lejohet të zhvillohen zgjedhjet vendore të vitit 2011”, pa thënë sesi do të bëhet kjo dhe nëse qenka e mundur të çohen veprimet radikale deri në këtë shkallë përse nuk bëhet një provë që këtë radhë me zgjedhjet e pjesshme? Dhe pyetja që askush nuk i jep përgjigje sot është: Nëse PSSH futet në Kuvend pa u pranuar të hapen kutitë e votimit nga maxhoranca (sepse me siguri kjo do të ndodhë një ditë) cila do të jetë alibia pas gjithë këtyre arsyetimeve dhe bojkotove e protestave; çfarë do t’i thuhet votuesve, si do të përballohet politikisht që të ruhet faqja në përballjen me maxhorancën?
Pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 maxhoranca dhe opozita po përballen midis tyre në disa plane. Qëllimi i opozitës është i qartë delegjitimimi i maxhorancës, kurse maxhoranca kërkon natyrshëm të fusë procesin në rrjedhat normale. Një bast politik i vështirë, atipik për një vend të NATO dhe kandidat për në BE, por tipik ballkanik dhe i përsëritur në Shqipëri. I “suksesshëm” vetëm në 1991 me ndryshimin e regjimit dhe në 1996 para kolapsit politiko-ekonomik të vitit 1997 dhe i dështuar në të gjithë rastet e tjera. Në të gjithë rastet i humbur nga opozita dhe vetëvrasës për të... Mbetet për ta testuar në këtë rast... Vendimi për “legjitimitetin e cunguar të institucioneve” është kthyer në objektivin e vetëm politik të PSSH dhe “kauzë” e saj... Mekanizmat për arritjen e këtij objektivi janë bojkoti i Kuvendit, i zgjedhjeve të pjesshme e protestat dhe dje u tha edhe “mos lejimi i zhvillimit të zgjedhjeve të vitit 2011”. Objektiv dhe praktika me shumë rreziqe dështimi. Dhe nëse është “i suksesshëm” një precedent i rrezikshëm....
Përballja në disa plane...
Kjo përballje po kryhet në disa plane...Në planin legal. Në planin moralo-politik. Në planin institucional. Nisur nga fakti që pozicionet e maxhorancës e të opozitës janë diametralisht të kundërta zgjidhja duket e pamundur. Ndërlidhja e kësaj situate të paqartë me zhvillimin apo qëndrimin bojkotues ndaj zgjedhjeve vendore të pjesshme dhe mesa duket më tej të atyre të vitit 2011 mund të komplikojnë më shumë situatën politike. Sidoqoftë, përballja në planin moralo-politik mbetet për t’u ndjekur... Më konkretisht, pyetja që shtrohet është se sa e vendosur do të jetë opozita për të arritur objektivin e fitimit të zgjedhjeve të ardhshme përmes veprimeve radikale jashtë sistemit? Kjo duket jo shumë premtuese. Dhe sa e qëndrueshme do të jetë maxhoranca e vetme pa opozitë në Kuvend? Kjo mbetet për t’u parë e ndjekur. Çfarë do të ndodhë me koalicionin Berisha-Meta dhe si do të perceptohet qeverisja nga publiku? Gjithçka mund të ndodhë, por me shumë gjasa duket se opozita do të jetë më e dobët përballë maxhorancës në zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe se Kuvendi do të ketë jetëgjatësinë normale katërvjeçare. Dhe nëse partnerët ndërkombëtarë do të mbështesnin precedentin e arritjes së fitimit të zgjedhjeve me rrugë radikale jashtë sistemit? Megjithatë gjithçka është vështirësisht e parashikueshme me saktësi momentalisht.
Në planin legal, qëndrim unik për rezultatin zgjedhor....
Maxhoranca dhe opozita kanë pozicion të përputhur legal pra, kanë pranuar legalisht: i) sistemin elektoral, sistemin e identifikimit të zgjedhësve, të kryerjes së fushatës zgjedhore, të mediatizimit të fushatës, të financimit, administrimit, të ankimimit, e tjerë e tjerë të miratuara në Kodin Zgjedhor me konsensusin e tyre, ii) të gjithë etapat e procesit duke filluar nga fushata deri në publikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe iii) ajo që është më e rëndësishmja kanë pranuar nga pikëpamja legale rezultatin e zgjedhjeve. Pra, legalisht maxhoranca dhe opozita janë deklaruar se shifrat e publikuara të rezultateve janë legjitime. Pra në planin legal ka përputhshmëri të plotë të qëndrimeve midis maxhorancës dhe opozitës. Ky fakt favorizon qëndrimin e maxhorancës, sepse mbi këtë bazë ajo ka përcaktuar qëndrimet e saj në planet politike e institucionale. 
Në planin moralo–politik, pozicione diametralisht të kundërta..
Maxhoranca dhe opozita janë në pozicione totalisht të kundërta në planin moralo-politik. Maxhoranca natyrshëm e konsideron Kuvendin dhe të gjithë institucionet e rrjedhura prej tij legjitime. Ky përfundim i saj bazohet në qëndrimin jo vetëm të saj, por edhe të opozitës për pranimin e rezultatit zgjedhor në planin legal, si dhe raportit të faktorit ndërkombëtar. Për maxhorancën ndërlidhja midis konkluzionit legal dhe moralo-politik duket koherente. Kurse opozita përmes një vendimi politik të brendshëm dhe bazuar në një seri “faktesh” të grumbulluara prej saj ka arritur në përfundimin se “zgjedhjet prodhuan institucione me legjitimitet thellësisht të cunguar..”. Ky përfundim politik i opozitës do të ishte në koherencë të plotë me qëndrimin e saj legal nëse opozita do të kontestonte me argumente ligjorë rezultatin e zgjedhjeve, gjatë procesit zgjedhor ose eventualisht në vijim të tij. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Për rrjedhojë qëndrimi politik i opozitës shfaqet kontradiktor me qëndrimin e saj legal, pra jo shumë bindës racionalisht ndonëse i absorbueshëm emocionalisht nga një pjesë e militantëve të saj. Për më tepër ky qëndrim i saj nuk gjen mbështetje as në vlerësimin e vëzhguesve ndërkombëtarë. Sidoqoftë opozita të gjithë veprimet e saj të mëtejshme i ka bazuar në këtë qëndrim, pa u shqetësuar as për koherencën me qëndrimin e saj legal dhe as për raportin e deklaratat e ndërkombëtarëve e madje, duke dalë hapur kundër qëndrimit kritik ndërkombëtar për bojkotin e Kuvendit. Në planin moral opozita ka fituar mbështetje të aleatëve jashtë Parlamentit dhe të një pjese të militantëve, të cilët shprehen të interesuar të dinë nëse ka pasur ose jo manipulime dhe në çfarë mase. Por kjo nuk duket për shumë arsye të jetë as masive dhe as afatgjatë.
Në planin institucional...
Opozita me bojkotin e Kuvendit dhe protestat është kthyer në opozitë ekstraparlamentare. Bile me bojkotin e zgjedhjeve vendore ajo po kthehet në një opozitë ekstrasistem. Kurse me artikulimin e fundit “për të bllokuar zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore” nuk kuptohet qartë se çfarë intensiteti do të marrë veprimi radikal por kjo quhet opozitë antisistem. Kurse maxhoranca me një shumicë të ngushtë që nuk i lejon kalimin e ligjeve me shumicë të cilësuar po tenton të japë përshtypjen e një normaliteti të funksionimit institucional, gjë që realisht duket se çalon. Maxhoranca e mbështetur edhe nga ndërkombëtarët i bën thirrje gati të përditshme opozitës për të filluar negociatat dhe kryer të gjithë reformat në kuvend. Maxhoranca po përdor edhe çështjen e liberalizimit të vizave e të fitimit të statusit të vendit kandidat për ta përballur opozitën me publikun dhe ndërkombëtarët e kompleksuar atë me një çështje që është shumë e ndjeshme për publikun. Opozita me bojkotin dhe protestat shpreson se do të detyrojë maxhorancën për të pranuar kushtet e saj dhe ndoshta edhe për ta destabilizuar e delegjitimuar atë më tej. Maxhoranca mendon se koha së paku deri në zgjedhjet vendore të vitit 2011 punon në favor të saj, opozita do të lodhet nga protestat dhe deputetët nga bojkoti i cili kanë një limit kushtetues prej 6 muajsh kur ata mund ta humbin fare mandatin. Ndërkombëtarët për momentin po vëzhgojnë duke i sugjeruar opozitës të shkojë në Kuvend. Ata nuk duan të bëhen në këto momente moderatorë duke ja lënë zgjidhjen palëve shqiptare. Por një gjë është e sigurtë se faktori ndërkombëtar në përgjithësi është qartësisht e unanimisht kundër bojkotit e nuk ka ndërmend t’i bëjë presion maxhorancës të pranojë zgjidhje ekstraparlamentare apo të japë këshilla për hapjen e kutive. Në këtë plan opozita duket më e defavorizuar dhe koha sikur punon jo në favorin e saj. Ndërkohë, lidershipi i opozitës vlerëson se koha punon në favorin e saj... dhe pret frytet e veprimeve të saj radikale?!
Qëndrimi i vëzhguesve ndërkombëtarë kundër opozitës....
Në planin legal po të lexohet me vëmendje raporti i OSBE/ODHIR rezulton se qëndrimi i tyre përputhet plotësisht me qëndrimin e përbashkët të maxhorancës dhe opozitës për pranimin e rezultatit në planin legal. Ky qëndrim është mbështetur edhe nga OSBE, BE, SHBA dhe KE. Konkretisht për çështjen e legjitimitetit të zgjedhjeve vëzhguesit ndërkombëtarë pohojnë se: “Numërimi i votave ishte i keq apo shumë i keq në 22 nga 66 Qendrat e Numërimit të Votave (QNV) (nga të cilat në 12 shumica e komisionerëve i përkiste opozitës dhe në 10 shumica e komisionerëve i përkiste maxhorancës, pra sipas tyre të dy palët janë njëlloj përgjegjëse).., si rezultat i “...mangësive procedurale për shkak të pamjaftueshmërisë së trajnimit dhe të orientimit të komisionerëve...”,  duke shtuar në trajtë shumë të qartë se “... nuk pati asnjë provë (fakt) për numërim të parregullt ose manipulim të rezultatit dhe as parregullsi të konsiderueshme në QNV përveç bllokimit në disa prej tyre..”. Natyrisht që vëzhguesit flasin në planin legal duke mos ndërhyrë në qëndrimet politike të maxhorancës e opozitës. Ky qëndrim nuk justifikon qëndrimin politik të opozitës për “institucione me legjitimitet thellësisht të cunguar”. Ndërkombëtarët, kryesisht evropianë por edhe OSBE janë deklaruar haptas më tej kundër bojkotit pasi kanë mbështetur raportin e OSBE/ODIHR. Ata nuk janë shprehur për “hapjen apo mos hapjen e kutive”, ndonëse në trajtë implicite kanë lënë të kuptohet se “legalisht procesi zgjedhor është mbyllur në 1 gusht 2009”, duke e konsideruar këtë një çështje të brendshme të Shqipërisë. E thënë më shkoqur, ndërkombëtarët i konsiderojnë zgjedhjet një “kapitull i mbyllur me arritjet dhe mos arritjet përkatëse, duke sugjeruar rekomandime me orientim nga e ardhmja pra, për të përmirësuar gjithçka duhet, që në betejat e ardhshme standardet të plotësohen plotësisht”. Duke e konsideruar Shqipërinë vend anëtar të NATO-s e për rrjedhojë “...mjaftueshmërisht të maturuar..”, ndërkombëtarët nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim tjetër moderator (siç ka ndodhur në të kaluarën) duke ia lënë detyrën e gjetjes së zgjidhjes së këtij ushtrimi klasës politike shqiptare. Në pozicionet diametralisht të kundërta ku ndodhen maxhoranca e opozita zgjidhja momentalisht duket e pamundur. Dhe për më tepër përballë qëndrimit ndërkombëtar maxhoranca është relativisht në pozicion më të favorshëm.
Pasojat e këtyre zhvillimeve...
Më e defavorizuar duket opozita, që shprehet hapur për qëndrimet e veprimet e saj radikale, jo mirë të programuara, jo fort koherente, jashtë institucionale, pa opsione, në kontradiktë me qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha pa një strategji ku do të shkohet dhe daljeje nga veprimet e bojkotit e të protestave, praktika këto komplekse dhe përgjithësisht ta pasigurta për të garantuar sukses, për të mos thënë me probabilitet të lartë dështimi. Opozita përfundimisht është futur në spiralen e veprimeve radikale, jashtë, anti dhe kundërsistem e bindur se kjo është e vetmja rrugë suksesit të saj në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, duke penguar zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore të vitit 2011. Por edhe indiferenca e maxhorancës, ndoshta për të shmangur çdo lloj provokimi eventual ndaj opozitës, nuk është fort optimale. Sidoqoftë, e gjithë kjo është një skemë me gjasat e suksesit e dështimit por me siguri një precedent pa asnjë mbështetje ndërkombëtare dhe një fat që vetë shqiptarët do të duhet të bashkëndanin pasojat e saj. Dhe nëse nuk ndërhyhet në kohën e duhur situata mund të agravohet, këto zhvillime mund të shoqërohen me pasoja në çështjen e integrimit dhe mbi të gjitha në atë më të ndjeshmen për liberalizimin e vizave, megjithëse kjo duket e përjashtuar deri tani. Opozita po gjykon si opsion të vetëm suksesi tërheqjen e vëmendjes së ndërkombëtarëve duke krijuar deligjitimitet/destabilitet të institucioneve me arsyetimin se ata shqetësohen më shumë për stabilitetin/sigurinë sesa demokracinë në Shqipëri dhe si rrugë për arritjen e këtij opsioni mos dëgjimin e këshillave të ndërkombëtarëve. Kjo duket paksa kontradiktore e paradoksale sepse nga njëra anë shpërfillen e kundërshtohen të gjithë vlerësimet e këshillat e BE, OSBE dhe KE për zgjedhjet a për t’u futur në Kuvend dhe nga ana tjetër tentohet të sigurohet mbështetje perëndimore deri edhe nga Internacionalja Socialiste.
Aktualisht zgjidhja duket e pamundur....
Nga qëndrimet aktuale zgjidhja duket e pamundur sepse nuk ka asnjë pikë takimi. Kjo marrëdhënie komplikohet se maxhoranca flet legalisht dhe opozita vetëm moralisht. Nuk ka as dialog por vetëm dy monologë të cilat fatkeqësisht zhvillohen në distancë e virtualisht përmes deklaratave për shtyp. Ndërkohë që komforti politik i maxhorancës lidhet me shumicën e saj në Kuvend dhe bazën kushtetuese e ligjore (të ndryshuar me konsensusin e dy palëve vitin e kaluar) që garanton stabilitet të mjaftueshëm të sistemit politik. Maxhoranca duket se nuk do të pranojë në asnjë rast kërkesën e opozitës për “hapjen e kutive” nga Kuvendi, të cilën e konsideron antiligjore dhe/ose pa argumente e referenca të qarta ligjore. Maxhoranca ka lënë të hapur si rrugë ligjore vetëm atë përmes prokurorisë e gjykatës. Ndërkohë që opozita ka ofruar miratimin e një ligji special, që nuk është gjë tjetër veçse një veprim tipik i një OJF apo partie jashtëparlamentare, aq më tepër që PSSH ka 64 deputetë. Nisma e fundit për mbledhjen e firmave për një projektligj special duket më shumë një mekanizëm për mbajtjen gjallë të frymës së protestës. Pra, edhe kjo nismë e ka të vështirë të rrisë presionin ndaj maxhorancës. Opozita bazuar në kërkesën e saj politike për “hapjen e kutive” ka përcaktuar marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendin (e thënë shkoqur ka bojkotuar kuvendin) duke kërkuar pranimin e parakushteve i) hapjen e kutive, ii) drejtimin e komisionit hetimor dhe iii) zotërimin e maxhorancës në komisionin hetimor. Maxhoranca është përgjigjur se pranon kërkesën ii) dhe iii) por nuk pranon kërkesën për “hapjen e kutive” duke sugjeruar ndjekjen e hetimit përmes rrugës legale. Ndërkohë, kryetari i KQZ ka deklaruar se ka të drejtën ligjore të përcaktuar në Kodin Zgjedhor për të trajtuar materialet zgjedhore pas përfundimit të zgjedhjeve. Nga ana tjetër opozita bazuar në kërkesën e saj politike ka bërë thirrje që ky proces të pezullohet deri në hapjen e kutive.  Maxhoranca ka replikuar duke pohuar se kjo është një praktikë ligjore që është aplikuar gjatë këtyre 18 vjetëve. Sidoqoftë ky veprim ka nevojë mesa duket për një kalkulim politik dhe maxhoranca mesa duket preferon të mos jetë provokuese për këtë çështje. Protestat e opozitës maxhoranca i ka konsideruar “..absurde, por edhe një të drejtë të tyre legjitime”.  Forca e këtij mjeti politik varet nga kohëzgjatja, e cila është e vështirë të llogaritet, por eksperienca ka treguar se protestat e tilla nuk kanë pasur jetën e gjatë. Mungesa e një pike takimi midis qëndrimeve diametralisht të kundërta e pasuar me bojkotin e kuvendit, me protestat dhe më tej bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme vendore  apo moslejimin e zhvillimit të zgjedhjeve të vitit 2011 flasin kundër gjetjes së një zgjidhjeje që çdo ditë duket më e pamundur. Kjo e bën rrugën e PSSH të paqartë...
Shumë pikëpyetje? PSSH nuk dihet se ku po shkon .....
Nuk është e qartë sesi maxhoranca do të mund të pranojë apo do të detyrohet të pranojë kërkesën e opozitës për “hapjen e kutive”? Përmes bojkotit nuk del e qartë përse maxhoranca do të detyrohej të pranonte kërkesën për hapjen e kutive? As sesi përmes protestave? Për sa kohë, edhe kjo nuk dihet? Po ashtu nuk kuptohet përse bojkoti i shoqëruar me protestat do të rrëzonte maxhorancën aktuale? Nga ana tjetër shtrohet pyetja sa gjatë Kuvendi mund të “jetonte” pa opozitë? Po ashtu shtrohet pyetja nëse koha është një element që punon kundër bojkotit apo kundër stabilitetit të Kuvendit? Nëse bojkoti zgjat 6 muaj, shtrohet pyetja nëse deputetët aktualë të opozitës që bojkotojnë mund të pranonin të humbin të gjithë apo pjesërisht mandatin (edhe kjo ndoshta është e interpretueshme)? Dhe çfarë mund të ndodhte në këtë rast? Nëse ky moment do të ishte një kërcënim për zgjedhje të parakohshme? Po ashtu do të lindë pyetja nëse ky precedent do të përsëritej pa fund sa herë që opozita nuk do të ishte e kënaqur politikisht me rezultatin e zgjedhjeve? Dhe nëse ndërkombëtarët do ta mbështesnin këtë precedent? Nëse do të lodhej e dëmtohej/rrudhej opozita plotësisht a pjesërisht apo më shpejt maxhoranca do të cedonte përballë bojkotit apo protestave për pranimin e kërkesës së hapjes së kutive? A është e mundur ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të imponuar maxhorancën të pranojë kërkesën e opozitës, apo vetëm do të kërkojnë që maxhoranca e opozita të diskutojnë dhe të gjejnë zgjidhjet në kuvend, institucionalisht, ligjërisht dhe me orientim nga e ardhmja? A janë bojkotimi i zgjedhjeve të pjesshme lokale apo pengimi i zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme vendore veprime radikale të suksesshme të opozitës në funksion të arritjes së qëllimit të saj politik, apo do të ishte e kundërta?  A do të mbështetej precedenti për të arritur qëllimet politike përmes veprimeve radikale e jashtë/antisistem të bojkotit e protestave dhe a do të pranohej ai nga maxhoranca e mbështetej nga ndërkombëtarët? A ka opozita një plan të qartë veprimi me disa opsione (plan A dhe/ose plan B) për të arritur fitoren përmes radikalizimit dhe mbi të gjitha një strategji daljeje? Çfarë do të bëjë elektorati i saj nëse bojkotohen të gjithë betejat zgjedhore?... Dhe së fundi: Kush do ta fitonte këtë betejë atipike për një vend anëtar të NATO-s dhe potencialisht kandidat për në BE? PSSH nuk ka asnjë përgjigje të qartë dhe akoma më pak një plan veprimi, pra nuk e ka aspak të qartë fatkeqësisht se ku po shkon...
Shënim: Kjo do të ishte fjala në mbledhjen me dyer të mbyllura të ASK.  Preferoj t’ia përcjell publikut sepse atje vendimi ligjor ishte marrë disa ditë më parë për shkak të tejkalimit të afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor (e thënë ndryshe kjo mbledhje ashtu edhe ajo e kryesisë bëhej “pas pilafit”). Politikisht ky vendim ishte deklaruar para disa ditësh publikisht nga një kryetar i një partie aleate e pastaj nga Edi Rama. Vendimi aposteriori pra, pas marrjes së vendimit kishte vlerë nul, argumentet racionalë nuk do të kishin asnjë rëndësi. Të vërtetën e tha në mënyrë naive dikush kur pranoi se “zgjedhësit nuk do të vijnë për të votuar dhe ne do të humbim”.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›