E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli: Marrëveshja për varrezat, Greqia shfrytëzoi emigrantët

Shkrimtari Dritëro Agolli, e sheh me sy kritik marrëveshjen midis Shqipërisë dhe Greqisë, lidhur me krijimin e dy varrezave të ushtarëve grekë, pikërisht në dy qytetet e jugut të vendit tonë, Gjirokastër dhe Këlcyrë. Sipas tij, një marrëveshje e tillë do të bënte të shfaqeshin pretendime edhe nga fqinjë të tjerë, duke evidentuar këtu kërkesat e Serbisë. “Unë mendoj se do të hidhen edhe të tjerët dhe do të kërkojnë të njëjtën gjë. Po të kaloi miu nën mustaqe, bëhet e zakonshme dhe do të kalojë gjithnjë. Prandaj kam frikë se ky rast do të shërbejë që të njëjtën gjë ta kërkojnë edhe këta fqinjët e tjerë. E di që italianët nuk kërkojnë, se ata i mblodhën ata që kishin për të mbledhur, por serbët, tani që erdhi ai prifti, tha që duhet të bëjmë edhe një varrezë edhe për këta”,- u shpreh Agolli. Edhe pse tregohet i ndërgjegjshëm se nënshkrimi i marrëveshjes me Greqinë nuk ka rrjedhur natyrshëm, por është produkt i varësisë që ka vendi ynë, për shkak të miratimit të MSA-së nga parlamenti helen, Agolli thekson se kjo nuk duhet të shërbejë si një moment që edhe shtetet e tjera fqinje të shfrytëzojnë të tillë faktor. “Ne duhet të jemi më dorështrënguar për varrezat. Ne jemi shumë të varur, sepse kemi 600-700 mijë emigrantë në Greqi, po ke dhe 400 mijë në Itali, ke dhe në vende të tjera, dhe detyrohemi që të jemi të varur nga konjuktura”,- shpjegoi Agolli. Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, lidhur me këtë çështje, është shprehur se probleme të tilla, nuk duhet të mbajnë peng marrëdhëniet midis dy vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›