E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurt biznesi

Moti i keq, gjysma e Mirditës pa drita

MIRDITË- Stuhia e shiut në formë cikloni, e shoqëruar me erëra të forta, e cila nuk ka pushuar përgjatë gjithë natës, në zonat veriore dhe verilindore të vendit, ka vazhduar me reshje të dendura dëbore që kanë arritur trashësi të konsiderueshme në shumë rajone. Kjo ka bërë që të ketë probleme në disa akse rrugore nacionale dhe rurale, ku trashësia e dëborës së rënë, ka kaluar 50 cm. Probleme janë shkaktuar në qarkullimin rrugor, si dhe furnizimin me energji elektrike. Më se gjysma e fshatrave dhe qendrave të banuara të Mirditës, është mbuluar nga dëbora, ku dendësia më e madhe e rënies së saj është shënuar në zonën e Fanit, Sielitës, Kacinarit dhe Oroshit. Në shumë fshatra të këtyre zonave është ndërprerë plotësisht energjia elektrike dhe është vështirësuar komunikimi rrugor. Burimet nga filiali elektrik bëjnë të ditur se erërat e forta dhe reshjet e dendura kanë dëmtuar shtylla të shumta të tensionit të mesëm, duke lënë pa dritë thuajse gjysmën e Mirditës, ndërsa janë ngritur grupe riparimesh të emergjencës që po punojnë në terren. Probleme janë shfaqur në shkolla, kopshte e çerdhe ku, për arsye tenderimesh të vonuara, ende nuk janë siguruar drutë e zjarrit për ngrohje.

----------------------------------------------------------Moti lë pa drita Vlorën, Fierin dhe Patosin

FIER- Qytetet e Fierit e Patosit, por edhe një pjesë e madhe e Vlorës, janë gdhirë mëngjesin e djeshëm pa energji elektrike. Në Fier, një ere e fortë e shoqëruar me reshje shiu, ka krijuar probleme serioze në linjat kryesore që furnizojnë me energji shumë lagje të qytetit të Fierit. Dje në mëngjes, 22 linja nuk kanë punuar si rezultat lidhjes së shkurtër të rrjetit elektrik. Në këto kushte, mjaft biznese kanë mbetur pa punë. Sipas Drejtorit të Divizion-Shpërndarjes, i cili mbulon qytetin e Fierit, Patosit dhe Vlorës, Arqile Kume, moti i keq ka shkaktuar një “blackout” në të tre këto qytete. Ai ka pohuar se gjatë ditëve paraardhëse ka pasur ndërprerje të energjisë në shumë zona, por këto kanë qenë për remonte elektrike. Por, qytetarë të ndryshëm janë shprehur dje se ata vuajnë prej ditësh mungesën e energjisë dhe ajo mungon për shkak të kufizimeve. --------------------------------------------------------------Kukësi e Tropoja pa drita, u prish nënstacioni

KUKËS- Erërat e forta, deri në stuhi, kanë kaluar në “black out” qytetet e Kukësit, atë të Bajram Currit dhe tre komuna të rrethit të Kukësit. Stuhitë e shiut dhe të borës kanë dëmtuar linjë e tensionit të mesëm, në nënstacionin e Rexhepajt, në Kukës, duke lënë pa energji elektrike të gjithë qytetin. Zyrtarë të KESH-it në Kukës bëjnë të ditur se janë rrëzuar dy shtylla të tensionit të mesëm nga Rexhepaj në Kukës, si dhe janë këputur shumë tela të kësaj linje. Ata sqarojnë se si pasojë e rrëzimit të shtyllave dhe këputjes së telave të linjave të tensionit të mesëm dhe të ulët, kanë mbetur pa energji elektrike edhe komunat Shemri, Bicaj e Shishtavec, si dhe gjatë paradites ka mbetur pa furnizim me energji elektrike edhe qyteti i Bajram Currit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›