E Hënë, 2 Nëntor 2026

Këto janë zgjedhjet e “komisionerëve”

19/03/2005  Eshtë e qartë se zgjedhjet kanë filluar. Nëse do të llogaritim këtu se në të vërtetë pjesë esenciale e një beteje elektorale janë përgatitjet teknike për fushatën, komisionerët e qendrave të votimit, ngritja e ekipeve elektorale dhe parapërgatitje të tjera, zgjedhjet e kësaj vere, kanë filluar që me hyrjen e pranverës.

Këto zgjedhje, kur duket se në Shqipëri janë provuar të gjitha metodat për manipulimin e zgjedhjeve, duke filluar nga kontrolli i pushtetit mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nga përdorimi i policisë, shërbimet sekrete, përdorimi i mjeteve financiare shporporcianale mes palëve politike, masakrimi i listave, kanë një mundësi të vetme për ta prishur: komisionerët. Njerëzit, të cilët do të bëjnë teknikisht të mundur votimin, njerëzit, të cilët do të përgatisin dhe do të numërojnë votat në çdo cep të votave, duket se janë pikërisht ata: komisionerët.

Këtu duket se është përqëndruar e gjithë vëmendja e atyre që kanë ndërmend dhe kanë mundësi të manipulojnë zgjedhjet. Janë komisionerët, ata që do të jenë objektivi kryesor për trukimin e zgjedhjeve. Blerja e komisionierëve, kryesisht blerja dhe pastaj shtrëngimi dhe manipulimi i komisioneve të opozitës, do të jetë, me sa duket, metoda kryesore e manipulimit të kësaj beteje elektorale vendimtare.

Po shohim tre-katër zgjedhjet e fundit, roli i komisionerëve ka qenë në plan të dytë në raport me format e tjera të manipulimit, por, megjithatë, kanë ndodhur aq ngjarje dhe detaje sa për të krijuar një panoramë të asaj se çfarë ndodh me komisionerët e thjeshtë të qendrave të votimit.

Gjëja e parë dhe më kryesore është fakti që komisionet, të cilët deri më tani është zakon t’i caktojë partia, shiten dhe blihen lirshëm kundrejt të gjitha trafiqeve të votës. Mjaftojnë analiza e tre zgjedhjeve të fundit për të kuptuar se ata komisionerë, që kanë caktuar degët dhe seksionet lokale të partisë për të mbrojtur votën e kandidatëve dhe partisë, janë më të “joshurit” nga shitblerja e kundërshtarit. Kjo ka ndodhur në zgjedhjet lokale të vitit 2000, kjo ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2001, kjo ka ndodhur në zgjedhjet lokale të vitit 2003.

Shitblerja dhe rreziku i tmerrshëm, që përfaqëson kjo për komprometimin e këtyre zgjedhjeve, dhe në përgjithësi në komprometimin e demokracisë shqiptare në përgjithësi. Ndaj, në këto zgjedhje është rasti të shihet, apo më saktë të rishihet me themel “problemi i komisionerëve”. Dhe më gjerë është rasti të rishihet me themel problemi i “elektoralizimit të partive politike në Shqipëri”.

Sistemi politik shqiptar, mbështetur mbi traditën tonë politike, por dhe në atë evropiane, ka vendosur në qendër të jetës politike partitë politike. Kjo i jep një rëndësi të jashtëzakonshme “partisë” në të gjithë vendimmarrjen politike, dhe bashkë me këtë edhe të drejtuesve partiakë, të funksionarëve partiakë të çdo rangu, të aparatçikëve të llojllojshëm.

Por, duket se nuk mund të vazhdojë dot më kjo mënyrë, e cila ka nevojë të reformohet në mënyrë radikale. Në mos radikale në mënyrë esenciale. Gara elektorale, gjithnjë e më e vështirë, bën të domosdoshme që në qendër të jetës politike të vendosen kandidatët për deputetë në zgjedhjet e përgjithshme dhe kandidatët për kryetar bashkie, apo komune në zgjedhjet lokale.

Eshtë kandidati dhe fitorja e tij në zgjedhje, objektivi kryesor i zgjedhjeve dhe, në fund të fundit, i ekzistencës së vetë partive politike. Dhe nuk është e anasjella, pra kandidati në funksion të partisë. Jeta politike amerikane na e ka bërë këtë leksion me kohë. Po ashtu, edhe në shumë vende evropiane në dekadat e fundit partitë politikë janë duke u elektoralizuar me shpejtësi. Kështu mund të përmendim Partinë Popullore të Spanjes të ish – kryeministrit Aznar, partinë Forca Italia të Silvio Berluskonit, apo Bashkimit e Lëvizjes Popullore të Francës, të kryesuar së fundi nga Nikola Sarkozi. Të tre këto formacione janë duke shkuar me shpejtësi drejt elektoralizimit të plotë.

Duke u kthyer te një prej aspekteve të elektoralizimit të partive, që duhet t’i përfshijë me shpejtësi partitë shqiptare, çështja e komisionerëve është një problem që duhet të marrë udhë. Është rasti që këtë herë kandidatët për deputetë të jenë ata që do të duhej të caktojnë komisionerët e qendrave të votimit.

Kjo nuk do të thotë se ata nuk do të bashkëpunojnë më partinë, por janë, në fund të fundit, kandidatët dhe jo aparatçikët e partisë, ata që rrezikojnë më shumë në zgjedhje. Komisionerët, në radhë të parë, duhet të jenë njerëz që të gëzojnë besimin e kandidatëve për deputetë dhe jo vetëm të zyrtarëve lokalë të partisë.

Kjo reformë kthehet në jetike, sidomos për opozitën, kur dihet se këto zgjedhje do të jetë pikërisht zgjedhjet, që do të garantohen apo prishen nga komisionerët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›