E Shtunë, 31 Tetor 2026

Destounis, 19-vjeçari nga Athina me klasikët në Tiranë

Kostantinos Destounis, i riu 19-vjeçar që vjen nga Konservatori Helenik i Athinës jep koncert recital sonte në orën 19.30 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në program “Les Cyclopes” nga Rameau, Sonata op.31 Nr.2 “Stuhia” nga Beethoven, “Etyd trashendant Nr.10” nga Liszt, “Etyd op.8 Nr.2” nga Sciabin, Moment muzikor nga Rahmaninov, “Fletë albumi op.117” nga Mendelssohn, “Ballade op.23 Nr.1” nga Chopin. Siç shihet është një repertor i pasur.

Destounis është diplomuar vitin e shkuar me gradë shkencore në piano me vlerësime të shkëlqyera. Vazhdoi studimet në Konservatorin Grek nën drejtimin e profesor Agathe Leimoni në nivelin e diplomimit master, i pari student i vitit në Departamentin e Shkencës Muzikore dhe Artit të Universitetit te Selanikut. Ka marrë Diplomën e Mjeshtrit të Lartë të Shkollës “Cantorum” të Parisit me vlerësime të larta.

Ka marrë pjesë në klasat master me profesorë të njohur si Aris Garoufalis, George Manesis, Jenny Zaharieva, Alain Lefevre, Raquel Boldorini, Fulvio Turissini, Michele Rossetti.

Është fitues i Çmimit të parë në Konkursin Kombëtar të Ministrisë së Edukimit Grek (2006) dhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ky recital, i pari në Tiranë, vjen pas koncertit që ka pasur para pak ditësh me Orkestrën Shtetërore të Selanikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›