Dimri rikthen kufizimet e energjisë elektrike
OSSH: Është e vërtetë që ka mungesë energjie, por kjo për shkak të remonteve e defekteve, jo prej kufizimeve
TIRANË- Sikur të mos mjaftonte vetëm moti i keq dhe i ftohtë i ditëve të fundit, shqiptarët duhet të përballen edhe me mungesat e përvitshme në energjisë elektrike. Duke filluar nga Tirana, në disa lagje të saj, energjia elektrike mungon për disa orë në ditë. Kjo është situata në lagjet e qendrës, pasi gjendja në periferi shfaqet tejet alarmante, duke ua vështirësuar banorëve gjithnjë e më shumë ushtrimin e aktiviteteve të përditshme. Sipas tyre, energjia në këto zona ikën me orë të tëra. Në rrethin e Durrësit, kryesisht nëpër fshatra, ka ndërprerje që nga mëngjesi deri në mbrëmje. E njëjta situatë haset edhe në fshatrat e rrethit të Elbasanit, ku ndërprerja e energjisë elektrike varion, nga 8, në 12 orë gjatë ditës, duke paralizuar të gjithë aktivitetin e bizneseve dhe institucioneve publike. Rrethi i Elbasanit konsiderohet si një nga më të rregulltit në pagimin e energjisë së konsumuar.
Burime pranë OSSH-së, pohojnë për “Shekulli”-n se ndërprerjet e gjatë ditëve të fundit nuk janë bërë si pasojë e mungesës, apo kursimit të energjisë, por për shkak të ndërhyrjeve dhe investimeve që po bëhen në linja dhe nënstacione, me qëllim furnizimin e qytetarëve pa probleme në të ardhmen. Pavarësisht kufizimeve të vazhdueshme gjatë gjithë javës, dita e djeshme konsiderohet si më problematikja për sa u përket ndërprerjeve. Ka mjaftuar një stuhi në orët e para të mëngjesit për të nxjerrë jashtë funksionit një sërë linjash dhe nënstacionesh në Shqipërinë e Mesme. Në lidhje me këtë, burimet bëjnë të ditur se po punohet që këto anomali të riparohen sa më shpejt, duke e rikthyer situatën në normalitet. Pavarësisht mungesës së energjisë, e cila në vetvete mbart koston e saj, bizneseve u duhet të bëjnë edhe shpenzime plus, duke blerë gjeneratorë për të bërë të mundur vazhdimësinë e aktivitetit, duke mos qenë i varur nga tekat e motit apo nga remontet e OSSH-së. Sigurisht që rritjen e kostos së prodhimit, këta të fundit nuk do ta mbartin vetë. Janë qytetarët ata që rrezikojnë të përballen me rritjen e mëtejshme të çmimeve të produkteve të konsumit, duke iu rritur më tej kostoja e jetesës. Krahas kostos së lartë ekonomike, kufizimet e zgjatura të energjisë cenojnë edhe aktivitetin ditor të qytetarëve. Sipas tyre, zhurma e vazhdueshme e gjeneratorëve e bën tejet të vështirë aktivitetin e përditshëm.