Pronarët e Muzeut të Shkencave: Shteti po na mban pronën me forcë
Ferdinand Dervishi
Çështja e pronësisë së muzeut të Shkencave të Natyrës, të njëjtit që mund të jetë fiksuar në memorien e shqiptarëve prej pamjeve filmike, apo fotove, të skeletit të një balene, po ta shohësh nga shumë afër, duket se ka nisur të mbajë erën e kalbur të një gjelle tipike shqiptare. Kalbësira nis e bie në sy filluar tek tavani i muzeut që, edhe pse i mbajtur me furka druri, mund të bjerë nga çasti në çast e të zërë përfund, veç të tjerave, edhe kockat gjigande të balenës, që konsiderohet si vlera më e madhe. Më tej, kalbësira dallon më së shumti në tollovitjen gjyqësore, kur edhe pas vendimit të formës së prerë të gjykatës në vitin 2002, pronarët e ligjshëm janë lënë nga shteti me gisht në gojë, vazhdon me një qira mujore prej rreth 5 milionë lekësh në muaj (totali nga 2002 deri tani ka shkuar në rreth gjysmë milioni USD), që buxheti i vrimëzuar i shtetit duhet të paguajë dhe përfundon me përpjekje pa asnjë llogari të dukshme, për ta çuar këtë çudi deri në fund. “Me pak fjalë, shteti nga njëra anë nuk i hap udhë vendimit të formës së prerë të gjykatës që është shprehur kundër tij në të gjitha shkallët, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe nga ana tjetër vazhdon të paguajë shumën e qirasë së vendosur po nga gjykata, pa pasur, apo të paktën pa reflektuar asnjë zgjidhje të vetme”, bëjnë përmbledhjen e parë të rezultatit të argumenteve bashkëpronarët e truallit dhe godinës. Ky është fenomeni apo çudia e radhës shqiptare, që me pronat nuk ndodh për herë të parë, e që me pak fjalë apo e përshkruar troç, mund të thuhet edhe më fjalët: Unë jam shteti, unë i bëj ligjet dhe i shkel kur të dua, unë mbaj peng një muze që nga çasti në çast mund të rrëzohet, unë nuk kam dhe nuk e vras mendjen të jap ndonjë zgjidhje, po unë paguaj qiranë prej 5 milionë lekësh të vjetra në muaj, sepse nuk më dhemb, nuk janë paratë e mia...
Historia e pronës
Sipas dokumenteve që trashëgimtarët e pronës paraqesin, korpusi ballor dykatësh i godinës, ku sot gjendet Muzeu i Shkencave, është ndërtuar më 1928 nga bashkëpronarët Selim Fortuzi, Avni Fortuzi, Zyber Preza, Naze Hasbegaj, Mehmet Pilku dhe Bedri Llagami. Qëllimi ishte për biznes në fushën e arsimit, shkollë e konvikt në të njëjtën godinë që u quajt Instituti Arsimor “Naim Frashëri”. Pas pushtimit fashist, italianët e marrin ndërtesën “nën rekuizitë” (marrje e pasurisë pa shpërblim me afat dy vjeçar). Godina shërbeu si rezidencë për aviatorët, ndërsa në vitin 1940 i hiqet kati i tretë, pasi specialistët kishin llogaritur se pengonte uljen e aeroplanëve. Gjithashtu, italianët i bashkëngjisnin godinës një shtesë njëkatëshe majtas. Pas largimit të italianëve ambientet përdoren nga gjermanët të cilët për çudinë e shumëkujt, u paguajnë pronarëve të godinës e truallit një më një të hollat e qirasë. Madje, trashëgimtarët tregojnë një ngjarje të pazakontë, të ndodhur pak ditë para se çlirohej Tirana, sipas të cilës, gjermanët thirrën një nga bashkëpronarët, Bedri Llagamin, pa i shpjeguar përse. Ai, duke menduar se mund ta vrisnin, u lë shëndenë të afërmve, të cilët e përcjellin me lot në sy. Por gjermanët, me t’u paraqitur, i kishin lënë në duar këstin e fundit të qirasë, duke e përcjellë sërish për në shtëpi.
Me ardhjen në fuqi të komunistëve, me anë të një dekreti të Kuvendit Popullor nr: 355 të datës 02.04.1947 nisnin procedurat e shpronësimit. Sipas dokumenteve që pronarët disponojnë, në korrespondencën mes Ministrisë së Financave dhe Komitetit Ekzekutiv thuhet: Pronarëve të mos u paguhet asgjë, sepse ishin indiferentë me lëvizjen. Kështu prona shtetëzohet dhe regjistrohet në emër të shtetit në zyrën e regjistrimeve. Fillimisht shërben si Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, më pas aty vendoset Liceu Artistik i Tiranës dhe më 1968 kthehet në Muzeun e Shkencave të Natyrës, pajisjet apo skeletet e të cilit mbarten nga godina ku sot është Partia Socialdemokrate.
Në vitin 1992, pas daljes së ligjit, pronarët i drejtohen Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave. Në vitin 2000, më 9 nëntor, ky komision u kthen pronarëve truallin dhe godinën. Në vendimin 419 të kësaj date thuhet: Një godinë në formën e germës “U” me krah një kat dhe pamje ballore dy kat, ish-konvikti “Naim Frashëri” sot Muzeu i Shkencave të Natyrës dhe i Gjeologjisë së UT, së bashku me oborrin, me sipërfaqe të përgjithshme 4600 metër katrorë, siç tregohet në genplan, pjesa e vijëzuar, në bazë të nenit 4 të ligjit 7698, të datës 15.04.1993, i kthehet pronarëve, Avni Fortuzi, Bedri Llagami, Zyber Preza, Selim Fortuzi...
Lufta me shtetin
Pasi fitojnë pronën me vendim të formës së prerë, pasi i njëjti vendim i Komisionit të Kthimit të Pronave bën që të startojë edhe qiraja mujore prej rreth 5 milionë lekësh të vjetra e truallit dhe godinës, e cila duhet t’u paguhet pronarëve nga Universiteti i Tiranës, sërish prona, ajo që pretendohet të jetë e shenjtë edhe mes shqiptarëve, nuk ka shkuar te pronarët e ligjshëm. Pas humbjes në Gjykatën e Apelit, Universiteti ndjek të njëjtën çështje në Gjykatën e Lartë dhe e humb me të njëjtin rezultat, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese nuk e merr parasysh, nuk e kalon çështjen për gjykim në seancë plenare, duke u dhënë të drejtë përfundimisht pronarëve. Por pronarët, pas 8 vjetësh që nga fitimi i pronës, kanë mbetur duarbosh. Kjo sepse përballë kanë shtetin. Një shtet që në këtë rast drejtohet nga njerëz që e kanë më të lehtë të sajojnë se të zgjidhin punë, që e kanë më të lehtë të shtyjnë procedurat e dorëzimit të pronës deri në infinit, pa u kujdesur aspak se shuma e qirasë vazhdon të rritet, duke arritur e kaluar tashmë qoftë edhe shumën që duhet për të ndërtuar nga e para një muze të ri, si godinë e si vlera muzeale, apo skelete kafshësh. Ja si funksionon: Deri në vitin 2009, Universiteti e ka zvarritur dorëzimin e pronës duke depozituar në të gjitha gjykatat brenda vendit kundërshtitë për kthimin e saj. Tashmë që universiteti ka dalë përfundimisht i humbur për shkak të provave që i ka kundër, ka sajuar të tjera mënyra për zgjatje të tollovisë, por për fat të keq këto të fundit kanë nisur të mbajnë erë. Kështu UT ka hedhur në gjyq përmbarimin, duke kërkuar që për këtë pronë të shprehet Ministria e Arsimit, apo Këshilli i Ministrave, duke pretenduar se Universiteti është thjesht përdorues dhe ndërkohë, duke bërë një lojë edhe më të pandershme, u dërgon ministrave të interesuar letra që shtrembërojnë të vërtetën. Duke bërë me kast një keqinformim, që mund të tringëllojë për mirë në veshët ku shkon, apo më tepër se kaq, është pjellë e një loje edhe me më shumë lojtarë.
Letra e pandershme për Nishanin
Loja e pandershme, sipas pronarëve, nis me një letër dërguar Ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani. Shkresa zyrtare që ka firmën e Rektorit Dhori Kule, është hartuar dhe nisur në datën 15.10.2009, me numër protokolli 2236/1 nga Drejtoria Juridike e Rektoratit. Në të veç të tjerave thuhet tekstualisht: “Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 1358, datë 26.12.2006, ka vendosur të lërë në fuqi vendimin numër 419, datë 9.11.2000 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve, Tiranë, i cili ka vendosur të kthejë në natyrë ish-konviktin “Naim Frashëri” pa shtesat dhe konstruksionet anësore të cilat janë kryer nga shteti...”
“Që në fillim të kësaj letre zyrtare ministri keqinformohet nga Rektorati, më saktë i thuhet një e pavërtetë dhe ne nuk e dimë se ku gjendet ky guxim apo cili është qëllimi”, thonë trashëgimtarët e pronës. Dhe kanë të drejtë, pasi i kontaktuar nga gazeta, një jurist i Drejtorisë Juridike të Rektoratit nuk di të gjejë në vendimin e Komisionit të Kthimit të Pronave vendin ku shkruhet se pronarëve nuk u janë kthyer shtesat. I njëjti rreket të mbahet për një çast pas një paragrafi, ku në vendim është bërë përshkrimi i pronës, por kur vjen puna te vendimi, bëhet keq. Saktësisht në këtë vendim thuhet: “Pronarëve u kthehet një godinë në formën e germës “U” me krah një kat dhe pamje ballore dy kat, ish-konvikti “Naim Frashëri” sot Muzeu i Shkencave të Natyrës dhe i Gjeologjisë së UT, së bashku me oborrin, me sipërfaqe të përgjithshme 4600 metër katror...”
“Atë shkresë e njoh, ma ka bërë një jurist shumë i vjetër që i besoj si vetes. Nuk ka të ngjarë që të ketë gabuar”, pohoi Rektori Dhori Kule për gazetën, duke marrë në mbrojtje edhe nëpunësin e vet, por njëkohësisht edhe përmbajtjen e letrës dërguar Ministrit të Drejtësisë.
“Shteti na mban pronën me forcë”
“Jemi në dijeni se si po zhvillohet e gjithë loja kundër nesh. E dimë që struktura të caktuara të shtetit e pengojnë Përmbarimin të zbatojë vendimin e gjykatës për kthimin e pronës, e dimë se Universiteti është iniciuesi, pasi ka nxjerrë edhe studentët në protestë kundër një çështjeje jo të drejtë. Dhe kjo e fundit është e turpshme, pasi studentët nuk duhet të edukohen me antivlera”, thonë pronarët të indinjuar. Por Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, duket edhe ai këmbëngulës në aksionet e tij për të njëjtën çështje. “Rektorati i Universitetit të Tiranës ka respekt për ligjet, për të drejtat e pronarëve, pra respekton legjislacionin në fuqi. I njëjti ka hapësira të ruajë edhe interesat e Universitetit dhe të pronarëve. Do të rishikojmë vendimin e Gjykatës së Lartë në bazë të dokumentacionit të ri që do të paraqesim, pasi pretendojmë se këto prova të reja vënë në dyshim provat e sjella nga pronarët. Gjithashtu një hapësirë e mundshme ligjore është kompensimi që mund t’u bëhet pronarëve në forma që parashikon ligji”, ishin fjalët e pakta që thonë shumë të Rektorit Dhori Kule për gazetën. Ardhur në këtë moment, Rektorati, qëllimin për zvarritjen e kalimit të pronës te pronarët e ka realizuar duke hedhur në gjyq Përmbarimin, të cilit i ka adresuar si portë ku duhet të trokasë për çështjen e muzeut, jo Universitetin e Tiranës, por Ministrinë e Arsimit dhe Shkencave. Po kështu Rektorati pretendon të gjejë prova, me qëllim që të hapë një tjetër proces gjyqësor që të rrëzojnë vendimin e Gjykatës së Lartë!? Të pyetur për qiranë që vazhdon të shtohet e të shkojë drejt shumës gjysmë milionë USD, të njëjtët zyrtarë nuk treguan asnjë interes.
“Përfundimisht, shija që lë e gjithë kjo është e hidhur. Sepse ne dyshojmë që Universiteti duke pasur krahët e ngrohta nga shteti do të vazhdojë të na pengojë të marrim pronën e fituar me gjyq, duke sajuar qoftë letra me informacion të gënjeshtërt, si ajo dërguar zotit Nishani, qoftë duke intimiduar Përmbarimin. Sepse zotërinjtë e Përmbarimit i njohin ligjet dhe e dinë mirë se bëhet fjalë për një vendim të Gjykatës së Lartë, i cili është i padiskutueshëm në zbatim, edhe sikur 100 padi të tjera të ngrihen më pas. Prandaj jemi të mendimit se njerëzit e shtetit në rastin tonë janë duke thyer ligjet nga i pari tek i fundit, prandaj themi se shteti është duke na penguar forcërisht të marrim pronën tonë”, e mbyllin argumentimin trashëgimtarët e pronës.
“Universitetit i ofruam ambient falas, nuk pranoi”
Shumëkujt do t’i duket e pabesueshme, por pronarët e ligjshëm të pronës që tashmë quhet Muzeu i Shkencave të Natyrës, që pas kthimit të saj nga Komisioni i Kthimit e Kompensimit të Pronave në vitin 2002, i kanë bërë një ofertë shumë bujare Universitetit të Tiranës.
U kanë ofruar një ambient të bollshëm sipas standardeve bashkëkohore, ku të vendoseshin të gjitha materialet e muzeut. Por një kërkesë e tillë, për çudi, ka rënë në vesh të shurdhët.
“Pasi na u kthye prona, më 2002, ne iu drejtuam Rektoratit për zgjidhje. Një nga zgjidhjet që biseduam ishte oferta që ne si pronarë bëmë duke marrë përsipër ndërtimin e një godine të re, me të gjitha kushtet, për instalimin e Muzeut të Shkencave të Natyrës. Madje i lamë Rektoratit të drejtën e zgjedhjes së vendndodhjes së muzeut”, shpjegojnë këtë ofertë tyren trashëgimtarët e pronës. Por me anë të një shkrese të habitshme, që mban datën 08.04.2002, me numër protokolli 188/1, Rektori i asaj kohe, Marenglen Spiro, e kundërshton këtë ofertë. Saktësisht në të njëjtën letër shkruhet: “Pra, përfundimisht, unë, në emër të institucionit që drejtoj, ju komunikoj mospranimin e prerë të propozimit tuaj për të pranuar nga ana jonë një ndërtesë të re të ndërtuar nga ju”. Ndërsa si argument kryesor për këtë përgjigje negative sillen mendimet e specialistëve, të cilët sipas rektorit kanë qenë kundër lëvizjes së muzeut.
Ardhur në vitin 2009, parë jo me sy të vëngërt, oferta e pronarëve duket se ka qenë më shumë se bujare. Kjo jo vetëm për faktin se muzeu që tashmë rrezikon të shembet do të ishte në një godinë me kushte bashkëkohore për studiuesit e studentët, por edhe sepse do të ishte kursyer nga buxheti i shtetit një shumë rreth gjysmë milioni dollarë që kërkon ndërtimi e arredimi i një godine të re. Për më tepër do të ishte shmangur edhe “gjoba” e qirasë së objektit që nga viti 2002, që tashmë ka rrumbullakosur shumën prej 430 milionë lekësh të vjetra. Por duket gjithçka që ka penguar të realizohet një marrëveshje e tillë ka qenë pasojë e mendjeve dritëshkurtëra, që në asnjë rast nuk kanë kohë të bëjnë llogari për shtetin.
Gjithsesi pronarët, edhe pse kanë humbur tetë vite kohë të çmuar që nga kjo ofertë e parë e refuzuar, edhe pse janë bërë tetë vjet më të shkuar në moshë, edhe pse janë pjekur edhe tetë vjet më shumë mes halleve, sërish vënë dorën në zemër për një zgjidhje të ngjashme. “A mund të bëjmë edhe tani, më 2009, të njëjtën ofertë? Pak a shumë, po. Por duhet të ulemi dhe të bisedojmë...”, është përgjigja e tyre. fe.de.
Përmbarimi: Po presim që muzeu të lirohet nga sendet
“Po presim që Muzeu i Shkencave të Natyrës të lirohet nga sendet dhe njëkohësisht po presim përfundimin e gjyqit, pasi Universiteti na ka paditur”, ishte përgjigjja përmes telefonit e përmbaruesit gjyqësor, Julian Ahmeti. Përmbaruesi Ahmeti është caktuar të mbulojë çështjen e zbatimit të Urdhrit të Ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Lartë të datës 24.04.2009 për lirimin e dorëzimin e sendit, Muzeu i Shkencave, si dhe për pagesën e qirasë në llogaritë e pronarëve në shumën 504.720 lekë çdo muaj, nisur që nga 04.10.2002.
I pyetur përmes telefonit, zyrtari konfirmoi se Përmbarimi njëkohësisht me ndjekjen e gjyqit është duke monitoruar edhe boshatisjen vullnetare të muzeut nga sendet. I njëjti zyrtar konfirmoi se veprimet e Përmbarimit për kthimin e truallit dhe objektit pronarëve do të rinisnin menjëherë sapo gjykata të shprehet për këtë padi të fundit të bërë nga Universiteti i Tiranës.