E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stuhia, qarku i Elbasanit, pa energji elektrike

Lista e plotë e lagjeve të Elbasanit, qytezave përreth dhe fshatrave që po vuajnë nga dëmtimi i linjave të tensionit

ELBASAN- Një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me reshje shiu mëngjesin e së shtunës, ka bërë që të shkulen nga dheu pemë, shtylla të tensionit elektrik, të bllokohen rrugë nga dherat dhe situata në qarkun e Elbasanit të përcaktohet emergjente. Por, ky problem është shoqëruar edhe me mungesa të ndjeshme të energjisë elektrike. Drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë në Elbasan, inxh. Artan Topi, shprehet se stuhia dhe reshjet kanë shkaktuar situatë emergjente për disa zona. Sipas raportit paraprak që ka drejtoria rajonale e Shpërndarjes së Energjisë, në të gjithë zonën janë shkaktuar dëme të shumta. Kështu, në Elbasan janë dëmtuar një numër tepër i madh fidrash (linja elektrike) që kanë sjellë mungesa të mëdha tek banorët. Në Gramsh janë me defekt fidrat 3 dhe 6; Në Librazhd janë me defekt fidrat 1, 3, 4 dhe 6. Edhe në Peqin vihen re mungesa të shumta të energjisë elektrike. “Në fshatra janë identifikuar një sërë dëmtimesh dhe situate paraqitet tepër shqetësuese edhe për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Në Shmil, Gjinar dhe Zavalinë të Elbasanit kanë ndodhur thyerje shtyllash, këputje të përcjellësve elektrikë. Dëmtime janë njoftuar edhe nga Poroçani i Gramshit, nga Kamicani, Lenija , Skëndërbegasi dhe në disa fshatra të thellë malorë. Në Librazhd ka njoftime për dëme në Stëblevë, Stravaj, Rrajcë etj. Në Elbasan ka pasur defekt edhe linja e tensionit të mesëm që shkon për në Petresh, ku janë të instaluara gjithë repetitorët televizivë”,- thuhet në raportin e përgatitur nga OSSH-ja. Në lidhje me këtë çështje, Artan Topi pohoi se në Elbasan situata është nën kontroll. “Vështirësi kemi në zonat e thella malore, pasi reshjet e dëborës pengojnë në riparimin e defekteve. Kemi shkëputur energjinë në zonat ku ka defekt, në mënyrë që të mos ndodhin fatkeqësi”,- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›