Kundërshtarët e Ramës, gati thyerja e bojkotit
Procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të Partisë Socialiste pritet të pasohet nga të tjera zhvillime në gjirin e kësaj partie. Çështja kryesore ka lidhje me bojkotin e Kuvendit, për të cilën 5 deputetë, përfaqësues të Lëvizjes për Mendim Ndryshe po konsiderojnë gjithnjë e më tepër mundësinë e hyrjes në Kuvend dhe “thyerjes” së vendimit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Ky vendim u paralajmërua edhe dy ditë më parë nga deputetët Blushi, Malaj, Harasani, Bello dhe Islami, të cilët thanë se do të ishin prezentë në Kuvend për të votuar ligjet e rëndësishme që kanë lidhje me integrimin e vendit. “Në qoftë se një ditë Shqipëria do të ketë nevojë të mbështetet në reformat që nxitin dhe përshpejtojnë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, ne do të marrim vendimet e duhura në favor të Shqipërisë, por në asnjë rast në favor të qeverisë apo të Sali Berishës”, - thanë deputetët e Partisë Socialiste, Arben Malaj dhe Ben Blushi dy ditë më parë.
Lëvizja për Mendim Ndryshe: Procesi i votimit ishte farsë
Ndërkaq, përfaqësues të Lëvizjes për Mendim Ndryshe kanë kritikuar procesin e djeshëm zgjedhor në PS. Zamira Çaka, ish-kryetare e Komisionit Zgjedhor në PS, tha se procesi i djeshëm i votimit ishte farsë dhe ka shërbyer vetëm për të rikonfirmuar Ramën në krye të Partisë Socialiste. “Ky proces nuk ka sjellë asgjë të re, vetëm do të rikonfirmojë në krye të PS-së Edi Ramën. Gara nuk ka qenë e barabartë. Në takimet në fushatë, brohoritje kishte vetëm për Ramën, çka do të thotë se njerëzit porositeshin për këtë do të votonin”, - tha Çaka, e cila pohoi se kishte bojkotuar votimin e djeshëm. “Vota ime nuk mund të shkonte për një kandidat që ishte paracaktuar se do të ishte kryetar i PS-së”, - u shpreh ajo.
28 Shtator 2009