E Diel, 1 Nëntor 2026

Agolli: “Baltës se qeverisë do t’i përgjigjemi me fakte”

 

Vazhdon epopeja e tokës në qendër. Konflikti i Bashkisë së Tiranës me dy Ministritë, të Brendshmes dhe Punëve Publike, është lakuar sërish dje. Administratori i Bashkisë, Dritan Agolli, ka folur për mediat lidhur me pretendimet që kanë ngritur ministritë përkatëse përmes disa dokumenteve të publikuara, se toka në qendër është pronë shtetërore. Për të mbrojtur tezën e pronës private, Agolli ka ri-shpjeguar edhe njëherë dokumentet që disponohen nga Bashkia që, sipas tij, vërtetojnë pronësinë e familjes Kika. “Jam këtu përpara jush sot, për t‘iu përgjigjur baltës së hedhur këto dy ditë nga ana e Ministrive të Punëve Publike dhe asaj të Brendshme, mbi konfliktin antiligjor të krijuar nga ana e tyre. Bashkia e Tiranës, në mënyrë të vazhdueshme do t’i përgjigjet baltës së politikës, vetëm me të vërtetën, të mbështetur në prova dhe fakte”, u shpreh Agolli. Sipas tij, certifikata e pronësisë së familjes Kika vërteton më së miri faktin që ajo është pronë private, për të mos vazhduar me lejen e ndërtimit dhe vendimet e KRRT-së. Një tjetër temë që administratori ka prekur ka qenë ajo e akuzave që i janë bërë Bashkisë. “Ministria deklaroi se Bashkia reagon pasi është e lidhur me grupe të errëta, por nuk jep asgjë konkrete. Bashkia i kërkon Ministrisë të deklarojë se kush nga pronarët, komuniteti mysliman, apo familja Kika, apo kush nga ndërtuesit, kompania Edil-al apo kompania Fati, janë grupe të errëta?!”, tha Agolli. Pas kësaj, ai nuk ka harruar që t’i bëjë thirrje Prokurorisë në emër të institucionit ku ai punon që të hetojë me precedencë kallëzimin e bërë nga ana e kësaj të fundit. Sipas Agollit, kjo duhet të bëhet për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë ata shtetarë, që në shkelje të ligjit, penguan Inspektoratin Ndërtimor dhe Urbanistik të kryejë funksionet e tij, në bazë të ligjit dhe arrestuan Inspektorin e Lartë, në krye të detyrës. Ndërkaq dy ditë më parë Ferdiand Poni, Kryetari i Këshilltarëve të PD në bashkinë e kryeqytetit, akuzoi kreun e saj Edi Rama, si fajtor të përplasjes fizike në qendër të Tiranës. “E kanë kthyer atë në shërbim të interesave të grupeve të ndryshme të ndërtimit, që nuk ndalen para asgjëje, as nga fakti që nuk e kanë pronësinë mbi tokën. Toka është pronë publike, pronë shtetërore; as nga fakti që në mënyrë të paturpshme aty thuhet se ka leje ndërtimi, kur aty asnjëherë nuk ka pasur një të tillë”, tha Poni. Ai theksoi se bashkia ka tejkaluar kompetencat e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›