Tafaj: Refuzoni kurset private
Një orë konsultim në shkollë për të shmangur kurset private të mësuesve. Ky është udhëzimi i ri që Ministria e Arsimit do të aplikojë në arsimin parauniversitar. Mësuesit do të detyrohen të zhvillojnë një orë konsultimi me nxënësit gjatë një dite pune.Ministri i Arsimit ka kërkuar gjithashtu që të jenë vetë nxënësit dhe prindërit, që të mos drejtohen për kurse private. Por nuk dihet sa efikas do të jetë në praktikë ky orientim i ri, për aq kohë sa janë vetë mësuesit që kanë edhe gurin edhe arrën në dorë. Gjatë viteve të fundit, shumë prej tyre, jo vetëm të shkencave ekzakte por edhe të gjuhëve të huaja e lëndëve shoqërore, zhvillojnë kurse private. Madje në disa gjimnaze të kryeqytetit pjesa më e madhe e nxënësve “thithen” në këto kurse, duke ju bërë presion përmes notës. Kush ndjek kursin privat do jetë i përkëdhelur në orën e mësimit, ata që e refuzojnë u hahet haku. Për këtë fenomen dyshimet e gjimnazistëve e ish- gjimnazistëve janë të shumta.