E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri në qeveri: “Këshill ligjor për të çmontuar mafian”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e Qeverisë se do të nxjerrë dekret për të çmontuar dhe shpartalluar mafian në Shqipëri. Ai ka vazhduar sulmin ndaj Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, të cilin e cilësoi dy ditë më parë si kryetar të një klani mafioz, që sipas tij, ka abuzuar me pronat e kryeqytetit dhe ka vendosur pasuri me vlerë 750 milionë euro. “Ajo çfarë unë deklarova mbrëmë ju garantoj është vetëm një pjesë, dhe vetëm një pjesë, se tentakulat e saj të tmerrshme shtrihen në mbarë vendin”, - tha ai. Në mbledhjen e Qeverisë, Berisha paralajmëroi ngritjen e një Këshilli Ligjor, i cili do të ndihmojë ekzekutivin në një betejë me zero tolerancë ndaj mafies dhe premtoi se nuk do të ketë ngjyra politike. “Në këtë luftë dhe në këtë betejë në mënyrë kategorike nuk do të ketë ngjyra, se ngjyra e krimit ekonomik është më e shëmtuara. Do të ketë qëndrim rigoroz ligjor, por në mënyrë absolute nuk do të ketë forcë që të pengojë këtë ekzekutiv ta ushtrojë vullnetin e popullit shqiptar në luftën kundër mafias“,- tha në fjalën e tij Kreu i Qeverisë. “Në rast se në mandatin e parë ne çmontuam një nga një bandat që bënin ligjin në vend, tani kanë ngelur nehatët e kollarisur dhe bosët e mafies. Tentakulat e mafies shtrihen në mbarë vendin, ndaj dhe ministritë dhe agjencitë qeveritare kanë detyrimin e parë dhe madhor, betejën me zero tolerancë ndaj mafias”, - vazhdoi Kryeministri. Kreu i Qeverisë informoi se departamenti i luftës kundër korrupsionit pranë kryeministrit do të jetë edhe për luftën kundër mafies. “Nuk do të ngurroj të përdor dekretin. Lufta kundër mafias është emergjente. Ndaj Këshilli Ligjor do të ketë sugjerimin e dekreteve të Këshillit të Ministrave për të shpartalluar mafian”, - tha kryeministri. Berisha përdori situatën e ndërtimeve në Himarë për të treguar ekzistencën e mafias së ndërtimeve, ndërsa shtoi se në Tiranë nuk ekziston asnjë investim i huaj.

Ky lajm është publikuar: 04/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›