E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ago Nezha me “Shtëpia në amfiteatrin e pemëve”

16/06/2009  “Shtëpia në amfiteatrin e pemëve” është një nga botimet më të fundit mbi bujqësinë. Libri i prof. dr. Ago Nezha është një udhëtim në vite në të katër anët e vendit, nga Veriu në Jug. Ai ka grumbulluar nektarin e krijimtarisë së tij, si bleta lule më lule, për njerëzit dhe veprimtaritë bujqësore. Duke udhëtuar në ngastrat e njerëzve të bujqësisë, duke filluar nga majat me disa ministra dhe duke zbritur shkallët gradualisht te fermeri, nga shkencëtari te bariu, nga profesori te nxënësi, nga Veriu në Jug, atje nga vjen e ngrohtë aroma e ugarit, fëshfëritja e flladit të gjetheve të pyllit, blegërima e deleve dhe simfonia e zërave të bukur të natyrës së fshatit.

Njerëzit e bujqësisë, jo vetëm bujku e blegtori, por edhe specialisti e deri te ministri, na jepen me nota realiste, se kanë qenë të privuar nga jeta e dëfrimeve, çlodhjes, gëzimeve familjare e shoqërore. Specialistët e bujqësisë, si rrallëkush nga profesionet e tjera, nuk kanë pasur frymën e mohimit apo injorimit të kolegëve të tyre, të xhelozisë apo ambicies cinike profesionale, të paragjykimeve politike apo krahinore, përkundrazi, kanë pasur dashuri dhe solidaritet shoqëror për njëri-tjetrin. Kjo frymë humane vjen edhe për faktin se njerëzit që jetojnë e punojnë në vështirësi janë më njerëzor, më tokësor, më afër realitetit. Edhe në këtë libër ata do t’i gjejmë bashkë, të flasin e bisedojnë me gjuhën e thjeshtë të njerëzve të punës, të ndershëm, të sakrifikuar bashkërisht, pa hierarkinë e gradave dhe të titujve. Strukturat shtetërore e shoqërore pak kujdes kanë bërë për njerëzit e bujqësisë, por edhe vetë ne i kemi borxhe të mëdha vetvetes.

Libri i autorit Ago Nezha është një “autostradë” që po të ecësh nëpër faqet e tij, prek tërë nervat e bujqësisë shqiptare në tërë hapësirën shoqërore.

Ky libër është parë si një detyrim i autorit dhe njëkohësisht një homazh për veprën e atyre që nuk jetojnë më dhe një buqetë me lule për ata që ende nuk e kanë humbur nuhatjen dhe shijen e bukur të jetës edhe kur ajo është e vështirë.

Autori u uron lumturi heronjve të heshtur të bujqësisë, në prehrin e demokracisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›