Korrieri i heroinës bllokon kartën e celularit
19/03/2005 Edmond Tari,24 vjeçari nga Manëza e Durrësit, në autoveturën e të cilit u gjetën 16,4 kilogramë lëndë narkotike duke tentuar të udhëtonte drejt Italisë, ka mundur të nxjerrë kartën e telefonit nga celulari para se të arrestohej. Ndërsa hetuesve të krimeve të Rënda u ka pohuar se nuk i mbante mend numrat e kodit për hapjen e saj. Kjo hallkë ka bërë të pamundur identifkimin e bashkëpunëtorëve të tij të mundshëm shqiptarë. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol”, nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithsme të cilat sqaruan se karta i është përcjellë kompanisë celulare që i përket me qëllim zhbllokimin e mundshëm të saj. Nga burimet mësohet se nëse karta telefonike e korrierit të heroinës do të zhbllokohet, aty dyshohet të gjenden numra të personave që mund të jenë bashkëpunëtorët e tij ose organizatorët e këtij rrjeti të dyshuar. Sipas burimeve, dyshohet që 24-vjeçari Tari ta ketë kryer me qëllim këtë veprim dhe njëkohësisht mendohet se ai e di numrin e PINIT të kartës, por nuk e tregon me dashje. Kjo edhe pasi në dëshminë e dhënë fillimisht ai nuk ka treguar emrin e vërtetë të jogosllavit të cilit i përkiste autovetura të cilën drejtonte. Kjo pasi nga verifkimet e kryera rezulton se shtetasi jugosllav që Tari pretendonte se i kishte dhënë autoveturën nuk qyhet Mikele, por ka tjetër identitet tjetër. Sipas prokurorisë pronari i autoveturës tip “Opel” me targa italiane BB 088 FC, quhet Johanoviç Miloradi. Kjo është konkluduar pas verifikimit të dokumnetacionit përkatës së autoveturës. Gjithashtu, hetuesit dyshojnë se jugosllavi mund të mos ketë patur dijeni mbi aktivitetin kriminal që ushtronte 24-vjeçari Tari. Burimet sqarojnë se Tari dispononte një akt përdorim të autoveturës të jugosllavit e cila ishte e noterizuar dhe me aprovimin e vetë Miloradit. Nga deklarimet e dhëna prej 24-vjeçarit nga Manëza e Durrësit është mësuar se shtetasi jugosllav zotëronte një sipërmarrje të vogël ndërtimi në Itali. Ndërsa vetë Tari ishte i punësuar prej tij.