E Hënë, 2 Nëntor 2026

Agolli: “Bojkotimi i partisë, veprim më i keq sesa bojkoti i Kuvendit”

Ish-themeluesi i PS-së, kritika ndaj qëndrimeve të Lëvizjes për Mendim Ndryshe. Agolli është dhe kundër bojkotit të Kuvendit: “Duhet të mbarojë sa më shpejt”

Shaban Sulçe

Ish-themeluesi dhe figura emblematike e Partisë Socialiste, Dritëro Agolli, ka bërë dje kritika të ashpra në drejtim të përfaqësuesve të Lëvizjes për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste. Agolli akuzoi përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje për standarde të dyfishta. Duke iu referuar qëndrimeve të deputetëve Blushi, Malaj, Islami, Bello dhe Harasani, ish-themeluesi i Partisë Socialiste tha se thirrja e tyre për të bojkotuar zgjedhjet në Partinë Socialiste është një veprim më i gabuar sesa bojkoti i Kuvendit. “Ky grupim, i njohur si Mendimi Ndryshe, hedh parulla dhe i nxit socialistët që të bojkotojnë zgjedhjet për kreun e PS-së. Nga njëra anë je kundër bojkotit, nga ana tjetër je me bojkotin! Moralisht ky është një veprim më i keq sesa veprimi për të bojkotuar Kuvendin, pra të bojkotosh partinë tënde”, - tha Agolli. Shkrimtari i njohur është shprehur gjithashtu kundër bojkotit të Kuvendit teksa ka folur edhe për zgjedhjet për kreun e Partisë Socialiste, për të cilat tha se ishin një proces demokratik.

Bojkoti
Pavarësisht kritikave ndaj grupimit të mësipërm, emblema e Partisë Socialiste është shprehur kundër vendimit të lidershipit të Partisë Socialiste për të bojkotuar Kuvendin. Agolli deklaroi se ky bojkot nuk duhet të zgjasë shumë, teksa shprehu bindjen se zgjidhja do të jetë një çështje kohe. Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që Partia Socialiste të jetë e pranishme në Kuvend. “Kjo parti është e domosdoshme që të shkojë në Parlament sepse nuk mund të merren vendime. Mendoj se kjo është një çështje kohe, është një kërkesë për të verifikuar vetveten dhe për të ditur nëse vërtet janë bërë këto çrregullime dhe abuzime në zgjedhje, apo jo. Por kjo nuk mund të zgjasë shumë”, - tha Agolli.

Zgjedhjet në PS
Ish-themeluesi i Partisë Socialiste ka vlerësuar me nota pozitive zgjedhjet e djeshme për kreun e partisë. Ai tha se procesi është demokratik për sa kohë që në të marrin pjesë dy kandidatë, teksa ka vlerësuar gjithashtu edhe përvojën dhe angazhimin e tyre në parti. “Fatmirësisht janë dy kandidatë që garojnë për kreun e partisë, sepse mund të ndodhë që ka vetëm një kandidat. Unë mendoj se të dy kandidatët janë njerëz me përvojë në drejtimin e partisë”, - vijoi Agolli. Ai i ka dalë në mbrojtje të kryetarit aktual, Edi Rama, në lidhje me debatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Agolli tha se vërtet PS-ja i humbi këto zgjedhje duke mos qenë në gjendje që të formojë qeverinë, por, nga ana tjetër, ai tha se Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk mund të quhen humbësit e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve, pasi, sipas tij, PS-ja mori më shumë vota në këto zgjedhje. “Nuk mund të akuzosh dhe të thuash se është një humbës i madh Edi Rama apo Partia Socialiste”, - tha Agolli. Ai nënvizoi se asnjë parti apo koalicion nuk i fitoi zgjedhjet e 28 qershorit, duke shtuar se nëse Ramës i bëhet presion për të dhënë dorëheqjen për shkak të humbjes, atëherë, sipas tij, dorëheqjen duhet ta japë edhe Berisha, edhe Meta, pasi janë humbës në këto zgjedhje. “Të gjithë kryetarët e partive kanë qenë humbës dhe nëse i kërkohet Edi Ramës dorëheqja, dorëheqjen duhet ta japë edhe Berisha me Metën, sepse nuk i fituan zgjedhjet”, - vijoi Agolli.

28 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›