Kurorë me gjemba
Të rinjtë marrin çmime dhe kthehen në shtëpi
Ritualet kanë të mira po aq dhe të këqija. Futja drejt një rituali e Festivalit Teatror të të Rinjve që organizon Teatri Kombëtar me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, është një e mirë e pranuar nga të gjithë njerëzit që merren me teatër. Festa një javore e të rinjve mbërriti dje në fundin e edicionit të tretë. Këtë vit festivali u shtri në më shumë se një muaj. Veprat në konkurim për regjinë, aktorin dhe skenografinë më të mirë, u shfaqën nga tri herë. Publiku pati mundësinë të krijonte një ide më të qartë për prurjet. Salla e vogël e Teatrit Kombëtar ku u mbajt festivali ka qenë thuajse e mbushur për çdo shfaqje.
Dhe ja, dje në mbrëmje u shpallën fituesit nga juria që pati në përbërje aktorenYllka Mujo, Enton Kacën (regjisori fitues i edicionit të shkuar) dhe përfaqësuesja e MTKRS Joli Gjovreku (drejtoresha e Artit). Erion Hinaj është fitues për regjinë më të mirë me veprën e viteve 60 të një nobelisit dramaturg (2005) si Harold Pinter. Me “Kamarierin memec” Hinaj ka treguar se është në gjendje të ngrejë në këmbë në mënyrë korrekte strukturën e një vepre e mbajtur mbi dialogët midis dy burrave që janë fshehur të kryejnë një krim. Humori, tensioni dhe kontrasti midis dy personazheve, karakteret e të cilëve Hinaj arrin t’i identifikojë mirë, ka pasur mbështetje lojën e dy personave të stërvitur me skenën, Mehmet Xhelili dhe Indrit Çobani. Ky ka qenë konkurrimi i parë që Erion Hinaj, pas debutimeve si aktor në disa produksione private, ka bërë si regjisor.
“Kamarieri memec” fitoi edhe çmimin për skenografinë më të mirë të Besart Kolonjës.
Çmimi për aktorin më të mirë u nda ex equo mes Saimir Brahos dhe Gentjan Zenelajt për lojën në dramën “Kthesa” të Tankred Dorst, me regji të Mikel Kalemit.
Të dy këta, kanë disa vite që kanë dalë nga Akademia e Arteve dhe janë angazhuar mirë me skenën dhe ekranin. Edhe ata vetë do të mblidhnin buzët po të vazhdosh t’i quash “aktorë të rinj”. Për rrjedhojë nuk mund të thuhet se ky festival ku një vit futet dhe vitin tjetër hiqet çmimi për aktorin e ri më të mirë, ka bërë një zbulim apo stimuluar ndonjë të ri. Tek të këqijat e ritualit të festivalit mund të futet edhe kjo.
Të pesta veprat e Festivalit Teatror të të Rinjve, në tërësi nuk e ngritën në një nivel më lart edicionin e këtij viti. Edhe në takimet dhe diskutimet që janë bërë gjatë këtyre ditëve u vu re tendenca e regjisorëve të rinj për të djegur etapat e koncepteve regjisoriale. Në emër të një “teatri ndryshe” nuk arrijnë të bëjnë një zbërthim të qartë të veprave që marrin përsipër ose e kundërta. Nuk arrijnë të abstragojnë sa duhet dhe në atë masë për të mos i bërë veprës dramaturgjike një lexim të fjalëpërfjalshëm skenik. Për shembull “Kthesa” e Dorstit konceptohet si një goxha kthesë pas kodrave, dherave dhe sinjalistikës rrugore, sikur të ishte jo në teatër po në rrugë.
Qysh kur e kaluan fazën e parë të konkurrimit dhe u zgjodhën pesë veprat që do të zbatoheshin në skenë, selektorët patën theksuar se vihet re një “varfëri në konceptet regjisoriale”.
Kështu nëse do të kenë nerva dhe vullnet do të provojnë prapë vitin tjetër. Po çfarë mund të sjellin më shumë se kaq ata të rinj kur vrasin kohën gjithë vitin; kur teatri nuk u është bërë akoma burimi financiar për të siguruar jetesën; kur Teatri Kombëtar bashkë me Ministrinë e Kulturës dhe të Rinisë nuk i llogarit në asnjë rast tjetër; kur të vetmit emra të rinj të punësuar në TK këto tri vitet e fundit janë Holta Dako dhe Marjana Kondi?
Në këtë kuptim, Festivali Teatror i të Rinjve është edhe pasqyrë e asaj që ndodh në një vit me teatrin në Shqipëri. Prandaj fituesve të djeshëm iu vunë dje mbi krye nga një kurorë me gjemba. Do të kthehen në shtëpi.